Ngjyra e kuqe të cilën e ka harta e Kosovës tregon praninë e lartë të korrupsionit

‘Pavarësia’ për t’u Korruptuar në Shtetin e Ri

Si duket edhe më tutje kushti për luftimin e korrupsionit po vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës.

Edhe Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova pak ditë më parë në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, ka përmendur faktin se është e zhgënjyer pasi që Kosova ende nuk  e ka përmbushur kushtin e dytë i cili është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Apostolova ndër të tjera ka thënë se BE ka përzgjedhur një numër të caktuar të rasteve të cilat konsiderohen që janë të profilit të lartë të cilat raste janë duke i monitoruar për të parë se sa shpejtë institucionet e Kosovës i kanë hetuar këto raste, sa kohë është dashur që këto raste të arrijnë në gjykatë, dhe a ka  akoma një vendim final në lidhje to.

Gjatë këtyre dhjetë viteve kemi pasur mundësi që të shohim se për gjykimin e shumicës së këtyre rasteve të cilësuara si të “profilit të lartë”, besimi i është dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, atyre të EULEX-it.

Ndër vite monitoruesit e BIRN/Internews Kosova i kanë monitoruar këto raste të korrupsionit, ku në mesin e të akuzuarve shumë shpesh kanë qenë edhe figura të rëndësishme dhe me interes për publikun.

Kur i referohemi termit “figura të rëndësishme” e kemi fjalën për rastet kur në mesin e të akuzuarve kanë qenë edhe kryetarë të komunave të Kosovës, siç është rasti i Sami Lushtakut, Pal Lekaj, Agim Bahtirit, Ramadan Mujës, Bratisllav Nikoliqit e Ragip Begajt, të gjithë këta të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në rastin e Pal Lekajt e Agim Bahtirit gjykata e ka hedhur poshtë aktakuzën, për Bratisllav Nikoliqin e Ragip Begaj është marrë aktgjykim lirues kurse rasti i Sami Lushtakut, Qemajl Mustafës e Ramadan Mujës është ende në proces.

Përpos kryetarëve të komunave ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza me pretendimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare edhe shumë persona të tjerë të profilit të lartë po kaq “figura të rëndësishme”, kanë qenë në mesin e të akuzuarve.

Këtu vlen ta përmendim rastin e ish ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj për të cilin pas procesit gjyqësor i cili ka zgjatur plotë tetë vite, gjykata e ka shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës të cilat i viheshin në barrë.

Një tjetër rast është ai i ish-ministrit të Kulturës Astrit Haraqisë i njohur në opinion si “rasti i Ministrisë së Kulturës”, të cilit i është parashkruar lënda.

Në lidhje me këtë rast Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar një hulumtim i cili ka dëshmuar dështimin e sistemit gjyqësor për të nxjerrë një vendim të formës së prerë se a ishte apo nuk ishte fajtor ish ministri i kulturës Astrit Haraqija.

http://kallxo.com/parashkruhet-aktakuza-per-astrit-haraqine/

Pjesë e kësaj aktakuze kishte qenë edhe Ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri i cili ishte liruar nga Gjykata e Apelit për akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Beqiri së bashku me paraardhësin e tij, Astrit Haraqija në dhjetor të vitit 2016 janë dënuar me nga një vit burg me kusht, por Gjykata e Apelit më pas iu dha pafajësinë.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën sa kishte qenë në pozitën e ministrit të kulturës gjatë viteve 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike dhe se sipas aktakuzës dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Në mesin e këtyre personave është edhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani i cili është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim, në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës.

Pos rektorit Hasani edhe ndaj një tjetër rektori është ngritur aktakuzë.

As rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza nuk i ka shpëtuar aktakuzës. Ai ka qenë i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare por Gjykata Themelore në Gjakovë pas shqyrtimit të dytë e ka hedhur aktakuzën duke pushuar kështu procedurën penale ndaj tij.

Kurse ndaj Hysni Hoxhës, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit ndaj të cilit janë ngritur dy aktakuza për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i njëjti në lidhje me ankesat e dy kompanive për një tender të KOSTT-it u dënua nga Gjykata Themelore me 3 vjet burg dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të ndonjë funksioni publik pasi ai nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut, duke i vlerësuar ato si të shqyrtuara më parë. Por më pas Gjykata e Apelit e kishte aprovuar si të bazuar ankesën e mbrojtësit të Hoxhës duke vendosur që të njëjtin ta liroj nga vepra penale e cila i vihet në barrë.

Ndërsa në lidhje me akuzën tjetër se me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitonte nga kompania “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë,  është shpallur i pafajshëm.

Ish-Shefi i Task Forcës kundër Korrupsionit Nazmi Mustafi në vitin 2013 u gjet fajtor dhe u dënua me 5 vjet burgim më pas Gjykata e Apelit me një vendim të saj kishte vendosur që të ulë dënimin për Mustafin nga pesë në tre vjet e gjashtë muaj burg, përveç zbutjes së dënimit, gjykata kishte vendosur që Mustafit t’i heqë edhe dënimin me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Nazmi Mustafi ishte arrestuar në prill të vitit 2012. Ai akuzohej nga prokuroria se kërkoi para për të mbyllur hetime penale. Mustafi, sipas aktakuzës, me bashkëpunëtorët e tij kishin arritur që t’i zhvasnin 30 mijë e 250 euro për t’i mbyllur hetimet.

Edhe ndaj Ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj si dhe deputetit Naser Osmani është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj tyre është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.

Përpos këtyre “figurave të rëndësishme” të fushave të ndryshme aktakuzave nuk i shpëtuan edhe vetë gjyqtarët e prokurorët.

Përmendim rastin e gjyqtarit Kolë Puka i dënuar së fundmi nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 4 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë, e ndaj të cilit është duke u zhvilluar edhe një procedurë tjetër gjyqësore, pastaj Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku e cila është dënuar me 3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë si dhe ndalim i ushtrim të profesionit për tri vjet.

E dënimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare pothuajse i ka shpëtuar edhe Ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj i cili nga Gjykata e Apelit është liruar nga një pjesë e aktakuzës me të cilën prokuroria e ngarkonte për keqpërdorim të detyrës lidhur me një rast të fajdeve, Gjykata e Apelit ka vendosur që pjesa tjetër e aktakuzës ndaj Mekajt e cila lidhet me rastin e Vlora Goranit të vazhdojë të gjykohet në shkallën e parë. Mekaj ishte ndaluar më 20 korrik të vitit 2015 për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrimit të ndikimit”.

Por ndaj Ish-gjyqtares së Gjykatës Themelore të Pejës – Dega në Deçan Safete Tolaj e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka konfirmuar aktakuzën dhe rasti tashmë është në procedurë.

Kujtojmë se aktakuza ndaj gjyqtares Tolaj ishte ngritur pas hulumtimit dhe raportimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-gjykateses-pas-hulumtimeve-te-drejtesia-ne-kosove/

Në proces janë duke u gjykuar ish-Kryetari i Gjykatës së Apelit Salih Mekaj, Ish-gjyqtarja Safete Tolaj, Ish-Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, Ish-Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, Ish-Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku si dhe deputeti Naser Osmani. Në burg për momentin nuk ka “peshq të mëdhenj” të dënuar për korrupsion.

Ndërsa në mesin e rasteve të cilat konsiderohen me “bujë me të madhe”, mund të përmendim rastin “Stenta”, i cili ende është në procedurë, rast për të cilin akuzohen gjithsejtë 64 punonjës shëndetësorë të institucioneve publike e private, po ashtu pjesë e këtij gjykimi janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Në këtë mes është edhe rasti i Natali Veliaj e cila është dënuar me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro. Natali Velija akuzohej për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit, të gjitha këto akuza të ndërlidhura me kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike, të lidhur mes kompanisë austriake OeSD dhe MPB-së.

Ky dënim i shqiptuar nga Gjykata Themelore ishte ndryshuar me vendim të Gjykatës së Apelit e cila u kishte hequr akuzën e krimit të organizuar dhe rrjedhimisht u kishte ulur dënimet të akuzuarve.

Edhe ish deputeti nga radhët e PDK-së, Azem Syla, së bashku me 21 persona të tjerë po akuzohet për krim të organizuar në rastin e njohur si “Toka”, në lidhje me tjetërsimin e tokave me  pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

Pastaj rasti i mjekëve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini, rast i cili në publik njihet si rasti “Medicus”.

Në këtë proces gjyqësor i cili është kthyer në ri-shqyrtim nga Gjykata Supreme, mjeku Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati. Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Së fundmi Lëvizja FOL ka publikuar një raport i cili flet pikërisht për performancën e prokurorive dhe gjykatave në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë raport thuhet se Prokuroritë Themelore dhe Speciale përgjatë periudhës Korrik-Shtator 2017 kanë trashëguar 986 raste që kanë të bëjnë me veprat penale, korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.

Lëndë të reja janë pranuar 209, lëndë në procedurë kanë qenë 1195, lëndë të zgjidhura 164 si dhe lëndë të pazgjidhura deri me datën 30 Shtator kanë qenë 1031.

Sipas statistikave të dala nga ky raport është bërë edhe kohëzgjatja e shprehur në ditë se sa kohe  ju është dashur këtyre prokurorive për zgjidhjen e këtyre rasteve e që në total ka rezultuar se kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve për periudhën Korrik-Shtator 2017 në nivel qendror është 562 ditë, kurse për nivelin qendror norma e zgjidhjes së lëndëve për periudhën Korrik-Shtator 2017 është 79 %.

Për Gjykatat Themelore në nivel qendror numri i lendeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me veprat penale, korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, deri me datën 1 Korrik 2017 ka qenë 304, lëndë të reja kanë qenë 43, lëndë në procedurë 347, të zgjidhura 43 si dhe raste të pazgjidhura 304.

Kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve në gjykatat themelore gjatë periudhës Korrik-Shtator 2017 duke krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë periudhës raportuese me numrin e lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese del të jetë 643 ditë.

Bazuar në performancën e treguar për periudhën Korrik-Shtator 2017 ka rezultuar se gjykata kanë punuar efektivisht në nivel 100% në nivel qendror.