Anëtarë të Komitetit për Shpëtim Kombëtar, një organizatë jofitimprurëse që kryen patrullime në kufirin e Bullgarisë me Turqinë për të ndaluar migrantët, teksa po zhvillon një takim në qytetin e Pllovdivit në këtë foto të majit 2016. Foto: Aleksandrina Ginkova.

Patrullim pa Ndëshkim në Europën Lindore

Pas përfundimit të turnit,roja kufitare dukej i dobët, i lodhur dhe dukshëm nervoz. Ai e përshkroi ditën e tij të zakonshme në kufirin e Bullgarisë me Turqinë në këtë mënyrë:

“Turne 12 orëshe, lëvizje e vazhdueshme. Nëse të duhet të patrullosh, ti mbulon 15, 20 kilometra.”

“Ata vazhdimisht ndryshojnë rrugët që ndjekin. Ne i kapim ata, i ndalojmë; ata lëvizin, ne lëvizim. Është një lojë si macja me miun.”

Ata janë emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që kalojnë kufirin çdo ditë nga Turqia për në Bullgari e Greqi, rrugës për në Europën perëndimore, një fluks që shënoi kulmin në vitin 2015 por që vijon edhe sot, duke shkaktuar një acarim të fortë të nervit të intolerancës në të gjithë kontinentin.

Në Bullgari, njësoj si në Hungari, grupet e rojeve vullnetare janë shfaqur, duke publikuar foto në Facebook të burrave me bluza dhe me tatuazhe ose me veshje ushtarake duke bredhur nëpër pyjet përgjatë kufirit. Ata në disa raste janë të armatosur.

Ata kanë tërhequr vëmendjen e medias në Bullgari dhe jashtë vendit, duke i dhënë me raste lavdërime dhe paralajmërime qeverisë së Bullgarisë. Në Hungari, ata janë rekrutuar nga qeveria e krahut të djathtë, e cila vitin e kaluar publikoi një thirrje zyrtare për 3000 “gjuetarë kufiri” për të përforcuar policinë dhe ushtrinë në kufirin e Hungarisë me Serbinë në jug të vendit.

Në Bullgari, disa janë demaskuar si kriminelë të rëndomtë, të tjerë janë bërë celebritete të dorës së dytë për median. Po asnjë nuk e di me siguri se sa efikasë kanë qenë ata, se sa është numri i tyre i vërtetë dhe se kush po i financon. Disa grupe pretendojnë se kanë dhjetëra mijëra anëtarë, por në publik nuk janë në gjendje të tregojnë më shumë se sa pak dyzina me njerëz.

Oficeri i kufirit, i cili foli me sinqeritet në kushtet e anonimatit, nuk kishte shumë dyshime:

“Ata thjesht po sorollaten… duke pretenduar se janë heronj,” tha ai. “Ata kapën 30 burra. Unë kam kapur ndoshta 3 mijë dhe askush nuk ka thënë asgjë për mua. Çfarë ka të rëndësishme në kapjen e 30 burrave? Ndoshta emocioni… Nuk e di. Është një gjë e pakuptimtë.”

Pavarësisht nëse janë pozues të uritur për pak reklamë apo një kërcënim serioz për sigurinë dhe të drejtat e njeriut, vëzhguesit janë dakord me mendimin se ata që po vetëquhen “gjuetarë emigrantësh” janë simptomë e problemeve më të thella që ka Bullgaria, një vend ku gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes janë gjithnjë e më të zakonshme ndërsa “tjetri” është gjithnjë e më pak i mirëpritur.

Ivanka Ivanova, një eksperte ligjore të Institutin Shoqëria e Hapur në Sofie, tha se ajo “nuk qe e sigurt se një gjë e tillë si ‘rritja e patrulluesve civilë’ në kufi është një fenomen real”.

Por është e qartë, tha ajo, se ngurrimi i shtetit për të vepruar kundër atyre që me të vërtetë ekzistojnë dhe në disa raste, gatishmëria për t’i nxitur ata, po krijon një klimë pandëshkueshmërie.

“Një në çdo shtatë njerëz në Bullgari ka dëgjuar komente nga politikanë dhe gazetarë, të cilat i kanë krijuar përshtypjen se krimi kundër grupimeve të caktuara minoritare nuk është aq i qortueshëm sa do të qe nëse krimi kryhej kundër dikujt që i përket mazhorancës,” tha Ivanova për BIRN.

“Me këto ndjenja mes publikut është e qartë se saturimi i diskursit publik me gjuhë urrejtjeje sjell në mënyrë të pashmangshme kryerjen e krimeve të urrejtjes.”

Medalje

“Gjuetarët e emigrantëve” në Bullgari u shfaqën në skenë në fillim të vitit 2016 me dy burra – Dinko Valev dhe Petar Nizamov.

Valev, një tregtar pjesësh këmbimi për autobuzë me tatu, u shfaq në televizionin bullgar duke patrulluar kufirin me një motor me katër rrota; Nizamov publikoi një video të ndalimit të tre emigrantëve afganë në internet, me duart e tyre të lidhura pas.

Kryeministri i atëhershëm i Bullgarisë, Boyko Borisov, fillimisht e përshëndeti “ndihmën” e grupimeve të patrullimit dhe një grupi iu dha një medalje nga kreu i policisë kufitare, Antonio Angelov, për kapjen e një grupi emigrantësh dhe dorëzimin e tyre te policia.

Por kur grupimet e të drejtave të njeriut dhe media ndërkombëtare panë videon e Nizamov, Borisov foli kundër “formacioneve të tilla paraushtarake” dhe dëmit që ata po i bënin reputacionit të Bullgarisë. Nizamov është personi i vetëm, gjithsesi, që është akuzuar deri tani – për ndalimin e paligjshëm të tri emigrantëve – ndërsa Valev u vendos nën hetim në nëntor 2016 me dyshimin e nxitjes së diskriminimit, dhunës dhe urrejtjes me bazë nacionaliteti apo etnie.

Avokati i Nizamov e cilësoi akuzën e ngritur ndaj tij si “të fabrikuar”. Vetë Nizamov i tha BIRN se ai besonte se gjykatat qenë nën presion për ta mbajtur atë të ndaluar: “Jam i sigurt se ka pasur një urdhër nga lart,” tha ai. Valev mohoi gjithashtu dyshimet, duke thënë në televizionin Nova të Bullgarisë në nëntor se ai qe i gatshëm të hynte në burg “për Bullgarinë”.

Sipas një vrojtimi të publikuar në mars 2016, më shumë se gjysma e bullgarëve miratojnë praktikën e ndalimit të emigrantëve nga patrulluesit civilë.

Georgieva_2
Petar Nizamov, i vetëshpallur “gjuetar emigrantësh” në shtëpinë e tij në qytetin bregdetar të Burgasit. Foto: Aleksandrina Ginkova.

 Në kuadër të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, BIRN kaloi kohë me anëtarët e Komitetit për Shpëtim Kombëtar, e cila ka një degë civilësh të quajtur Shipka dhe një “njësi ushtarake” të quajtur Vasil Levski, emra që rikujtojnë përpjekjet e Bullgarisë për t’u çliruar nga sundimi 500 vjeçar Otoman që filloi në fund të shekullit të 14-të. Të dyja degët janë regjistruar si organizata të shoqërisë civile.

Grupi mburret me një nivel organizimi të cilin as Valev dhe as Nizamov nuk e kanë. Një nga themeluesit e grupit, Vladimir Rusev, pretendoi se organizata e tij ka 26 mijë anëtarë.

Në një intervistë me BIRN, në një kafene në një taracë në qytetin e tij Varna në brigjet e Detit të Zi, Rusev tha se ai e themeloi organizatën përmes një biznesi që ka nën pronësi bashkë me bashkëshorten e tij, biznes për të cilin ai tha se merrej me siguri private për politikanë dhe “super të pasur”në zona lufte. Anëtarët kontribuojnë për të paguar naftën dhe furnizimet për patrullimet.

Dy kompani – Due Diligence BG dhe Due Diligence International – janë regjistruar në emër të Rusev dhe të një gruaje të quajtur Antonia Ivanova Stefanova në Regjistrin Tregtar të Bullgarisë.

Të dyja janë regjistruar në të njëjtën adresë me organizatën Shipka dhe Vasil Levski në qendrën historike të qytetit të Varnës. BIRN nuk gjeti dot faqe interneti për asnjërën prej kompanive. Rusev, 57 vjeç, tha se ai ka qenë më herët në ushtri por refuzoi të komentojë më shumë për aktivitetet e tij të biznesit.

“Kjo po përhap ksenofobinë dhe nxitjen e dhunës” – Daniel Stefanov, zëdhënës i UNHCR-së në Bullgari

Tullac dhe truplidhur, me mustaqe të kuruara me kujdes, Rusev erdhi në intervistë me një fuoristradë me ngjyrë të errët dhe xhama të zinj dhe u përshëndet nga klientët e tjerë kur hyri në kafene.

Komiteti për Shpëtim Kombëtar ka lidhje me grupime të ekstremit të djathtë dhe me parti politike në Europën Lindore nën një organizatë koordinuese të njohur si Fortress Europe. Në maj 2016, ajo dërgoi një delegacion në Republikën Çeke me ftesë të grupimit të ekstremit të djathtë Usvit (Agimi).

Në qershor, asaj iu bashkua në patrullim Tatjana Festerling, ish udhëheqësja e partisë anti-islamike të Gjermanisë, Pegida, si dhe drejtuesi i partisë së ngjashme holandeze Edwin Wagensveld. Rusev mohoi dyshimet se ka marrë para nga Rusia për të shkaktuar trazira në Bullgari e më gjerë në Bashkimin Europian.

“Ata janë çmendur për shkak se ne jemi vullnetarë dhe bëjmë çdo gjë falas,” tha ai në lidhje me kritikat. “Ata duhet të na lënë të bëjmë punën tonë, të ndihmojmë shtetin të bëjë atë që nuk dëshiron të bëjë për të shpëtuar popullin.”

Grupi i shkroi shefit të policisë kufitare, Angelov, në 25 korrik 2016 duke i ofruar shërbimet e tij për të ndihmuar në ndalimin e “pushtimit”, por Rusev tha se ata nuk kanë marrë përgjigje. Një zëdhënëse për policinë kufitare tha se një bashkëpunim i tillë do të duhet të rregullohet me ligj, d.m.th nga qeveria.

“Më shumë për vëmendje publike”

BIRN pyeti Komisionin e Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, nëse ky organizëm besonte se gjuetarët e emigrantëve qenë më shumë aktivë në rrjetet sociale se sa në kufi.

Daniel Stefanov, një zëdhënës për UNHCR në Bullgari, u përgjigj: “Në tërësi, ata po synojnë më shumë për vëmendje publike.”

“Kjo po përhap ksenofobinë dhe nxitjen e dhunës,” tha ai. “Dhe kjo natyrisht është shumë e rrezikshme në rast se autoritetet nuk reagojnë. Në këtë drejtim, nuk ka ndonjë diferencë të madhe nëse është propagandë apo veprime reale për shkak se që të dyja e dëmtojnë shoqërinë.”

Edhe një anëtar i Komitetit për Shpëtim Kombëtar të Rusev pranoi se aktivitetet e grupimit në terren kanë pasur pak efekt në fluksin aktual të emigrantëve dhe se më së shumti synonin të njihnin terrenin dhe të jepnin  një mesazh për emigrantët dhe ata që i ndihmojnë.

“Në fakt, ne nuk po e ulim në mënyrë domethënëse dallgën e refugjatëve, efekti është rreth zeros,” tha Maria Gerina, e cila koordinon aktivitetet shoqërore të grupit.

Por si Stefanov, dhe eksperti bullgar i sigurisë Yordan Bozhilov, president i Forumit të Sofies për Sigurinë dhe analist në Akademinë Bullgare të Shkencës, paralajmëroi për ndikimin e grupimeve të tilla të vullnetarëve dhe retorikën e tyre në shoqërinë bullgare.

“Ne kemi parë radikalizmin Islamik, por ka gjithashtu edhe një radikalizëm anti-Islamik që nuk është më pak i rrezikshëm,” tha ai.

Kërkimet e kryera nga Instituti i Shoqërisë së Hapur mes viteve 2014 dhe 2016 dhe të publikuara në bullgarisht në korrik të vitit të kaluar tregojnë një rritje në numrin e bullgarëve që janë ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes dhe një rritje të shkallës së miratimit të gjuhës së urrejtjes, megjithëse shumica vijon të mos e miratojë.

“Ajo që është shqetësuese është miratimi i publikut për përdorimin e gjuhës së urrejtjes, e cila është nacionalizmi ekstrem dhe urrejtja ndaj dy grupimeve shoqërore – romëve dhe të huajve,” tha ekspertja ligjore e Institutit, Ivanova.

“Se pse po ndodh kjo është pyetja një milionë dollarëshe dhe kërkimi ynë nuk mund t’i japë një përgjigje të prerë.”

Ivanova tha se ajo personalisht shihte dy faktorë; e para, mungesa e reagimit nga autoritetet, për të cilat ajo tha se “sistematikisht” po dështonin të hetonin krimet e urrejtjes dhe gjuhën e urrejtjes dhe e dyta, kultivimi i “frikës dhe paragjykimit” nga media bullgare.

“Një pjesë shumë e madhe e njerëzve, gati një e treta në vitin 2016, nuk e dinë se gjuha e urrejtjes… dhe krime të urrejtjes janë vepra penale. Mes njerëzve me arsim të ulët kjo shifër është edhe më e madhe. Dhe tendenca është gjithashtu negative – më 2014 vetëm një në pesë vetë nuk e dinte se veprime të tilla përbëjnë vepër penale.”

Një studim tjetër, i kryer bashkërisht mes OJQ-së Demokracia në Media dhe Qendrës për Modernizim Politik, i publikuar në bullgarisht në mars 2016, ekspozoi një kryengritje në gjuhën e urrejtjes në median bullgare, ku shënjestrohet më së shumti minoriteti rom, refugjatët dhe emigrantët.

Bazuar në deklaratat, artikujt dhe përmbajtjen e faqeve të internetit dhe të medias sociale, grupimi i të drejtave të njeriut Komiteti i Helsinkit të Bullgarisë dorëzoi një kërkesë në prokurorinë e shtetit në maj për heqjen e statusit si organizata joqeveritare për Shipka dhe Vasil Levski.

Më 9 janar, prokuroria hodhi poshtë kërkesën, tha një zëdhënës për BIRN.

Vladimir Rusev, një nga themeluesit e Komitetit për Shpëtim Kombëtar, i cili patrullon për emigrantë në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Foto: Aleksandrina Ginkova.
Vladimir Rusev, një nga themeluesit e Komitetit për Shpëtim Kombëtar, i cili patrullon për emigrantë në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Foto: Aleksandrina Ginkova.

Radoslav Stoyanov i Komitetit të Helsinkit për Bullgarinë tha se ish kryeministri Borisov, i cili dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar pasi kandidati për president i mbështetur nga qeveria e tij humbi zgjedhjet, i ka “legjitimuar publikisht” organizata të tilla.

Me mosveprimin e tyre, tha ai, autoritetet dhe partitë politike “ndihmojnë në mënyrë pasive forcat që synojnë të shtyjnë shoqërinë drejt refuzimit dhe shtypjes së bashkësive të margjinalizuara. Kjo marrëveshje e heshtur, në opinionin tim, është arsyeja se pse këto ndjenja rriten në këtë shoqëri.”

BIRN pyeti një zëdhënëse të qeverisë nëse qeveria kishte një qëndrim zyrtar mbi patrulluesit.

“Jo, nuk ka,” u përgjigj ajo. “Çfarë pret që të them? Si e imagjinon një pozicion zyrtar?”

“Pozicioni që është shprehur nga përfaqësues të qeverisë në raste të ndryshme… është se shteti ka mënyra për të mbrojtur kufirin dhe këto janë të përcaktuara në kushtetutë dhe ligj.”

Argumentohet se patrulluesit kanë marrë frymëzim nga policia bullgare, e cila është akuzuar nga grupimet e të drejtave të njeriut për keqtrajtim në shkallë të gjerë të emigrantëve.

Në gusht të vitit të kaluar, Komisioneri i Lartë i OKB për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, shprehu shqetësim për praktikën e përzënies së emigrantëve që kapen në kufi “dhe akuzat e vazhdueshme për abuzime fizike dhe vjedhje nga zyrtarët ligjzbatues në kufi”. Sulmet kundër emigrantëve dhe refugjatëve, tha ai, ndëshkohen rrallë ose kurrë.

“[Kjo është] veçanërisht shqetësuese kur shihet se figura publike me ndikim shprehin mbështetje për grupimet e armatosura të paligjshme të patrullimit të cilët hapur kanë gjuajtur për emigrantë në disa pjesë të kufirit mes Bullgarisë dhe Turqisë,” tha Zeid.

BIRN i shkroi veçmas zëdhënësve të qeverisë dhe të ministrisë së brendshme duke i pyetur për kritikat se qëndrimi i autoriteteve mbi patrulluesitështë i dëmshëm dhe akuzave se ata tolerojnë gjuhën e urrejtjes dhe dyshimet për brutalitet nga ana e policisë. Asnjë nga institucionet nuk u përgjigj.

“Ne po i afrohemi kufijve të asaj që quhet shoqëri e civilizuar” –Mark Kekesi, aktivist i të drejtave të njeriut në Hungari

Ushtri private

Rreth 1.3 milionë njerëz që u arratisën nga lufta, varfëria dhe persekutimi mbërritën në kufirin jugor të Bashkimit Europian vitin e kaluar, shumica e tyre duke kapërcyer detin nga Turqia për në Greqi me varka dhe lundra, duke ecur në veri për në Maqedoni, Serbi, Hungari dhe më tutje për në Gjermani e vende më të pasura anëtare të bllokut.

Që nga ajo kohë, BE-ja është përpjekur të mbyllë të ashtuquajturën Rruga e Ballkanit, por emigrantët vijojnë të vijnë në numra më të vegjël. Vetëm 30 mijë nga të gjithë emigrantët kaluan përmes Bullgarisë gjatë vitit 2015. Më shumë se 18 mijë u ndaluan në Bullgari deri në nëntor 2016.

Qendrat për emigrantë në Bullgari qenë përplot vitin e kaluar. Më 10 nëntor, kishte 7,039 emigrantë të strehuar në kampe me kapacitet për 6,390 vetë megjithëse këto shifra ranë ndjeshëm në janar. Shumica dëshirojnë të lëvizin më tutje, por ata që nuk ia dalin të ikin përballen me një integrim jo të lehtë. “Bullgaria nuk ka ende një program për integrimin,” tha Stefanov i UNHCR. “Kështu, për momentin procesi është ndalur dhe nuk është e qartë nëse dhe si do të vijojë kjo punë.”

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, policia përdori ujë me presion kundër qindra emigrantëve të rebeluar në qendrën më të madhe të pritjes së refugjatëve në Harmanli, në Bullgarinë juglindore.

Migrimi në shkallë të paprecedent dhe presioni që ka shkaktuar mbi burimet e shtetit ka fuqizuar partitë e krahut të djathtë në Europën Qendrore dhe Lindore, edhe në vende të tilla si Sllovakia ku kanë hyrë shumë pak emigrantë.

Në Hungari, vendi kryesor tranzit, kryebashkiaku nacionalist i fshatit kufitar Asotthalom, Laszlo Toroczkai, më 2015 krijoi një trupë të vetën patrulluese dhe publikoi një video në stil filmi në Facebook e YouTube – ku patrulluesit i jepnin makinave me shpejtësi apo kalëronin – duke paralajmëruar emigrantët që përpiqeshin të kalonin kufirin nga Serbia për në Hungari.

Në Hungari, patrulla të tilla janë legalizuar me turne 24 orëshe dhe me ditë të caktuara pushimi. Njësoj si patrulluesit në Bullgari, patrulluesit në Hungari janë thellësisht anti-islamikë, kritikë ndaj udhëheqësve “të dobët” të Europës Perëndimore dhe të mbushur me teori komploti mbi planet e mëdha për pushtim të ‘Europës Kristiane’ nga myslimanët.

“Ky problemi i emigrantëve organizohet nga grupime të caktuara interesi,” tha patrulluesi Nagy Sandor kur BIRN iu bashkua në patrulle në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. “Tashmë janë njerëzit nga lindja e mesme, nesër do të mbërrijë orteku nga Afrika dhe ky do të jetë fundi për ne.”

BIRN pa se si patrulla, ku përfshihej zëvendësi i Toroczkai, ndaloi tri emigrantë meshkuj të cilët thanë se qenë nga Pakistani. Njëri tha se ishte 14 vjeç. Ata thanë se i kishin humbur dokumentet e identifikimit duke nxehur patrulluesit. Policia mbërriti dhe mori emigrantët me vete.

Mark Kekesi, një aktivist hungarez me grupin Migszol për të drejtat e njeriut, i cili avokon për të drejtat e azilkërkuesve dhe refugjatëve, tha se patrullat qenë pak a shumë një “ushtri private” e Toroczkait.

“Ne po i afrohemi limiteve të asaj që quhet shoqëri e civilizuar,” tha ai.

Policia hungareze në shtator të vitit të kaluar bëri thirrje për 3 mijë “gjuetarë kufiri”, duke thënë se atyre do u ofrohej gjashtë muaj trajnim dhe pajisje të ngjashme me ato të oficerëve të policisë me armë me municione, sprej djegës, shkopa gome e pranga.

Anëtarë të patrullës kufitare qytetare të Hungarisë, të krijuar nga një kryebashkiak i zonës në kufi me Serbinë në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Foto: Aleksandrina Ginkova.
Anëtarë të patrullës kufitare qytetare të Hungarisë, të krijuar nga një kryebashkiak i zonës në kufi me Serbinë në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Foto: Aleksandrina Ginkova.

Ministria e Brendshme e Bullgarisë është përpjekur sakaq të takohet me njerëz që banojnë pranë zonave kufitare për mbështetjen e tyre informale, përmes njoftimit të policisë në rast se ata shohin emigrantë.

Bozhilov, eksperti bullgar i sigurisë, tha se ligji i jepte mundësi qeverisë të bënte diçka të ngjashme me Hungarinë, përmes organizimit të patrullave të vullnetarëve. Ai tha se kjo mund të ndihmojë në “kanalizimin” e zemërimit dhe agresivitetit të grupeve të patrulluesve.

Një zëdhënëse e ministrisë së brendshme i tha BIRN: “Qëndrimi ynë ndaj banorëve vendës është se ne pranojmë bashkëpunim në formën e paralajmërimit (mbi emigrantë që hyjnë në Bullgari). Veprimet që mund të ndërmerren zyrtarisht në raste të tilla janë juridiksion i policisë kufitare”.

Rekrutimi

Në maj 2016, Rusev dhe Komiteti për Shpëtim Kombëtar folën në një aktivitet promovues në qytetin e dytë më të madh të Bullgarisë, Plovdiv, duke qëndruar në krah të tri udhëheqësve të tjerë në hotelin Maritsa, veshur me uniformë ushtarake. Vetëm disa dhjetëra njerëz, shumica e të cilëve meshkuj, qenë mbledhur për t’i parë.

Hoteli e ka marrë emrin nga një lum që rrjedh drejt lindjes nga malet Rila të Bullgarisë dhe në një pjesë të tij përbën kufirin mes Bullgarisë dhe Greqisë para se të çajë në atë që është kufiri mes Greqisë dhe Turqisë në rrugëtimin drejt detit Egje.

Ky lum është vetëm një nga shumë pengesat me të cilat shumë emigrantë përballen në rrugën e tyre drejt EuropësPerëndimore. Pas dy orësh, dëgjuesit filluan të ikin ndërsa një nga burrat me veshje ushtarake pagoi 180 leva bullgare (90 euro) cashpër përdorimin e sallës së konferencave.

Njëzet e gjashtë vjeçari Momchil Krumov, një nga dëgjuesit në sallë, doli jashtë ndërkohë që një erë e fortë frynte nga ana e lumit. Ai pati vendosur të bashkohej me patrulluesit.

“Me këtë dallgë të stërmadhe refugjatësh, në një kohë kur shteti nuk mund të kujdeset për vete, vjen dita kur populli nuk ka më garanci, nuk ka siguri që shteti do të mbrojë veten siç duhet,” tha ai për BIRN më vonë në një bisedë telefonike, pasi qe bashkuar me grupin.

“Për mirë a për keq; unë mendoj se kjo ndodh për mirë, populli fillon të organizojë veten. Është një proces natyror.”

 

Aleksandrina Ginkovashkruan mbi çështjet ndërkombëtare në faqen bullgare të internetit Dnevnik.bg. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.