Pavarësia e Varur

Vendimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues për ta liruar Kosovën nga prangat e pavarësisë së mbikëqyrur është padyshim i rëndësishëm.

Ai dërgon një porosi të fuqishme për botën. Është simbol i përparimit dhe besimit ndaj Kosovës:  bashkësia ndërkombëtare beson se Kosovës mund t’i hiqen stabilizatorët ndihmës meqë tani është koha për të ecur lirshëm dhe vetëm, papenguar dhe pa ndihmë, nëse me pak tundje e dridhje.

Në të vërtetë unë nuk e besoj këtë. Ndryshe nga babai që me sukses i mëson të birit kënaqësinë e ngasjes së biçikletës në dy rrota, unë besoj se të dy palët kanë arritur në momentin në të cilin besojnë se është bërë “mbikëqyrje” e mjaftueshme – dhe mbi të gjitha janë shpenzuar para të mjaftueshme – për të përfunduar këtë marrëdhënie pa dashuri dhe për të shpëtuar me faqe të bardhë.

Mirëpo marrëdhënia ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe zotëve të saj ndërkombëtarë vështirë se do të pësojë ndryshime thelbësore si rrjedhojë e largimit të ICO-së në shtator.

Vlen të kujtohet se në asnjë moment ICO dhe kreu i saj, Pieter Feith, nuk kanë shfrytëzuar kompetencat ekzekutive për të rrëzuar një vendim të qeverisë së Kosovës.

Ndoshta, mund të mendojë dikush, ky është aprovim i fortë i politikave të Kryeministrit Thaçi dhe indikacion i pjekurisë së paparë të qeverisjes që ai zbatoi.

Vëzhguesit me përvojë e dinë se këto janë dokrra. Përderisa nuk ka pasur konflikt të hapur ndërmjet ICO-së dhe Thaçit, në kohë të caktuara, marrëdhëniet ishin të tensionuara dhe në prapaskenë vazhdonin negocimet e vështira  dhe “diplomacia” frenetike.

E drejta ekzekutive nuk është shfrytëzuar sepse nuk është konsideruar si mjet politik, edhe pse ishte “kërcënim i volitshëm kredibil”. Do të kishte shkaktuar publicitet negativ për qeverinë, negativ për ICO-në dhe do të kishte zvarritur largimin ad hoc të organizatës, diçka të cilën asnjëra palë nuk e dëshironte.

Teknikisht, pas ICO-s qeveria do të jetë plotësisht e lirë për të miratuar çfarëdo ligji që dëshiron, pa frikën që z. Feith do ta rrëzojë parlamentin.

Por kushdo që beson se ky është fundi i përzierjes ndërkombëtare dhe se qeveria e Kosovës me të vërtetë do t’i ketë duart e lira do të dëshpërohet rëndë.

Me praninë e EULEX-it në tokë të Kosovës me mijëra pjesëtarë, KFOR-in, diplomatët e BE-së dhe, natyrisht, Ambasadën e plotfuqishme të SHBA-së, politika pas ICO-së vështirë se do të jetë shumë më ndryshe sesa ajo para saj.

Përfundimisht, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës do të kenë autoritet të jashtëzakonshëm mbi cilëndo qeveri për shkak se pa mbështetjen e tyre shteti nuk mund të mbijetojë.

E dhimbshme por e vërtetë – kjo është natyra e politikës reale. Pavarësia e mbikëqyrur mund të përfundojë, por pavarësia e varur do të vazhdojë.