Parku Taukbashqe

Është një park i vogël që e shihni para se të arrini në Gërmi – si një meze para festës së të korrurave. Një copë tokë e cila dukej si e mbajtur keq dhe e padashur.

Por keni vërejtur këtë vit se Taukbashqe është pastruar nga pluhuri i saj i madh dhe tani është një vend më i dashur për të kaluar kohën gjatë verës.

Hapësirat e gjelbra në Prishtinë janë një komoditet i çmuar. Shumë banorë jetojnë nëpër banesa dhe sheshet publike janë të shndritshme e mbushura me njerëz.

Për shkak që është e rrallë, hija e Taukbashqes është e vlefshme për qytetin përkundër hapësirës së vogël që mbulon. Komuna ka investuar për ta bërë hapësirë edhe më me vlerë me lojërat zbavitëse “Magic Park” që shpesh përdoren si pikë referuese për lagjen.

Transformimi “magjik” është një shembull i mirë se çfarë mund të bëhet me fondet e komunës që kanë shënjestër përmirësimin e mjedisit për qytetarët. Plani për këtë hapësirë ka përfshirë jo vetëm shtigjet e reja, por edhe rrugën për vrapim, hapësirën për lojërat e fëmijëve, ndriçimin, toaletin publik dhe një parking të zgjeruar në afërsi.

Por gjendja aktuale e Taukbashqes është po ashtu një rast studimi i rreziqeve që vijnë nga departamentet e ndryshme të komunës që duhen punuar së bashku. Projekti – me fonde të plota nga buxheti i komunës – është një bashkëpunim ndërmjet departamentit të planifikimit urban, shërbimeve publike, kulturës, rinisë dhe sportit, mjedisit dhe infrastrukturës. Si një metaforë dëshpëruese për bashkëpunim, nëse ec përgjatë një shtegu të ri në Taukbashqe, do të zbuloni se ai përfundon në një grumbull mbeturinash.

Disa elemente të ridizajnimit të parkut presin fonde të reja, thotë Dukagjin Gashi, nga departamenti i shërbimeve publike të komunës. Ai thotë se disa punë mund të rifillojnë këtë vit nëse anëtarët e asamblesë së komunës votojnë për një buxhet që alokohet për to.

Elementet tjera, si krijimi i një pellgu si habitat për shpendë, disa shtigje tjera dhe një gardh që përshkon tërë parkun, janë të përfshira në një tender për të cilin ka marrëveshje dhe punët duhet të fillojnë më 15 qershor. Mbetet të shihet nëse dhe kur ky grumbull mbeturinash do të largohet.

Një çështje më e madhe për parkun, dhe kualitetin e jetës në lagje si tërësi, është lumi, tani që rrjedh nëpërmes brigjeve të reja të krijuara, të shtrira në mënyrë atraktive me gurë të vendosur me beton. Prishtina – “qyteti pa lumë”, nga kënga me këtë emër e grupit kosovar “Gjurmët” të viteve të 80-ta, është e etur për kafshë të egra dhe përfitime estetike të ujit të rrjedhshëm. Në të vërtetë, ekzistojnë dy lumenj që rrjedhin nëpërmes qytetit, por ndërmjet viteve 1950 dhe 1970, të dy — Vellusha dhe Prishtevka — ishin mbuluar në pjesën më të madhe të gjatësisë së tyre. Është joshëse ëndrra për atë se si do të ishte nëse lumenjtë do të liheshin të hapur si një pikë fokale për qytetin – një vend ku kafenetë dhe fëmijët do të mund të grumbulloheshin, duke sjellë një atmosferë të Prizrenit në kryeqytet. Sidoqoftë, arsyeja për mbulimin e tyre është me siguri brenga e njëjtë që kërcënon këtë kanal të ujit në Taukbashqe – rrjedhat e ujit ishin më shumë si kanalizime.

Në Taukbashqe ekziston një kundërmim përgjatë skajit jugor që mjafton t’u largojë nëse keni dalë për piknik dhe nëse kjo zonë do të transformohej, do të ishte detyra më e madhe me të cilën do të përballej departamenti i infrastrukturës në komunë.

Megjithatë, në park, edhe tani ka më shumë familje që kënaqen në hije të një dite me diell, fëmijë duke lozur te drunjtë, vrapues duke përdorur shtigjet e reja e të nivelizuara, dashuriçkat e studentëve nëpër ulëse…Me shpresë që komuna do të inspirohet për të bërë më shumë: krijimin e pellgut që zogjtë e ujit do ta gjejnë, krijimin e një parku kualitativ mjedisor dhe se banorët e qytetit do të largojnë këpucët e tyre e do të ndjejnë barin ndërmjet gishtave të këmbëve.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo (Signal Books, 2011). Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]