Kryetari i Ferizajt "inspekton" heqjen e borës nga një kompani e pakontraktuar - Foto: Facebook/AgimAliu

Pastrimi i Dyshimtë i Rrugëve të Ferizajt

Institucionet e Kosovës përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve shpesh janë zënë në befasi nga bora.

Këtë vit, Komunës së Ferizajt i ka shkaktuar shumë telashe bora e vonuar e këtij dimri.

Kjo Komunë ka hyrë në dimër pa pasur të kontraktuar asnjë kompani për mirëmbajtjen e rrugëve lokale.

Një tender i hapur me vonesë (në sezonin e dimrit) është zvarritur për shkak të shkeljeve ligjore që ka bërë Komuna e Ferizajt.

Kjo Komunë, sipas OShP-së, e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Rahovica” në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit. “Gazeta JnK” ka gjetur se kompania e rekomanduar për kontratë i ka dalë në ndihmë Komunës së Ferizajt për të parandaluar bllokimin e qytetarëve nga bora.

Në postimet publike, kryetari i Komunës, Agim Aliu, përmes faqes së tij publike në “Facebook”, ka falënderuar “kompanitë private që po angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre në mënyrë vullnetare për tejkalimin e kësaj situate duke mundësuar qarkullimin pa pengesë të qytetarëve dhe automjeteve në rrugët e territorit të Ferizajt”.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar informacion në lidhje me kompanitë të cilat janë duke ndihmuar vullnetarisht komunën në pastrimin e borës nga rrugët. Sipas përgjigjeve zyrtare të marra nga Komuna e Ferizajt janë tri kompani private vullnetare që kanë bërë pastrimin e rrugëve nga bora.

“Pasi që nuk ka operatorë të kontraktuar dhe për arsye të një procesi të tenderimit të pa përmbyllur nga qeverisja e kaluar këto kompani private që operojnë në Komunën e Ferizajt dhe që vazhdimisht edhe në të kaluarën e dhe sot kanë punë të kontraktuara me Komunën ata e kanë parë të arsyeshme që të kyçen vullnetarisht në pastrimin e rrugëve siç janë Kompania ‘Rahovica Company’, kompania ‘Begisholli’ si dhe kompania ‘Altrans’”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Komunës së Ferizajt.

Ndryshe nga emërtimi i kompanisë “Rahovica Company” në përgjigjen zyrtare të Komunës, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) ekziston e regjistruar vetëm kompania “Rahovica Comerce”, me pronar Fehmi Krasniqi.

Komuna e Ferizajt thotë se do të mbulojë shpenzimet e derivateve të kompanive që vullnetarisht po pastrojnë borën.

“Meqenëse këto kompani operojnë vullnetarisht është e arsyeshme që së paku derivatet e shpenzuara t’u paguhen këtyre operatorëve”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Komuna nuk ka treguar nëse ajo do t’i paguajë edhe punëtorët e kompanive private si dhe nëse kripa ka qenë e kompanive apo e Komunës.

Edhe kompania publike KRM “Pastërtia” është duke ndihmuar vullnetarisht Komunën në pastrimin e borës nga rrugët dhe sheshet publike.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka pyetur Komunën e Ferizajt nëse kjo e fundit do të kompensojë punëtorët e kësaj kompanie për angazhimet jashtë orarit të punës.

Sipas përgjigjes së Komunës së Ferizajt, këta punëtorë do të kompensohen nga kompania “Pastërtia” përmes një aneks kontrate që ka komuna me këtë kompani.

“Kompania KRM”Pastërtia” ka një aneks kontratë me komunën për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit. Andaj edhe kompensimin material e bënë kompania sipas rregullave dhe procedurave që ata i kanë si kompani për rastet e kryerjes së punëve jashtë orarit të punës”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë ka vërë në pah anulimin e tenderit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve në Komunën e Ferizajt për shkak të shkeljeve ligjore të evidentuara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Si rezultat i anulimit të tenderit, Komuna e Ferizajt nuk ka kompani të kontraktuar për pastrimin e rrugëve nga bora.

Sipas vendimit të OShP-së, Komuna e Ferizajt ka bërë shkelje ligjore në këtë tender duke eliminuar nga gara operatorin (EL BAU) pa shqyrtimin e duhur të dokumentacioneve të tij, si dhe duke e shpërblyer me kontratë operatorin që nuk i plotësonte kushtet.

Kompania që kishte fituar këtë tender ishte “Rahovica Comerce” dhe “Damastion Project”.

OShP ka shpërfaqur një ‘lëshim’ në dosjen e tenderit prej të cilës ka përfituar vetë kompania e rekomanduar për kontratë, ashtu që ka dalë më e lira prej konkurrentëve. Për më tepër, OShP kishte konstatuar se grupi i operatorëve ekonomik “Rahovica Comerce” dhe “Damastion Project”, i shpallur fitues i tenderit nuk përmbushte kriterin teknik, sepse kishin vetëm një traktor nga tre sa kërkoheshin me tender.