Për Brukselin Kosova Nuk Është Shtet

Me një zell dhe mburrje të veçantë, pas vizitave të fundit në Bruksel e Beograd, zyrtarë të ndryshëm qeveritarë na thanë që marrëveshja me Serbinë më në fund po e hapë rrugën e Kosovës drejt BE-së. Na thanë që kjo marrëveshje do ta hapë rrugën edhe drejt njohjeve të reja nga vendet anëtare të BE-së. Dhe sidomos na thanë që tani Kosova dhe Serbia janë shndërruar në palë të barabarta në Bruksel.

“Për Brukselin jemi të barabartë. Për herë të parë në Bruksel, Kosova dhe Serbia trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha ministrja Vlora Çitaku në emisionin Rubikon, më 25 qershor 2013.

“Kosova po trajtohet nga të gjithë në mënyrë të barabartë dhe me një rol afirmativ për të ardhmen euro-atlantike të vetë Kosovës, por edhe me reflektime dhe kontribute edhe përtej Kosovës”, tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë më 3 korrik 2013.

Për fat të keq, asnjëra nga këto deklarata nuk qëndrojnë.

Barabartësia. Për Brukselin Serbia është shtet. Ndërsa Kosova nuk është shtet. Shumë thjeshtë. Si e tillë, as në bisedimet me Serbinë e as në ato me BE-në Kosova nuk është palë e barabartë.

Duhet që secili vend anëtar i BE-së ta njeh Kosovën si shtet, në mënyrë që edhe BE-ja ta njeh përfundimisht shtetësinë e Kosovës. Përderisa pesë vende anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, për BE-në Kosova mbetet entitet jo-shtetëror. 

Kjo do të thotë se Kosova nuk e ka të drejtën thelbësore që e definon të qenit Shtet Europian: mundësinë për të aplikuar për anëtarësimin eventual në BE. Artikulli 49 i traktatit të Europës thotë qartë: “Secili shtet europian…mund të aplikojë të bëhet anëtar i BE-së”. Sipas kësaj, vendet e Europës lindore si Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, kanë të drejtën të aplikojnë për anëtarësim në BE dhe kanë perspektivë më të qartë europiane se sa Kosova. Për Brukselin, Moldavia është e barabartë me Serbinë. Jo Kosova.

Hapja e rrugës drejt BE-së. Me nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë, Kosova e mori dritën e gjelbër për t’i nisur negociatat për Marrëveshjen Stabilizim Asocim (MSA). Kjo është patjetër arritje e mirë për Kosovën. Por nuk është ajo që Qeveria dëshiron ne ta besojmë.

I gjithë argumenti ligjor për t’i dhënë Kosovës mundësinë për ta negociuar MSA-në sillet rreth shembujve te vendeve tjera në botë që nuk njihen si shtete nga BE-ja por që kanë marrëdhënie kontraktuale me të. Studimi i fizibilitetit për MSAnë të vitit 2012 thotë: “Në të kaluarën BE-ja ka konkluduar disa marrëveshje ndërkombëtare me entitete që nuk janë shtete sovrane”, kështu që mund të bëhet edhe me Kosovën (*).

MSA-ja ka qenë gjithmonë hapi i parë në rrugëtimin e shteteve europiane drejt BE-së. Por për Kosovën, MSA-ja mund të mbetet edhe hapi i fundit. As hapja e negociatave për MSA-në dhe as konkludimi i saj eventual, nuk e garantojnë hapin tjetër, që Kosova të mund të aplikojë për anëtarësim në BE.

Njohjet e reja. Ministrja Çitaku gjatë të njëjtës intervistë tha se Greqia dhe Qipro janë shumë afër për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Disa javë më parë, zëvendësministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi tha që Sllovakia e Rumania janë duke treguar shenja se mund ta njohin Kosovën së shpejti.

E para, këto deklarata nuk janë të vërteta. Ministri i punëve të jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak tha në Beograd në qershor se Sllovakia nuk planifikon ta njoh Kosovën. Të njëjta kanë qenë deklaratat edhe nga tri shtetet tjera.

E dyta, edhe po të dilnin të vërteta ato deklarata, çka t’i bëjmë Spanjës? Ajo asnjë shenjë nuk e ka dhënë se mund ta ndryshojë qëndrimin e vet. Kur dihet se duhet vetëm një shtet anëtar i BE-së të mos e njoh shtetësinë e Kosovës që t’i pamundësohet BE-së njohja e shtetësisë.

Duke e filluar negocimin e MSA-së – kontratës së parë me BE-në – si entitet jo-shtetëror, po vuloset dhe formalizohet mos-njohja e shtetësisë së Kosovës nga BE-ja.

Gjithashtu, po largohet presioni mbi shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën për ta bërë atë. Në rekomandimet e Komisionit Europian për Këshillin e BE-së në prill 2013 konfirmohet që: “negocimi, si dhe nënshkrimi dhe konkludimi i ardhshëm i një marrëveshje të tillë, nuk mund të shihet si njohje e Kosovës si shtet, as nga BE-ja e as nga shtetet e saj anëtare. Në fakt, vlen të përmendet që Kosova nuk është në gjendje të anëtarësohet në shumë instrumente ndërkombëtare”.

Përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime kanë shkuar plotësisht të papërgatitur, si për Serbinë ashtu edhe për Brukselin. Kthehen në Prishtinë të kënaqur me pak gjë: një rrahje supesh apo një fjalë miradie nga zyrtarë të Brukselit. Keq-interpretojnë uljen në tavolinë të njëjtë me Kryeministrin Daçiq si barabartësi para Brukselit. Dhe kështu po na marrin në qafë.

I gjithë debati rreth bisedimeve me Serbinë ka qenë shumë jo-transparent dhe jo i sinqertë. Por nuk i ndihmon askujt keqinformimi i publikut për këtë proces.

E vërteta e trishtueshme është kjo: Kosova për Brukselin nuk është shtet. Nuk është e barabartë me Serbinë. BE-ja është në Kosovë (përmes EULEX-it, përmes zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian) por Kosova nuk do të jetë në BE. Dhe mos u gaboni të mendoni se Marrëveshja me Serbinë ka ndryshuar gjë në këtë drejtim.