Peci Nuk Sqaron Mosmarrëveshjen Me Thaçin

Peci tha para Komisionit për punë të jashtme se deklarimet e kryeministrit Thaci në takimin spontan  në mbrëmjen e së hënës së 17 qershorit në një restorant në Prishtinë, pikërisht në ditën kur zyrtarisht filloi punën në Begorad, e shtynë të marrë vendim për dorëheqje.

Kryetari i komisionit, Albin Kurti ndër tjera kërkoi nga Peci që të tregojë se çfarë saktësisht i kishte thënë kryeministri Thaçi.

Por Peci nuk dha detaje rreth asaj se çfarë i tha kryeministri në atë takim.
 
Ai përsëriti kritikën që kishte marrë gjatë takimit nga kryeministri në lidhje me deklaratën e tij se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Beogradin nënkupton njohjen nga Republika e Serbisë.

Para komisionit të mërkurën Peci tha se gjithashtu ishte kritikuar nga kryeministri Thaçi po atë ditë kur zyrtarisht filloi punën në Beograd.

“ Po ashtu jam kritikuar pse nuk jam në Beograd nga kryeministri Thaçi, por kjo nuk është arsyeja pse kam dhënë dorëheqje” tha ai.

Të pranishëm me kryeministrin atë mbrëmje sipas Pecit, ishin edhe ministrat Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci, derisa ai vetë kishte shkuar paraprakisht me një mik të tij për të pirë kafe në po të njëjtin vend.

Ai tha se kishte shkuar te tavolina e kryeministrit për ta përshëndetur, por nuk ishte ulur në tavolinën e tyre.

“Në atë moment nuk e kam pasur të qartë se në çfarë terreni politik jam duke punuar”  tha Peci.

Peci i tha komisionit se nuk ka mbajtur asnjë takim të paautorizuar me asnjë përfaqësues serb.

Po ashtu ai tha se asnjëherë nuk ishte kritikuar puna e tij gjatë kohës sa ishte pjesë e misonit diplomatik të Kosovës.

“Unë kurrë nuk kam pranuar asnjë vërejtje me shkrim nga ministri Hoxhaj. Kurrë”, tha para komisionit Peci.

Kurse komunikata e MPJ-së e lëshuar më 19 qershor, pas dorëheqjes së tij, sipas Pecit e ka dëmtuar rëndë imazhin e diplomacisë kosovare.

“‘Më lejoni të shprehë mendimin tim se kjo komunikatë e ka dëmtuar rëndë imazhin e politikës së jashtme dhe shërbimit diplomatik të Kosovës”

“Nuk jam personi i parë në Kosovë ndaj të cilit bëhen përpjekje të tilla për denigrim të personalitetit dhe punës” tha ai.

Në komunikatë ndër tjera thuhej se “i kemi kuptuar lëshimet e tij [Pecit] për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë.”

“Shpresoj se MPJ-ja do të jep përgjegjësi si poltike ashtu edhe morale për dëmin që i ka shkaktuar vendit tonë” tha të mërkurën para komisionit Peci.

Me kërkesë të kryetarit të komisionit Albin Kurtit,  Peci sqaroi pozitën e tij ligjore duke thënë se është emëruar shef i Misionit të Posaçëm Ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe se njëkohësisht ishte edhe zyrtar ndërlidhës.

“Përsa i përket pozicionit ligjor timit në Beograd të zyrtarit ndërlidhës apo të shefit ndërlidhës në Beograd, [ai] është tri partit. Për Republikën e Kosovës është shef i Misionit të Posaçëm Ndërlidhës,” tha ai duke shtuar se këtë e mundëson edhe vetë marrëveshja.

Ai shtoi se për Brukselin ishte zyrtar ndërlidhës i Kosovës, ose i Prishtinës në Beograd, ndërsa për Beogradin zyrtar ndërlidhës i Prishtinës atje.

Marrëveshja për zyrtarët ndërlidhës sipas Pecit më shumë bazohet në terminologjinë e kryeqyteteve, sesa në ato të vendeve.

Ai tha se misionet e posaçme mund të aplikohen edhe në vendet të cilat nuk e njohin njëra tjetrën. “Pikërisht për shkak të kësaj klauzole është apliku çështja e misionit të posaçëm e cili bazohet në konventën për misionet speciale të vitin 1963” tha Peci.

Propozimin për emërimin e tij në Beograd Peci tha se e kishte marrë në janar të viti 2013 nga ministri Hoxhaj duke potencuar se posti i marrë nuk ishte dëshirë e tij.

“Posti në Beograd nuk ka qenë dëshirë e imja por kërkesë e MPJ-së së cilës i jam përgjigjur me përkushtim”.

Ai tha se ministri i kishte kërkuar që ta pranojë detyrën për një vit, ashtu që “ta shkrijmë akullin me Serbisë dhe pastaj mund të kaloni në pozicion tjetër” tha t’i ketë thënë Hoxhaj.

Peci i tha komisionit se nuk kishte pranuar kurrfarë liste qëndrimesh që do të duhej të mbante në Beograd.

“Po ashtu as me gojë nuk më janë dhënë kurrfarë qëndrimesh që duhet mbajtur në Beograd”.

Anëtari i Komisionit Sabri Hamiti (LDK) kritikoi sjelljen institucionale të kryeministrit, ministrit Hoxhaj dhe vetë Pecit.

Hamiti e quajti “moskuptim” ngjarjen që rezultoi me dorëheqje të Pecit.

“Unë po e quaj moskuptim mes jush dhe atyre që ju kanë dekretuar dhe të cilëve ju përgjigjeni për punën që e bëni institucionalisht” tha Hamiti.

 Hamiti kritikoi komunikimin publik të Pecit dhe ministrit të jashtëm.

Anëtari i Komisionit Enis Kervan (grupi 6+)  raportimin e detajuar e quajti të panevojshëm të bëhet nga Peci, ndërsa shtoi se ambasadorët duhet të raportojnë para komisionit.

“..Ne si komison e kemi të detyruar të shikojmë edhe zbatimin e ligjit të shërbimit diplomatik” tha deputeti Kervan.

 Gjatë raportimit të tij Peci shpjegoi se nuk mund ta dijë nëse është prishur imazhi diplomatik i vendit me dorëheqjen e tij të shpejtë, por ai tha se një gjë të tillë e ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme me komunikatën që e ka dhënë që sipas tij denigron personalitetin e tij.