Për Mësuesit që S’na Rrahën

Në 17 vjetët e pasluftës dhe në dhjetë a më shumë vite para kësaj date, arsimi fillor, i mesëm e arsimi i lartë është shndërruar në projekt pa plan e pa tavan.

Kur më bie në mend koha sa kam ndenjur ulur në bankat e shkollës, më kujtohen mësuesit që na rrihnin. “Komandantë” që udhëhiqnin klasën, burra e gra të çuditshëm, me sjellje agresive e përçmuese, mbushin kujtimet e fëmijërisë. Udhëtimi i bukur në kohë merr fund aty ku nis vrazhdësia dhe ftohtësia e mësuesve të dhunshëm.

NDËRLIDHUR

Mbaj mend ulur skaj bankës, me dritaret që binin nga malet, të vegjël në sallën e madhe, para “komandantëve” që të rëndë e kishin gojën e dorën. Mësues që komandonin klasët, shpesh të mllefosur e shumë të gërditur nga zanati i vet, na e patën bërë shkollën fillore e edhe atë të mesme jo rrallë, një histori mizore e ironike. Histori, e cila nganjëherë ngjante në parodi të thartë të situatës politike që ndodhte jashtë mureve të shkollës.

Të shkuarën nuk mund ta zgjedhim siç zgjedhim një libër për të lexuar, shtëpinë për të banuar, apo çkado tjetër sipas qejfit. E jona histori e së shkuarës në shkollë, përveç se e bukur si kohë, ishte dhe ironike, mizore, e edhe groteske. Të shkuarën nuk mund ta zgjedhim, por mund të flasim e të qeshim me të, kur mblidhen nxënësit e dikurshëm, sot burra e gra me fëmijët që i çojnë në shkollë, në po ato shkolla, me të vjetrit e me të rinj mësues.

Megjithatë, mësimdhënësit tanë e kanë kryer vuajtjen e tyre, ne e kemi kryer tonën. Bota bën shumë hajgare me njëri-tjetrin dhe shumë rrallë thotë “po bëj hajgare”, e mësuesit tanë të dikurshëm, shumë prej tyre, patën bërë mjaft me ne.

Në ditë mësuesish më bie n’mend mungesa e butësisë, mungesa e etikës pedagogjike, mungesa e motivimit; përçmimi, mosbesimi dhe gërditja e tyre ndaj profesionit. Aq shumë mungesa nga profili i “komandantëve” të dikurshëm… Nganjëherë njeriu pyet, ku e kanë mbajtur fshehur motivimin për të cilin aq shumë flitet sot. Ku u mbeti etika pedagogjike për të cilën sot e përherë është folur shumë. Ku u mbeti besimi e butësia, për të cilën po ashtu flitet shpesh. Pa shkuar më tutje, për të pyetur se ku qenë fshehur të drejtat e nxënësve për të cilat sot flitet përditë….

Në ditë mësuesish më bien n’mend edhe të gjithë mësuesit që nuk na patën rrahur kurrë, as me dorë as me gojë. Ata ishin heronj. Nëse gjatë të 90-ve të gjithë mësimdhënësit e Kosovës kanë punuar në kushte të njëjta, sakrifica nuk arriti t’ua prekë as t’ua humbë etikën pedagogjike e ndjenjën njerëzore mësuesve paqësorë. Ata ishin heronj, e të tjerët e kishin humbur rrugën.

Anash mësuesve me thupër në dorë e gojën helm kemi pasur mësuesit e jashtëzakonshëm që vërtet të bënin ta doje shkollën. Siç ekzistojnë edhe sot, mësimdhënësit e të gjitha kategorive: të butë, të egër, të ngrohtë, të ftohtë, gojëmjaltë e gojëhelm. Por edhe sot, me pak ndryshime fizike e kozmetike, ushtrohet terror mbi nxënës. Dhe janë disa nga ata, mësuesit e shkollave të vjetra e të reja, që e vrasin motivimin, dijen dhe shpirtin e fëmijëve. Me gjasë, dëshira për nënshtrim e disa mësimdhënësve tanë është e gjithkohshme: mësimdhënie e re në kornizat e mësimit të vjetër; kohë e vjetër e ngjizur në kohën e re. Dhe kjo është më e dhimbshme e më e tmerrshme seç qe për ne dikur.

Nëse Kosova sot po e paguan haraçin e një sistemi të imponuar shkollor të viteve 90’të, ku shtëpitë ishin bërë shkolla me dhunë, ky çmim do të jetë shumëfish më i madh, kur nxënësit e sotëm do të kenë nesër një kujtesë të ngjashme me tonën.

Në 17 vjetët e pasluftës dhe në dhjetë a më shumë vite para kësaj date, arsimi fillor, i mesëm e arsimi i lartë është shndërruar në projekt pa plan e pa tavan, ndaj gjithkush është i lirë të bëjë çka t’i dojë qejfi. Mësues të dhunshëm e pa etikë ka edhe sot me bollëk. Mësues që mbushin boshllëqet e tyre. Ironike është megjithatë, se sot, më shumë se kurrë kësaj historie gërditëse mund t’i vihet kapaku, pa çka se as sot, plot të tillë s’kanë vullnet për të qenë vetëm mësues, pa qenë edhe dhunues. Ndaj, nganjëherë të vjen të qash me lotë, duke kujtuar një të shkuar, e cila po përsëritet.

Nëse shkollimi i brezit të ri është civilizimi dhe kultura e një populli, atëherë populli ynë i vogël do të prodhojë nxënës të vrarë, të pamotivuar e të gërditur nga historia e shkollës që kanë bërë.

Në ditën e mësuesve një falenderim për të gjithë mësuesit që nuk na rrahën kurrë, as me dorë, as me gojë. Dhe thirrje për mësuesit e rinj – të mësojnë të duan më shumë.

12 Mars 2017 - 11:33

Blerina Rogova-Gaxha 12/03/2017 - 11:33
NDËRVEPRIMI0

Për Mësuesit që S’na Rrahën

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend