Pentagoni Angazhon Persona të Zhytur në Skandale për Blerje të Armëve për Sirinë

Beteja e Pentagonit kundër ISIS-it mbështetet në një linjë furnizimi me armë të operuar, në disa raste, nga firmat dhe ekzekutivet e lidhura me mashtrim, ryshfet të jashtëm, krim të organizuar në Bullgari dhe vdekje të një kontraktuesi.

“Vetëm duhet të tregoheni më të mençur se qeveria”, i krenohej dileri i armëve Marc Morales një agjenti të fshehtë të FBI-së në vitin 2008. Ai po i shpjegonte se si kishte siguruar marrëveshje fitimprurëse të armëve nga jashtë duke u dhënë ndërmjetësuesve të ashtuquajturat komisione, përfshirë edhe vetura të blinduara.

NDËRLIDHUR

Pas goditjes, Morales u padit bashkë me 21 të tjerë për dhënie ryshfeti një zyrtari të huaj por gjykimi në Uashington DC u shkatërrua në vitin 2011 pasi një sërë kolegjesh të gjykatësve nuk arritën të marrin një vendim rreth rastit.

Sot, firma e tij e re, Global Ordnance, është një nga lojtarët më të rëndësishëm në linjën e furnizimit të Pentagonit për armatosjen e rebelëve sirianë që po luftojnë kundër ISIS-it.

Ai dhe 13 kontraktues të tjerë amerikanë po garojnë për të siguruar hise në armët dhe municionet e llojit sovjetik prej 2.2 miliardë dollarëve amerikanë që pritet të dërgohen te rebelët deri në vitin 2022, të blera kryesisht nga kompanitë shtetërore të prodhimit të armëve në Ballkan dhe Europën Lindore dhe shpesh të negociuara përgjatë pijeve dhe darkave në restoranet dhe baret e Beogradit, Budapestit dhe Bukureshtit [shih galerinë në Facebook].

Firmat janë selektuar, verifikuar dhe kontraktuar nëpërmjet dy kanaleve: Picatinny Arsenal, një bazë ushtarake në Nju Xhërsi, dhe Komanda e Operacioneve Speciale e Pentagonit, SOCOM.

Por Morales nuk është i vetmi që është përballur apo po përballet me pikëpyetje rreth të kaluarës së tij, sipas një hulumtimi të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, dhe Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP.

Zyrtarë të lartë nga dy kontraktues të tjerë- Vose Technical Services dhe Purple Shovel- si dhe një nën-kontraktues i madh, Regulus Global, janë akuzuar për mashtrim, duke ofruar municione të rrezikshme që shpërthyen duke shkaktuar vdekjen e një instruktori të SOCOM si dhe për ryshfet.

Dokumentet e rrjedhura për ngarkesa ajrore gjithashtu zbulojnë se SOCOM kishte pranuar dërgesa të drejtpërdrejta nga një firmë bullgare Algans, e cila ishte hetuar për përfshirje në shpërthimin vdekjeprurës dhe pronar i të cilës është partneri biznesor i një figure famëkeqe të krimit të organizuar. Një pjesë e dërgesës është pranuar nga Pentagoni pas shpërthimit fatal.

Marc Morales postoi fotografi më 29 janar 2015 duke testuar armët e fabrikës “Zastava” të Kragujevcit. “Një tjetër ditë në punë”, shtoi ai.

Edhe Henrik Thomet, një biznesmen në qendër të një skandali që përfshinte furnizimin e Pentagonin me armë nga Shqipëria në Afganistan në vitin 2008, është sërish i përfshirë për t’i ofruar qeverisë amerikane municione përmes një prej kontraktuesve të njohur, gjigandit britanik të mbrojtjes Chemring.

Gjetjet ngritin pyetje rreth procesit të verifikimit të Pentagonit, sipas një eksperti të intervistuar nga BIRN dhe OCCRP.

Por, përderisa Pentagoni mund të vendosë t’i përjashtojë kompanitë nga gara për kontrata bazuar në dënimet e mëparshme dhe, në disa rrethana, për shkak të dyshimeve për keqbërje, ai nuk i obliguar ta bëjë këtë.

Megjithatë, ai pranoi se “gabimet janë ende të mundshme”, duke shtuar se procesi i verifikimit nuk përfshin në mënyrë rutinore kontrollin e rekordeve penale të drejtuesve të kompanive.

“Ata [kontraktuesit] duhet t’i ndjekin rregullat në punësimin e njerëzve të cilët janë të pranueshëm”, tha ai.

Pagesa e ‘Komisionit’

Në vitin 2010, Morales ishte në mesin e 22 drejtuesve të armatimit të akuzuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për përpjekje për ta korruptuar Ministrinë e Mbrojtjes së Gabonit për ta siguruar një kontratë 15 milionë dollarëshe për armë. Marrëveshja me Gabonin, në fakt, ishte punë e një trillimi e FBI-së e vënë për ta çrrënjosur ryshfetin e zyrtarëve të huaj në industrinë e armatimit.

Dy agjentë të fshehtë të FBI-së u paraqitën si zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Gabonit dhe i shpjeguan Moralesit dhe partnerit të tij, John Gregory Godsey, se do ta ngrisnin çmimin për 20 përqind dhe e quajtën atë “komision”. Gjysma e kësaj shumë do të duhej të shkonte për ministrin e Mbrojtjes ndërsa gjysma tjetër thuhej se do të ndahej mes ndërmjetësuesve, sipas dosjeve të gjykatës.

Më 16 dhjetor 2015, Global Ordnance shpërndau një artikull nga sajti serb B92 që raportonte për transportin e armëve nga Nishi në jug të Serbisë, drejt bazës ushtarake Ramstein në Gjermani me anë të avionëve C-17 të ushtrisë amerikane. Global Ordnance postoi: “Të lumtur që Global Ordnance mund të kontribuojë në mbështetjen e ushtrisë tonë!”

“Nëse dikush më thotë se i duhen 20 përqind… unë… [them] se a ma garanton biznesin ky 20 përqindësh?”, Morales ishte incizuar duke u thënë agjentëve në një restoran të paemërtuar në Majami në vitin 2008, para se t’i bëhej propozimi. “Askush nuk dëshiron ta shkelë FCPA-në [Aktin e Praktikave të Korruptimit të Jashtëm]… por çdokush e di se kjo ndodh”.

Gjatë takimeve, Morales shpjegonte mënyra “kreative” me të cilat ai më parë kishte paguar “komisione” për agjentët e huaj për të siguruar marrëveshje për armë, siç ishte ajo e arsyetimit të dhuratës së një veture të blinduar 100 mijë dollarëshe për një ndërmjetës egjiptian në llogari të biznesit.

“Dua të them, ishte një veturë 100 mijë dollarëshe. Kjo është një mënyrë kreative e pagesës për një tarifë”, mburrej Morales.

Pasi mësoi se kishte fituar kontratën e parë për të prokuruar 30 mijë rrathë municioni nga Gaboni, Morales dhe partneri i tij Godsey ia dhanë “komisionin” agjentit të fshehtë të FBI-së.

Edhe 21 dilerë të tjerë u pajtuan që të paguajnë “komisione”. Ky ishte rasti më i madh ndonjëherë i këtij lloji.

Tre dilerë- Jonathan Spiller, Haim Geri dhe Daniel Alvirez- pranuan fajësinë për dhënie ryshfeti ndaj një zyrtari të huaj, përderisa 19 të akuzuar të tjerë mohuan akuzat, duke thënë se “komisioni” nuk ishte e njëjta gjë sikur “ryshfeti”.

Në shkurt të vitit 2012, ndaj 22 të akuzuarve u tërhoqën akuzat pasi gjykatësit dështuan ta arrinin një verdikt ndaj 7 të akuzuarve- përfshirë edhe Morales- në dy procese të ndara gjyqësore. Tre të akuzuar- Godsey, Stephen Giordanella dhe Partick Caldwell- u shpallën të pafajshëm ndërsa gjykimi ndaj 9të tjerëve as që filloi ndonjëherë.

Departamenti Amerikani Mbrojtjes ndërmori një hap të pazakontë të tërheqjes së të gjitha akuzave për shkak të kritikave nga gjykatësi në gjykimin e dytë, i cili vërejti “mangësi strukturore” në çështje.

Morales e themeloi kompaninë Global Ordnance në vitin 2013, pas mbylljes së gjykimit për ryshfet. Kompania e re e tij siguroi afër 72 milionë dollarë municione si pjesë e kontratës së SOCOM për mbështetjen me armë të rebelëve sirianë, përfshirë armë automatike, rrathë mortajash dhe armë e municione tjera kryesisht nga prodhuesit shtetërore të armëve në Serbi e Bullgari.

Dhe lidhjet e tij me linjën e furnizimit me armë të Pentagonit për Siri janë më të gjera se vetëm kontrata e SOCOM. Firma me seli në Florida ka qenë gjithashtu duke punuar me gjigandin britanik të ushtrisë Chemring, një nga dy firmat që kanë siguruar kontratat më të mëdha të Pentagonit për municionet e bllokut lindor në vlerë prej 750 milionë dollarë brenda pesë viteve të nënshkruar në prill 2016 për furnizim me municione për Sirinë.

Kontrata drejtohet përmes Picatinny Arsenal në Nju Xhërsi, e cila së voni ka shpërblyer Global Ordnance me kontratë dhe e ka përzgjedhur atë në mesin e tri firmave tjera- përfshirë edhe Chemring- për të konkurruar për furnizim të një shume shtesë prej 500 milionë dollarë me armë nga blloku lindor deri në gusht të vitit 2022.

Marc Morales postoi fotografi më 29 janar 2015 duke testuar armët e fabrikës “Zastava” të Kragujevcit. “Një tjetër ditë në punë”, shtoi ai.

I pyetur nëse ishin të shqetësuar që duhet të punojnë me Morales marrë parasysh incizimet në përgjimet e FBI-së, një zëdhënës i Chemring tha: “Kompanitë e Chemring Group aplikojnë politika strikte të shitjes së mallrave dhe kundër ryshfetit të cilat sigurojnë se ne i përmbahemi në plotëni legjislacionit relevant”.

I kontaktuar përmes telefonit të tij mobil, Morales refuzoi të përgjigjet në pyetje.

Mashtrimi me helikopterin rus

Vose Technical Systems nga Tacoma në shtetin amerikan të Uashingtonit ka siguruar marrëveshje nga SOCOM në vlerë 16 milionë dollarë që nga fillimi i programit amerikan për pajisje dhe trajnim për Siri, duke blerë armë dhe municione nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kompania drejtohet nga Greg Vose, një veteran në tregti të armëve, dhe motra e tij Deborah, e cila është presidente e firmës. Kjo e kualifikon Vose Technical Systems si biznes i drejtuar nga një grua, duke i dhënë trajtim preferencial nën rregullat e prokurimit të Pentagonit.

Një nga drejtuesit e kësaj firme, Jefrey Howard Stayton, ka qenë i dënuar me 5 vjet burg në vitin 2008 për mashtrim dhe pengim të drejtësisë. Në vitin 20122, dënimi për mashtrim u rrëzua dhe rasti shkoi në rigjykim pasi që u vendos se gjykatësi e kishte keqorientuar kolegjin e gjykatësve. Rigjykimi ndaj tij nuk ka ndodhur asnjëherë “për shkak të vjetërsisë së rastit”, shpjegoi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Dokumentet e gjykatës zbulojnë se Stayton, atëherë i punësuar në Pentagon, ndihmoi në dhënien e një kontrate 4.7 milionë dollarëshe për furnizim dhe riparim të helikopterëve rusë për një kompani të drejtuar nga miku i tij për një kohë të gjatë, William Curtis Childree. Stayton miratoi pagesën përfundimtare për kompaninë edhe pse ajo nuk e kishte përfunduar punën tërësisht. Për pasojë, Childree i kishte dhënë 61 mijë dollarë Staytonit.

Stayton nuk e kishte zbuluar pagesën dhe tha se ajo ishte një hua nga një mik për ta paguar pjesën e dytë të kredisë përshtëpi.

Greg Vose tha se Stayton tani punon për një kompani simotër dhe nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në kontratat e SOCOM.

Stayton ishte drejtor për aviacion në Vose Technical Systems në firmën kur ai siguroi marrëveshjet e SOCOM. Në qershor 2016, sipas profilit të tij në LinkedIn, ai u transferua në firmën e re simotër të sapothemeluar, VTS Aviation LLC.

Shpërthimi vdekjeprurës dhe krimi i organizuar

Një nga kontraktuesit më të suksesshëm dhe më kontroversë për programin për pajisje dhe trajnim në Siri është kompania me seli në Virxhinia, Purple Shovel, e cila kishte vetëm 1.9 milionë dollarë qarkullim vjetor para se ta merrte kontratën e parë të madhe me SOCOM, në vlerë prej 28 milionë dollarë, në dhjetor të vitit 2014. Që nga atëherë, vlera e kontratave të saj me SOCOM është më shumë se dyfish më e madhe.

Në dhjetor 2014, kompania ishte angazhuar nga SOCOM për të ofruar trajnim dhe armatim për rebelët sirianë, përfshirë edhe raketa-hedhës, RGP, lansues dhe armë anti-tank.

Purple Shovel angazhoi dy kompani tjera, Regulus Global dhe Skybridge Tactical, për ta ndihmuar në kryerjen e punëve. Presidenti i Regulus Global, Lee Tolleson, ishte në mesin e 22 zyrtarëve të lartë të akuzuar për ryshfet në rastin e dështuar të Gabonit.

Kur ai u arrestua si pjesë e operaconit të FBI-së, Lee Tolleson u tha zyrtarëve se “ai e kuptoi se Minisitria e Mbrojtjes […], dhe familja e tij do të merrnin komision” dhe se “kur u përdor termi ‘komision’ ai nënkuptonte se dikush duhet paguar”. Tolleson u deklarua i pafajshëm dhe gjykata dështoi ta marrë një verdikt në rastin e tij. Ai nuk u përgjigj në kërkesat për koment nga BIRN dhe OCCRP.

Firma në të cilën Tolleson tash është President, Regulus Global- krahas Purple Shovel dhe Skybridge Tactical- po akuzohet për një shpërthim vdekjeprurës që ndodhi në vitin 2015 në një qendër testuese të armëve në Bullgari, i cili la të vdekur instruktorin Francis Norvillo, një veteran i ushtrisë amerikane, dhe dy të tjerë të plagosur. Ata ishin në Bullgari për t’i përgatitur për trajnim rebelët sirianë.

E veja e Norvollis dhe dy kolegët e tij të plagosur pretendojnë se firma ofroi granata-hedhës të vjetër 30 vjeç për testim pavarësisht se e dinte se granata të njëjta ishin refuzuar më parë nga qeveria amerikane si “defektive, jostabile dhe të rrezikshme”, sipas dokumenteve të gjykatës.

Gjatë gjykimit, Purple Shovel mohoi përgjegjësinë, duke thënë se eksplodimi ndodhi gjatë një qitjeje rekreacionale, një qëndrim i marrë edhe nga SOCOM. Skybridge Tactical tha se shpërthimi ndodhi gjatë një trajnimi zyrtar dhe se viktimat duhet të marrin kompensim nga qeveria amerikane. Regulus Global thotë se pretendimet nuk kanë substancë.

Purple Shovel insistoi në një deklaratë se ishte e kualifikuar mirë për ta bërë punën dhe edhe pse nuk ishte përgjegjëse për aksidentin vdekjeprurës, ajo ka ndihmuar në riatdhesimin e të lënduarve dhe të të vdekurit. Gjykimi po vazhdon. Skybridge Tactical nuk u përgjigj në kërkesat për koment.

Si pjesë e kontratës, Regulus Global ia delegoi disa punë firmës me seli në Sofje, Alguns Ltd. Pronari i firmës, Alexander Dimitrov, është një ish partner biznesi i figurës bullgare të krimit të organizuar Boyan Petrakiev, i njohur si “Baroni’, i cili ka qenë i dënuar për një sërë veprash dhe është përshkruar nga policia si “një figurë e fortë e botës kriminale”.

Më parë Dimitrov ka mohuar lidhjet e tij me Baronin duke thënë se firma të cilën ata e themeluan bashkë në vitin 2004, Sib Metal, nuk ishte asnjëherë aktive.

Më 29 janar 2015, Marc Morales nga Global Ordnance postoi një fotografi nga restorani Krcma në Kragujevc të Serbisë. Në fotografi janë edhe zyrtarët nga fabrika shtetërore e armëve “Zastava”, prodhuesi i versionit serb të kalashnikovëve dhe armës së rëndë automatike Coyote, të hasur shpesh në luftën e Sirisë. Zyrtarët nga Yugoimport, kompania shtetërore për tregti të armëve, gjithashtu janë të pranishëm.

Alguns e pranon se ka organizuar trajnime me Pentagonin për Purple Shovel dhe Regulus Global në ditët kur ndodhi sesioni fatal, por mohon përfshirjen në këtë tragjedi. Firma fillimisht u gjobit me 62,500 euro nga Ministria e Ekonomisë e Bullgarisë pasi që kishte dështuar të ofrojë dokumente të duhura për trajnim në ditën e shpërthimit, por kishte dalë e pafajshme në apel pasi që ishte vlerësuar se ministria kishte paraqitur dëshmi të pamjaftueshme.

SOCOM tha në një deklaratë se shpërthimi nuk ka ndodhur gjatë trajnimit zyrtar dhe se kontraktuesit e saj nuk ishin të implikuar në të. Ata refuzuan të flasin për rolin e Alguns në linjën e furnizimit për Sirinë, duke i thënë BIRN-it dhe OCCRP-së se nuk mund të japin informacione për nën-kontraktues dhe se pyetjet duhet t’i parashtrohen drejtpërdrejt firmës.

Por dokumentet e lidhura me kompaninë ajrore të Azerbajxhanit, Silk Way, të rrjedhura online në qershor, zbulojnë se Alguns kishte lidhje të drejtpërdrejta e SOCOM.

Dokumentet e transportit ajror të mallrave tregojnë se ajo ishte përfshirë në 6 dërgesa të granata-hedhësve nga aeroplanët e gjigandit bullgar Ilyushin-76 drejt bazave turke në Incirlik në majtë vitit 2015. Purple Shovel është shënuar si dërgues në dërgesën e parë ndërsa Alguns është listuar në këtë rol në dy të tjerat.

Alguns kishte bërë tri dërgesa tjera në mars të vitit 2016 në Incirlik dhe në një bazë tjetër të NATO-s në Konya të Turqisë, pavarësisht lidhjeve të firmave me seli në Sofje në shpërthimin vdekjeprurës. Asnjë kontraktues i madh amerikan nuk është shënuar në këto dokumente të transportit.

Kujdesi i duhur

Henrik Thomet, një nga njerëzit në qendër të një skandali që e goditi Pentagonin dhe qeverinë shqiptare në vitin 2008, sërish po e furnizon qeverinë amerikane, kanë zbuluar BIRN dhe OCCRP.

Kontratat e mëvonshme lidhen me pajisjen e ushtrisë afgane nga Uashingtoni, por megjithatë ngritin pikëpyetje rreth verifikimit të kontraktuesve, sidomos meqë Pentagoni po përpëlitet për më shumë municione për rebelët sirianë.

Emri i Thomet, edhe pse asnjëherë i akuzuar për vepra penale, është gjetur te dokumentet e prokurorisë dhe një raport i Kongresit si ndërmjetës kryesor në aferën e Shqipërisë e cila më vonë inspiroi Hollivudin për filmin “War Dogs”.

Filmi ishte i bazuar në një ngjarje afërsisht të vërtetë se si një firmë e vogël nga Majami e drejtuar nga një 22 vjeçar mori kontrata të mëdha në vitin 2006 për ta furnizuar Pentagonin me municion për operacionet e veta në Afganistan.

Kontrata përfundoi në gjyq pasi doli se ai pronar, Efraim Diveroli, kishte furnizuar plumba të prodhimit kinez pasi i kishte ripaketuar në Shqipëri. Municionet kineze kanë qenë nën sanksione nga SHBA-të që nga shtypja e protestave pro-demokratike në Kinë në vitin 1989 në sheshin Tienanmen në Pekin. Diveroli është dënuar me 4 vjet burg për mashtrim në vitin 2011 nga një gjykatë në Florida.

Thomet veproi si ndërmjetës ndërmjet Diverolit dhe zyrtarëve shqiptarë dhe ishte në listën e vëzhgimit të “trafikuesve të armëve” nga ana e CIA-s në kohën e marrëveshjes, sipas raportit të Kongresit. Ai tani është aksionari kryesor i një fabrike në Mal të Zi të quajtur Tara Aerospace and Defense Products, me seli në Mojkovac, në veri të Malit të Zi. Arsyeja e përfshirjes së Thomet në listën e CIA-s ishte e klasifikuar dhe nuk është përmendur në raport.

Pas skandalit, Pentagoni premtoi se do t’i ashpërsojë procedurat dhe puna e blerjeve të pajisjeve nga blloku lindor i ishte dhënë kryesisht Picatinny Arsenal e cila e orienton shumicën e bizneseve të veta përmes dy firmave të mëdha me përvojë, Chemring dhe Orbital ATK.

Por një certifikatë e përdoruesit të fundit dhe materiali i dërgesave i analizuar nga reporterët tregon shumë dërgesa të prodhimeve ushtarake të helikopterëve të tipit sovjetik në 2016 dhe 2017 nga fabrika malazeze e Thomet drejt ushtrisë afgane nëpërmjet Picatinny Arsenal dhe Chemring të Pentagonit. Chemring, Pentagoni dhe Thomet refuzuan të komentojnë.

Një burim që punon në zinxhirin e furnizimit për Sirinë u tha reporterëve se ka pasur disa paralele në gërvishtjen për municione për Sirinë me skandalin e War Dogs.

Më 22 prill 2016, kjo fotografi ishte postuar në faqen e Global Ordnance në Facebook të Vladimir Ossenov, ish- diplomat në ambasadën bullgare në Uashington dh përfaqësues i dy kontraktuesve amerikanë, Global Ordnance dhe Chemring, që të dy furnizues të Pentagonit me armë të tipit sovjetik. Ossenov po nderohej me një pllakë dhe letër mirënjohjeje nga dy kompanitë për VMZ, prodhuesin shtetëror bullgar të municionit të artilerisë, raketave dhe RPG-ve.

“Duket se mësimet e nxjerra nga War Dogs nuk shërbyen si rrëfim paralajmërues por dëshmuan të jenë një projekt”, tha ai duke iu referuar blerjes së armëve të cilën ai e përshkroi të ketë qenë “kaotike”.

Ekspertët gjithashtu thonë se gjetjet nga BIRN dhe OCCRP hedhin dyshime në pretendimet e Pentagonit se e ka shtrënguar linjën e furnizimit me armë.

“Vetë tregtia me armë është gjerësisht e korruptuar dhe gjerësisht e korruptueshme”, tha Jeff Abramson, kreu i Forumit për Tregti me Armë me seli në Uashington, një rrjet që monitoron të gjitha aspektet e biznesit të armëve.

“SHBA kanë sistemin e duhur [për t’i parandaluar marrëveshjet] me ato karaktere të dyshimta por kjo thjesht nuk ka ndodhur”, tha ai. “Dëshira për ta kryer shitjen dhe për të çuar diçka në zonë mund ta mbizotërojë peshën e kujdesit të duhur që është i nevojshëm”.

Firma të vogla, kontrata të mëdha

Analiza e firmave të kontraktuara të SOCOM tregon se shumica janë të klasifikuara si biznese të vogla, përderisa gjysma e tyre janë në pronësi të veteranëve ose veteranëve të paaftë për shërbim, që u jep atyre prioritet në marrjen e kontratave në SHBA.

Dy prej tyre- Purple Shovel dhe Sierra Four- kanë siguruar kontrata me më shumë se 5 milionë dollarë për ta furnizuar Pentagonin me municione para vitit 2015 dhe shtatë tjera- Blane International, Global Ordnance, Multinational Defense Services, Purple SHovel, Sierra Four Industries,Trident Rifles dhe UDC USA- kishin personel prej gjashtë apo më pak vetave si dhe qarkullim prej më pak se 4 milionë dollarë para se të fillojnë të sigurojnë marrëveshje shumëmilionëshe për armë, sipas dokumenteve të prokurimit.

Vetëm Blane International dhe Purple Shovel u përgjigjën në kërkesat me shkrim për komente. Purple SHovel tha se ka aftësi dhe përvojë për ta bërë këtë punë, ndërsa Blane International tha se nuk ka çka të komentojë.

Hulumtimi është marrë nga Balkan Insight.

Mortajat e Serbisë në Duart e Milicias së Ndaluar Kurde

 

18 Shtator 2017 - 10:04

Ivan Angelovski, Lawrence Marzouk dhe Roberto Capocelli 18/09/2017 - 10:04
NDËRVEPRIMI0