Edi Rama gjatë mitingut hapës të fushatës në Tiranë | Foto nga : LSA

Partitë Politike Fshehin Milionat e Shpenzuara në Tubime Elektorale

Partitë kryesore politike shqiptare zhvillojnë qindra tubime elektorale në kohë fushate, por shpenzimet multimilionëshe për to raportohen “me pikatore” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkelur ligjin dhe kodin zgjedhor si dhe duke cenuar transparencën e shpenzimeve partiake.

“Shpenzimet që partitë deklarojnë zyrtarisht janë deri në 10 herë më të vogla sesa shpenzimet reale elektorale”, pohon Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

NDËRLIDHUR

Krasniqi u referohet monitorimeve në terren të organizatës që ai drejton gjatë zgjedhjeve të viteve 2013 dhe 2015 si dhe krahasimit të të dhënave me raportet financiare që vetë partitë dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Problemi i fshehjes së fluksit real të parave që pompohen gjatë fushatave elektorale ngrihet në kohën kur partitë politike kanë ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Njësoj si në zgjedhjet e tjera, liderët politikë kanë nisur turin nëpër Shqipëri, duke dërguar në çdo skaj të vendit tifozë politikë dhe flamuj elektoralë, së bashku me pajisje të tjera të kushtueshme që nevojiten për mbarëvajtjen e tubimeve.

Zyrat për shtabet elektorale kanë mbirë gjithashtu anekënd Shqipërisë. Megjithatë, vetëm pak prej shpenzimeve multimilionëshe gjejnë pasqyrim në raportet financiare që partitë politike kanë detyrimin të dorëzojnë në KQZ.

BIRN analizoi raportet financiare të tri partive kryesore, PS, PD dhe LSI për zgjedhjet e viteve 2013 dhe 2015, ku zëri më i madh i shpenzimeve raportohet tek aktivitetet dhe materialet zgjedhore. Analiza përfshiu gjithashtu të dhëna të siguruara nga Policia e Shtetit mbi numrin mesatar të tubimeve elektorale të realizuara në vitet zgjedhore, prej nga rezulton se partitë kryesore politike fshehin të dhënat reale për aktivitetet e kryera, e rrjedhimisht edhe për paratë e shpenzuara në fushatë.

Mungesa e transparencës dhe sistemi informal i financimit të partive politike dhe fushatave elektorale është një fenomen i mbartuar përgjatë dy dekadave të tranzicionit në Shqipëri, i evidentuar në shumë raste nga organizatat ndërkombëtare.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, organizata “Global Integrity” raportoi se legjislacioni në fuqi zbatohet pak nga partitë politike shqiptare sa i përket transparencës së financave.

Për të njëjtin vit zgjedhor, edhe ekspertët e OSBE-ODIHR shprehën dyshime se “kostoja e lartë e fushatave nuk deklarohet plotësisht”.

Ligji ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me përgjegjësinë e kontrollit financiar mbi partitë politike përmes audituesve të pavarur. Megjithatë, vetë KQZ evidenton se i mungojnë mjetet financiare dhe kapacitetet njerëzore për të hetuar përtej bilanceve që partitë deklarojnë.

“KQZ nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme në lidhje me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore”, thuhet në raportin e KQZ për vitin 2013.

Ekspertët e kontaktuar nga BIRN e vënë theksin tek “gropat” e qëllimta në legjislacion, të cilat nuk krijojnë mekanizmat e duhur për kontrollin financiar, duke u mundësuar partive politike shkeljen e ligjit.

Sipas tyre, as ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, që erdhën si rezultat i marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha nuk përbëjnë ende garanci për transparencën e përhershme të burimeve të financimit dhe shpenzimeve elektorale.

“Maja e ajsbergut”

Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN mori nga Policia e Shtetit të dhënat statistikore për mitingjet e organizuara përgjatë viteve 2013-2016.  Të dhënat variojnë mesatarisht nga 600 mitingje në vite normale, në 2600 në vite zgjedhore.

Edhe pse diferenca prej 2000 mitingjesh me gjasë elektorale do të duhej të ndahej mes të gjitha partive politike, pjesa dërrmuese e tyre realizohet nga forcat e mëdha politike.

Kushtetuta e Shqipërisë, e integruar me ligjin “për Partitë Politike” dhe Kodin Zgjedhor i detyron partitë të raportojnë mbi shpenzimet e çdo aktiviteti të kryer në kohë fushate.

Megjithatë, raportet financiare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ekspozojnë një panoramë minimale të këtyre shpenzimeve.

 

Ilir Meta gjat një eventi elektoral të LSI-së |Foto nga : LSA

Në raportin financiar për vitin zgjedhor 2015, Partia Socialiste raporton shpenzime vetëm për mitingjet e mëdha të hapjes dhe mbylljes së fushatës në vlerën e rreth 16 milionë lekëve.

Sipas raportit të audituar, partia në pushtet ka shpenzuar në total rreth 109 milionë lekë për zgjedhjet e 21 qershorit 2015-të ndara këto në zërat e materialeve zgjedhore, konsulencës, eventeve dhe shpenzime të tjera shtesë.

Për zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste ka shpenzuar rreth 187 milionë lekë, ku zërat më të lartë i zënë reklamat televizive dhe materialet promovuese elektorale. Njësoj si në 2015, mitingjet reflektohen vetëm në hapjen dhe mbylljen e fushatës me një vlerë të shpenzuar prej 4.6 milionë lekësh.

Partia më e madhe e opozitës, PD raporton shpenzime në vlerën e 78.8 milionë lekëve për zgjedhjet lokale të vitit 2015. Eventet elektorale zënë gjithashtu një hapësirë të vogël në këtë raportim në shumën totale të raportuar prej 9 milionë lekësh. Për vitin 2013-kohë kur ishte në pushtet, Partia Demokratike raportoi një total shpenzimesh prej 96.6 milionë lekësh, ndërsa zëri i aktiviteteve kap vlerën e vetëm 2.8 milionë lekëve.

Partia e tretë më e madhe në vend, Lëvizja Socialiste për Integrim ka raportuar 821 mijë lekë për evente elektorale në një total shpenzimesh prej rreth 60 milionë në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Ndërsa për zgjedhjet e vitit 2013, LSI raportonte një total shpenzimesh për fushatën në vlerën e 47 milionë lekëve, ku aktivitetet përfaqësohen në vlera të vogla financiare përmes qirave të paguara për Pallatin e Kongreseve apo Pallatin e Sporteve.

Të kritikuara për deklarimin e vetëm “majës së ajsbergut” të shpenzimeve elektorale, partitë e mëdha respektojnë të paktën formalisht kërkesat e ligjit.

Një monitorim i kryer nga Instituti për Studime Politike vlerëson se dhjetra parti më të vogla nuk respektojnë as detyrimet më minimale ligjore.

Sipas monitorimit, vetëm 12 nga 126 partitë politike të regjistruara në gjykatë kanë raportuar periodikisht ndryshmet që kërkohen nga ligji. Disa parti politike figurojnë ende aktive me drejtues të cilët nuk jetojnë më.

Situata e paligjshmërisë është pranuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në raportin e saj vjetor të vitit 2015.

“Nga 118 parti politike të cilat duhet të auditoheshin, 71 parti politike nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar”, thuhet në raportin e KQZ.

Pasojat e informalitetit

Megjithë përmirësimet e kuadrit ligjor dhe rritjes graduale të raportimeve nga partitë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arrin të bëjë ende një kontroll real të shpenzimeve elektorale. Si pasojë, burimet e errëta të financimit, lista e donatorëve realë, përdorimi i fondeve apo administratës publike në fushatë apo flukse të tjera parash të shpenzuara mbeten të raportuara në një nivel shumë të ulët.

Afrim Krasniqi i tha BIRN se ndryshe nga vendet e tjera, ku Komisionet e Zgjedhjeve kanë instrumente specifikë të kontrollit dhe të verifikimeve në terren, në Shqipëri kjo procedurë mbetet formale.

Ai gjykon gjithashtu se mënyra e kontrollit nuk ofron garanci dhe se do të duhej sipas tij që shpenzimet e fondeve publike të ishin subjekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit ndërsa vetëm ato private të kontrolloheshin nga auditues të pavarur.

“Kontrollet financiare bazohen mbi lëvizjet bankare dhe vetëdeklarimet partiake, jo përmes verifikimeve në terren, në fushatë, në aktivitete apo në shpenzime fizike që bëjnë partitë dhe kandidatët”, tha Krasniqi për BIRN.

“Kjo është arsyeja që partitë mbeten subjektet më të mëdha të shkeljes së ligjit mbi transparencën financiare në Shqipëri dhe se fushatat tona elektorale janë shumë më të kushtueshme për numër banorësh sesa në shumicën e vendeve perëndimore”, shton ai.

Lulzim Basha gjatë mitingut të hapjes së fushatës së PD | Foto nga: LSA

Rritja marramendëse e shpenzimeve zgjedhore konsiderohet gjithashtu si një çështje me rrezikshmëri në rritje në Shqipëri.

Nevoja për sa më shumë burime parash është komentuar shpesh si një shkak për përfshirjen e biznesmenëve apo edhe të personave me një të shkuar të errët në listat e kandidatëve për deputetë.

Ish-presidenti Rexhep Meidani, në një analizë të tijën në media ia faturon këtë fenomen sistemit mbi të cilin është ndërtuar modeli i financimit të partive dhe fushatave zgjedhore.

“Nuk është e rastit, që, aktualisht, ndryshe nga dhjetëvjeçari i parë i tranzicionit, parti të mëdha, po shtojnë në radhët e tyre, deri në nivelet e larta të drejtimit, “biznesmenë-politikanë” apo “politikanë-biznesmenë”. Në fakt, sistemi ynë politik nuk ka arritur të modelojë rrugën e përshtatshme për të financuar partitë dhe fushatat zgjedhore, për të penguar si “shitjen” e politikanëve tek biznesi, ashtu dhe “pazaret materiale” me elektoratin, shitblerjet e komisionarëve”, argumenton Meidani.

I ndërgjegjshëm për mungesën e transparencës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në prill 2017 një formular të ri të raportimit financiar të fushatës zgjedhore, të hartuar nga ekspertët e NDI dhe Këshillit të Europës. Sipas vendimit të KQZ, ky formular i ri kërkon të dhëna të detajuara për financimet dhe shpenzimet në fushatë zgjedhore-suksesi i të cilit do të testohet në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

04 Qershor 2017 - 11:10

Ben Andoni, BIRN 04/06/2017 - 11:10
NDËRVEPRIMI13

Partitë Politike Fshehin Milionat e Shpenzuara në Tubime Elektorale

by Kallxo
NA NDIQNI