Salla e Parlementit të Serbisë

Parlamenti Serb i Kthen Komisionet në Konkurse Bukurie

Nëse ndiqni seancat dëgjimore të komisioneve të mbajtura në parlamentin serb, aty e vëreni më së miri dobësinë e demokracisë së këtij vendi.

Si fillim, shumica e deputetëve nuk e kuptojnë se ata nuk janë zgjedhur në parlament për të promovuar interesat e partive dhe liderëve të tyre dhe për të përmirësuar vlerësimet e veta.

Ndërkohë, deputetë nga parti të ndryshme opozitare nuk kanë fuqinë të formulojnë ide apo koncepte të reja apo ta përdorin kohën gjatë seancave për të prezantuar pikëpamjet apo politikat e tyre.

Ashtu si e drejton parlamentin koalicioni qeverisës, nuk lejon shumë hapësirë për ide apo politika të ndryshme.

Kryetarja Maja Gojkoviq i kritikonte anëtarët e partive opozitare nëse ata përpiqeshin të artikulonin diçka që tingëllonte si kritikë ndaj politikave të qeverisë.

Pati një shembull të mirë të kësaj tre ditë më parë.

Të hënën, komisioni parlamentar për kulturën dhe arsimin organizoi një seancë dëgjimore për të prezantuar kandidatët e bordit të programacionit për radio-televizionin publik, RTS.

Ishin 28 kandidatë për 19 pozicione të bordit dhe seanca zgjati për më shumë se tre orë.

Roli i komisionit është vetëm të organizojë seancën, ndërsa bordi ekzekutiv i RTS do të vendosë se kush do të caktohet.

Bordi ka vetëm rol këshillues. RTS nuk është i detyruar të zbatojë vendimet e tij, megjithëse kjo e ndihmon atë të jetë më i balancuar dhe objektiv në programin, duke reflektuar interesa të ndryshme të grupeve të ndryshme sociale, veçanërisht minoriteteve dhe atyre të margjinalizuara.

Seanca e komisionit ishte një shans që deputetët dhe publiku të takonin njerëz që mund të formësojnë në mënyrë indirekte programimin e medias më me ndikim në Serbi.

Por çfarë pa publiku – nëse ndokush qe i gatshëm të shpenzonte tre orë për të një seancë të shfaqur në uebin e parlamentit – dhe çfarë mësoi ai nga seanca? Jo shumë.

Si fillim, kandidatët ishin në parim të panjohur për publikun.

Ata kishin aplikuar për postin duke iu përgjigjur një reklame publike dhe kishin dërguar CV e tyre si për çdo mundësi tjetër punësimi. Shumica nuk kishin eksperiencë në prodhimin televiziv apo ndonjë media tjetër.

Ata ishin profesorë gjimnazi dhe punëtorë administrate. Tre prej tyre ishin anëtarë të zyrës së shtypit të presidentit Nikoliq.

Ky fakt nxiti komente dashakeqe nga disa persona sepse Nikoliq dhe skuadra e tij nuk njihen si profesionistë të medias.

Por publiku duhet të jetë më i shqetësuar rreth mënyrës se si dukej debati dhe se si kandidatët e shihnin rolin dhe të ardhmen e televizionit publik.

Kryetari i komisionit i kërkoi atyre të jepnin deklarata të shkurtra rreth situatës së përgjithshme në lidhje me programimin aktual të RTS dhe më pas lejoi deputetët të pyesnin.

Shumica e kandidatëve thanë të njëjtën gjë: programimi është i mirë por ka hapësirë për përmirësime; kur isha fëmijë, programimi edukativ ishte më i mirë dhe prandaj do të përqendrohem në këtë anë të programimit, për të përmirësuar programet për të rinjtë sepse nuk shohin më TV…

Pas një prezantimi të shkurtër, që ngjante si prezantim i kandidatëve të Miss Universit, ato pak gjëra që pjesëmarrëset thonë se si duan ta shpëtojnë botën, të shkojnë në kolegj apo të shohin kanalet e Discovery dhe National Geographic, deputetët patën shansin të bëjnë pyetje.

Por kur deputetët e opozitës pyetën një kandidat se si do ta vlerësonin cilësinë e programit të lajmeve, kryetarja e komitetit, Gojkoviq, filloi të grindej me të duke thënë se ky nuk ishte debat politik, se kandidatët nuk janë nxënës që t’i përgjigjen të tilla pyetjeve dhe u ankua se seanca nuk ishte gjyqësore.

Partia Progresive në qeveri ka shumicën e komisionit, ashtu si në komisione të tjera parlamentare, ndaj mund të vendosë sipas interesave të saj si organizohet seanca.

Për shkak të kësaj, debati u mbajt i shkurtër dhe shumicën e herëve kur kandidatëve u bëheshin pyetje të vështira, ata u përgjigjën se nuk ishin në shkollë, duke treguar se s’dinin gjë rreth instrumenteve dhe mekanizmave parlamentarë.

Por si mund t’i fajësosh ata, kur deputetët nga shumica parlamentare nuk i dinë këto gjithashtu dhe vazhdimisht pengojnë rëndësinë e seancave publike dhe aspekteve të tjera të jetës parlamentare?