PDK-së i Përçahen Vëzhguesit në QNR

Largimi i një vëzhguesi të PDK-së nga procesi i numërimit të fletëvotimeve me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është kritikuar nga kolegët e tij që gjenden në këtë qendër duke vëzhguar procesin e numërimit.

Ramiz Canolli vëzhgues nga PDK tha se ai nuk e ka braktisur dhe nuk e ka ndërmend ta braktis procesin e numërimit në QNR.

“Ne duhet ta dimë rolin e vëzhguesit. Nëse shohim parregullsi, kemi të drejtë të bëjmë ankesë lidhur me problemet që ne i vërejmë”, tha Canolli.

Kurse Shqiprim Begolli, një vëzhgues tjetër nga PDK, tha t’i ketë thënë Florim Javorit që të mos e braktisë procesin e numërimit.

“Por ai krye në vete e braktisi procesin e numërimit”, tha Begolli.

Procesi i numërimit u ndërpre paasi që vëzhguesit kishin pretenduar se një numër fletëvotimesh për Listën Serbe, të formatit A3, ishin plotësuar nga e njëjta dorë.

Për këtë çështje, vëzhguesit e të gjitha partive politike, përfshirë edhe Florim Javorin e PDK-së, i kanë dërguar një letër KQZ’së, me të cilën e njoftojnë për vendimin e marrë për braktisjen e procesit të numërimit.

“Gjatë numërimit të votave nga diaspora janë vërejtur parregullsi te fletëvotimet për subjektin Lista Srpska. Të gjitha fletëvotimet janë të formatit A3, të fotokopjuara nga i njëjti stilolaps. Janë identike dhe vërehet se janë plotësuar nga një person”, thuhet në këtë letër.

Vëzhguesit kërkuan nga PZAP dhe organet e rendit që të fillojnë hetimet ndërsa u shprehën “të vendosur” të mos i rikthehen procesit të vëzhgimit pa u bërë verifikimet e duhura nga organet e drejtësisë.

14:51

Ndërpritet Procesi i Numërimit të Fletëvotimeve me Postë

Ismet Mulaj, vëzhgues nga AKR, tha për KALXXO.com se bëhet fjalë për një fletëvotim i fotokopjuar ku shihet se një person i vetëm ka votuar për shumicën e votuesve dhe për kandidatë të njëjtë.

Sipas Mulajt, në shumicën e fletëvotimeve që kanë dalë nga ajo kuti, kanë qenë të rrumbullakësuar kandidatët me numër 5 (Velimir Rakiq), 14 (Bojan Mitiq), 39 (Slavko Simiq), 44 (Milka Vuletiq) dhe 47 (Milena Miliqeviq).

Kurse Marigona Drevinja nga VV tha bojkotimi i procesit të numërimit ka ardhur pas konsultimeve me përfaqësuesit nga të gjitha partitë politike të pranishme në Qendrën e Nuëmrimit dhe Rezultateve

“Votimi ka ndodhur nga e njëjta dorë ne vendosëm për ta ndërprerë procesin. Ne do të bëjmë ankesë dhe presim interpretim ligjor”, tha Drevinja.

“Ato fletëvotime duhet të verifikohen nga prokuroria pastaj të rifillojë numërimi”, u shpreh ajo.

Ndërsa koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, tha për KALLXO.com se se fletëvotimet mund të shkarkohen përmes internetit dhe nuk kanë numër rendor.

Ai u shpreh kundër bllokimit të procesit të numërimit, përderisa u sugjeroi përfaqësuesve të partive politike që të drejtohen në panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vend se ta bllokojnë numërimin.

“Vëzhguesit e partive politike mund të bëjnë ankesë në PZAP, e cila më pas fillon procedurën e shqyrtimit të ankesës. Është mirë që ata të ankohen në PZAP dhe të mos e bllokojnë procesin e numërimit”, u shpreh Burim Ahmetaj.

Procesi i numërimit, deri në gjetjen e një zgjidhjeje, është ndërprerë.

“Neve nuk na mbetet tjetër pos t’i fusim fletëvotimet në kuti në mënyrë që ta dimë se ku kemi mbetur”.

Deri në ndërprerjen e procesit të numërimit, janë numëruar 2886 nga 10.698 fletëvotimet e ardhura përmes postës.