Pasqyra të Rreme Financiare të Ndërmarrjes ‘Pastërtia’

ZKA ka dhënë disa fakte mbi të cilat e ka mbështetur opinionin e kundërt të dhënë për Pasqyrat Financiare të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas ZKA-së, kjo kompani nuk ka paraqitur pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2016.

Sipas gjetjeve në raportin e Auditimit, kjo kompani ka bërë regjistrim të njëanshëm të transaksioneve.

“Gjatë vitit 2016, Pastërtia kishte bërë faljen e borxheve në vlerë 289,308 euro. Kjo ka shkaktuar zvogëlim (kreditim) të llogarive të arkëtueshme, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte përcjellë me regjistrim në anën debi si njohje e provizionit për borxhet e këqija”, thuhet në raport, ku ndër të tjera ceket se regjistrimi i njëanshëm shkakton nënvlerësim të fitimit/humbjes, rrjedhimisht mosbarazim të bilancit të gjendjes.

Kjo ndërmarrje përkundër që i kishte prezantuar detyrime/borxhe afatshkurtra në vlerë prej 662 mijë euro, të njëjtat nuk i kishte futur edhe te shënimet kontabël.

“Pastërtia” kishte bërë prezantim jo të saktë të kapitalit rezervë me qëllim të barazimit të bilancit të gjendjes.

“Vlera e kapitalit rezervë e prezantuar në PVF ishte mbivlerësuar për 418,273 euro në krahasim me shënimet kontabël. Në  PVF  kjo  rezervë  ishte prezantuar 2,506,719 euro, ndërsa në shënimet kontabël saldo e kësaj llogarie është 2,088,446 euro. Një mbivlerësim i tillë ishte bërë me qëllim të barazimit të bilancit të gjendjes”, thuhet në raportin e Auditorit.

Operimi me Humbje

Po ashtu është bërë prezantimi jo i saktë i aseteve dhe i kapitalit rezervë.

Sa i përket aseteve “Pastërtia” për vite me radhë kishte aplikuar norma të ndryshme të zhvlerësimit të cilat nuk ishin në përputhje me normat e zhvlerësimit sipas Administratës Tatimore të Kosovës ose Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Ndërkaq, kapitali rezervë në PVF, ishte mbivlerësuar për 418 mijë e 273 euro në krahasim me shënimet kontabël.

“Në PVF kjo rezervë ishte prezantuar 2,506,719 euro, ndërsa në shënimet kontabël saldo e kësaj llogarie është 2,088,446 euro. Një mbivlerësim i tillë ishte bërë me qëllim të barazimit të bilancit të gjendjes”, thuhet me tutje në raport.

Kompania ka pasur edhe mospërputhje të shënimeve si pasojë e regjistrimeve jo të sakta dhe mosharmonizimeve me furnitorët.

Sipas raportit të Auditorit, mospërputhja ishte mes shënimeve kontabël dhe letër konfirmimeve nga furnitorët duke bëtë nënvlerësim me vlerë prej 34 mijë e 431 euro.

“Në një letër konfirmim të pranuar nga furnitori janë vërejtur mospërputhje me shënimet kontabël. Shuma e borxhit e konfirmuar nga furnitori është 307,497 euro, ndërsa në shënimet kontabël vlera e borxhit ndaj këtij furnitori është 273,066 euro, duke rezultuar me një nënvlerësim prej 34,431 euro”, thuhet në raport.

Gjetje tjetër në këtë raport sa i përket Pasqyrës Vjetore Financiare është prezantimi jo i saktë i llogarive të arkëtueshme dhe prezantim jo i drejtë i shpenzimeve pa bazë ligjore.

Ky shpenzim përbëhet nga pagesat për kompensim që e arrin vlerën 22 mijë e 680 euro.

Gjetje tjetër është mosnumërimi i stoqeve në fund të vitit. Vlera e stoqeve e prezantuar në PVF është 27 mijë e 689 euro.

Rekomandimet e Auditorit thonë se kryesuesi i Bordit duhet t’i analizojë arsyet për dhënien e opinionit të kundërt për PFV-të e vitit 2016 dhe të ndërmarrë veprimet që kërkohen për të mundësuar një prezantim të drejtë dhe të vërtetë për PFV-të në 2017.

Kompania “Pastërtia” në Ferizaj e ka mbyllur vitin 2016 duke operuar me humbje prej 51 mijë e 656 euro. Përkundër vështirësive financiare kjo ndërmarrje ka vazhduar punësimin e punëtorëve të rinj.

Numri aktual i të punësuarve në kompaninë “Pastërtia” në fund të vitit ishte 205 dhe 4 anëtarë të Bordit të Drejtorëve.

Gjatë vitit 2016, “Pastërtia” kishte angazhuar katër punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të cilët nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit.

Punësimet e kundërligjshme

Në tri procese rekrutimi, komisionet për rekrutim kanë konstatuar se nga të gjithë kandidatët që kanë aplikuar, nuk arrin në tre numri i atyre që i plotësojnë kriteret e konkursit, duke specifikuar se nuk i kanë përmbushur kriteret e konkursit, ndërsa “Pastërtia” kishte vazhduar me procesin e rekrutimit duke i punësuar kandidatët e suksesshëm.

Gjithashtu, sipas gjetjeve të Auditorit, në pesë procese të rekrutimit, për pesë pozita të ndryshme nuk kishte dëshmi që është realizuar testimi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve. Përzgjedhja ishte bërë vetëm nga rekomandimi i komisionit për rekrutim.

Madje, Auditori ka konstatuar se punësimet e reja e kanë rënduar buxhetin dhe rrjedhimisht e kanë rritur humbjen. Ndikim të rëndësishëm për të operuar në humbje kishte rritja e numrit të punësuarve, zvogëlimi i të hyrave, rritja e pagave, vendimi i Kuvendit Komunal për pagesën e anëtarëve të komisioneve komunale.

“Realizimi i buxhetit për paga dhe mëditje krahasuar me planifikimin ishte tejkaluar për 67,152 euro, ndërsa në raport me vitin e kaluar kishte rritje të shpenzimeve për 137,693 euro, respektivisht 15%”, thuhet në raport.

Shpenzimi i buxhetit sipas raportit të Auditorit për kategorinë Mallra dhe Shërbime, përfshirë komunalitë, në raport me planifikimin ishte tejkaluar për 70,103 euro, ndërsa në raport me vitin e kaluar shuma e shpenzuar ishte më e ulët për 130,359 euro, respektivisht 21%.

Tek të hyrat ka mungesë të planifikimit të mirëfilltë. Sipas Auditorit kjo mungesë e planifikimit të mirëfilltë e rrit rrezikun që të mos realizohen të hyrat sipas planit dhe kjo gjithashtu ndikon në mosrealizimin e projekteve të planifikuara për t’u realizuar nga të hyrat vetanake.

Sa i përket planifikimit dhe realizimit të buxhetit, gjatë vitit 2016 “Pastërtia” kishte planifikuar investime kapitale në vlerë prej 1 milion e 219 mijë euro, mirëpo si rezultat i mosndarjes së granteve nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe për shkak të gjendjes financiare nuk kishte realizuar asnjë projekt kapital.

http://kallxo.com/karamelet-e-svarqes-te-shijshem-per-asamblistet-e-opozites/