Për Mullinjtë e Dhjamin

Në prill të këtij viti, në një debat televiziv në “Jeta në Kosovë”, profesori i UP’së, ish-menaxheri i PTK’së dhe ish-këshilltar në Ministrinë për Energji, Dr.Agron Dida, u shpreh se prodhimi i energjisë alternative nga mullinjtë e erës është i pamundur në vendin tonë dhe se mullinjtë e erës më shumë i ngjajnë mullinjve të Don Kishotit. Një profesor tjetër, njëherësh edhe kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Dr.Ali Hamiti, pesë muaj më vonë, në një adresim para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik deklaroi se “me gjeneru rrymë prej erës dhe diellit, është si me nxjerrë dhjam prej pleshtit”!

Deklarimet e dy profesorëve universitarë, njëherësh persona me influencë në sektorin e energjisë, lënë vend për shqetësim: 1. shqetësim se ku ka ngecur arsimi i lartë në Kosovë, në çfarë drejtimi është duke shkuar ai dhe, 2. shqetësim se si do të duket e ardhmja e sektorit të energjisë në vend. Në shekullin e 21’të, ku pjesa më e madhe e universiteteve nëpër botë kanë hapur edhe departamentet për energjinë alternative, ku përveç studimeve teorike funksionojnë edhe institutet kërkimore, teknologjia e vetme në të cilën besojnë bartësit e arsimit të lartë në Kosovë është energjia nga qymyri. Në kohën kur, për shkak të ndryshimeve klimatike, liderët e vendeve të botës kanë hartuar dhe aprovuar strategji për shtimin e kapaciteteve gjeneruese nga energjia e ripërtërishme, bartësit e institucioneve publike në Kosovë tërë strategjinë e veprimit e bazojnë në energji nga qymyri.

Prodhimi i energjisë nga era dhe dielli tani më është fakt teknologjik i pamohueshëm. Në pjesën e parë të 2011’tës, 19.2 për qind e furnizimit me rrymë në Gjermani vinte nga burimet e ripërtërishme dhe me një objektiv të qartë që deri më 2050, 80 për qind e energjisë në Gjermani të prodhohet nga burimet e ripërtërishme. Ky vend, ka të instaluara mbi 26 mijë “mullinj të Don Kishotit” dhe prodhon “dhjamë prej pleshtit” në kapacitet prej 26,000 MW. Në total, energjia e ripërtërishme në Gjermani punëson rreth 350.000 veta. Po ashtu nga këta mullinj në 2010 në Angli u prodhua energji në kapacitet prej 5,000 MW, ku gjysma e energjisë së prodhuar nga era vinte nga mullinjtë e instaluar në brendi në territorit. Vendet perëndimore kanë hartuar strategji të detajuara se si të rrisin kapacitetet e energjisë nga burimet e ripërtërishme. Gjermania ka miratuar Strategjinë për Burimet e Energjisë së Ripërtërishme, Anglia ka të miratuar Letrën e Bardhë të Energjisë, e cila merr në konsideratë të gjitha burimet e mundshme të energjisë konvencionale dhe asaj të ripërtërishme. Gjersa, Kosova ka të miratuar Strategjinë e Energjisë e cila kryesisht bazohet në energjinë nga qymyri, në të cilin profesorët e nderuar besojnë aq shumë.

Në vendet perëndimore, rregullativa shtetërore i ka paraprirë inovacioneve teknologjike dhe investimeve në këtë fushë. Kurse në Kosovë, qëndrimet negative ndaj burimeve të energjisë dhe aktet ligjore në fuqi po dekurajojnë investitorët potencialë në këtë fushë. Kryesuesi i Bordit të ZRRE në mbledhjen e komisionit parlamentar përqeshi iniciativën e disa biznesmenëve nga Komuna e Vitisë për të instaluar panele solare dhe për të prodhuar 50MW energji elektrike, duke i quajtur ata “mendjelehtë”. Në anën tjetër, ZRRE nuk ka fare të vendosura tarifat për energjinë diellore. ZRRE me politikat e saj i ka pamundësuar punën kompanisë private “WindPower” për të prodhuar energji nga mullinjtë e vendosur në kodrën e Goleshit, me arsyetimin se gjeneratorët nuk janë të rinj dhe se kanë qenë të përdorur më herët. Në të njëjtën kohë kur ZRRE ka marrë vendim se nuk do të lejojë funksionimin e gjeneratorëve të erës të përdorur më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e afatit për doganimin e automjeteve deri në 13 vjet. Tani, cilët janë më të dëmshëm për ambientin: gjeneratorët e vjetër të erës ose automjetet trembëdhjetë vjeçare? Në vendet tjera nuk ekziston vetëm një tarifë fikse për gjenerimin e energjisë nga era, mirëpo ekzistojnë tarifa të ndryshme për gjeneratorët e rinj, të vjetër, për kapacitetet gjeneruese, etj. Në një pjesë tjetër të Kosovës, në Komunën e Kamenicës, investitorëve u është dhënë leja për prodhim të energjisë nga gjeneratorët me erë, mirëpo nuk i janë krijuar lehtësira për tu kyçur në rrjet. Për arsye se pikat e favorshme për gjenerimin e energjisë nga era ndodhen në pika të largëta nga vendbanimet, kurse trafot dhe rrjeti elektrik ndodhen nëpër vendbanime, investitorët në energjinë e ripërtërishme hasin probleme për tu lidhur në rrjet. Vështirësitë e investitorëve potencialë në këtë fushë do të shkojnë vetëm duke u rritur, nëse vazhdohet me planet për rritjen e kapaciteteve energjetike nga qymyri.

Argumenti tjetër i cili përdoret nga liderët kosovarë kundër energjisë alternative është kostoja e energjisë nga këto burime. Sipas ministrit të MZHE, kostoja e energjisë nga burimet e ripërtërishme është pesë herë më e kushtueshme se sa kostoja e energjisë nga qymyri. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Deri më 2020 energjia e ripërtërishme do të jetë shumë më e lirë se sa energjia nga burimet konvencionale. Madje, nëse llogariten edhe kostot tjera anësore, siç është ambienti dhe shëndeti, kostoja e energjisë nga burimet e ripërtërishme është ekonomikisht më e favorshme se sa ajo e energjisë nga qymyri. Më 2006, falë energjisë nga burimet e ripërtërishme, Gjermania reduktoi për 45 milionë tonë emetimin e CO2 dhe si rrjedhojë kurseu 3.4 miliardë euro, të cilat do të duhej të shpenzoheshin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga CO2.

Më 2009, kur Kryeministri prezantoi projektin për “Kosovën e Re”, deklaroi se termocentrali i ri si pjesë integrale të tij do të ketë edhe teknologjinë më të re për kapjen dhe ruajtjen e karbonit (apo teknologjia CCS – Carbon Capture and Storage). Kjo teknologji është më pak kredibile dhe e sprovuar se sa që janë për shembull mullinjtë e erës ose panelet solare. Kurse “profesorët” tanë kanë vendosur t’i besojnë një teknologjie ende të paprovuar, e në anën tjetër të bëjnë shaka me teknologjitë e dëshmuara për prodhimin e energjisë alternative.

Kosova ka probleme të mëdha me furnizim me energji. Mirëpo, e kemi shansin që si vend i ri, të orientohemi drejt burimeve alternative të energjisë. Nuk kemi çka të humbasim, por kemi shumë se çfarë të përfitojmë nga një hap i tillë. Kjo mund të bëhet duke aprovuar dokumente dhe legjislacion të favorshëm për të thithur investimet në energjinë alternative. Kjo do të rriste gjasat për punësim më të shpejtë, rritjen e investimeve të huaja direkte dhe kursime nga reduktimi i CO2.

Nëse Qeveria e Kosovës nuk aprovon një strategji gjithëpërfshirëse të energjisë dhe nëse nuk merren parasysh mundësitë e zhvillimit të energjisë së ripërtërishme, atëherë përnjëmend do të mbesin një vend i pleshtave dhe Don Kishotëve.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP)