PD-ja në Kërkim të Pasardhësit të Berishës

Berisha mori përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit dhe shpalli dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike në një fjalim të mërkurën e kaluar, pas fitores së socialistëve.

Kryeministri në ikje kontrolloi partinë me dorë të hekurt që nga themelimi i saj në vitin 1991 dhe dorëheqja e tij hap një kapitull të ri për demokratët që tash janë në opozitë.

Pas dorëheqjes së Berishës, një numër i figurave të larta të Partisë Demokratike thanë se nuk do të marrin pjesë në garën për të parin e partisë.

Kryesuesja e Kuvendit dhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli ishte e para që njoftoi se nuk e dëshiron kreun e partisë.

 “Nuk do të garoj për kreun e Partisë Demokratike, pasi kjo gjë nuk është pjesë e ambicieve të mia”, tha ajo javën  e kaluar.

Ministri i Financave Ridvan Bode dhe kreu i Grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi gjithashtu tërhoqën emrat e tyre nga gara.

 “Kam punuar që 16 vjet si sekretar i përgjithshëm i partisë dhe do të vazhdoj të punoj për forcimin  e lidershipit të ri”, tha Bode.

Patozi mori pjesën e tij të përgjegjësisë për humbjen në zgjedhje, duke argumentuar që faji nuk është i gjithi i Berishës.

 “Në përpjekjen për  t’u rikthyer, Partisë Demokratike i duhet garë e fortë dhe fer [ për kreun  e saj]”, tha Patozi.

 “Personalizimi i përgjegjësisë për humbjen zgjedhore është i tepërt, pasi për të nuk është vetëm faji i Berishës. Edhe unë jam pjesë e tij [fajit]”, tha deputeti Patozi.

Berisha pritet të mbajë kreun e demokratëve deri në shtator dhe të organizojë garën për liderin e ri të partisë, ku për herë të parë anëtarët e thjeshtë të partisë do të zgjedhin udhëheqësin e ri.

Me zyrtarët e lartë që tërhoqën emrat e tyre, gara pritet të zhvillohet mes kryetarit të Tiranës Lulzim Bashës dhe ministrit të Transportit Sokol Oldashit.

Të dy Oldashi dhe Basha thanë se është shumë herët të diskutojnë ofertën  e mundshme për lider, sidoqoftë komentuesit lokalë tashmë e shohin Bashën në krye.

Kryebashkiaku i Tiranës perceptohet të jetë i afërt me familjen e Berishës dhe rrethin e tij dhe është përfolur se është zgjedhur si pasues i Berishës shumë kohë para zgjedhjeve parlamentare.