Foto: Wikimedia Commons

Paratë e Pushtetarëve në Banka

Përveç pasurive totale, ku kryesisht spikatin pasuritë e paluajtshme të kabinetit qeveritar të Kosovës, shumat në para ta gatshme (cash) që ata kanë depozituar në banka, janë shumë më të vogla se pasuritë e paluajtshme.

Në këtë analizë përfshihen deklarimet e parave të gatshme të kabinetit qeveritar – Kryeministri, zëvendës kryeministrat dhe ministrat – në institucionet financiare.

Sipas regjistrave të deklarimit të pasurisë, paratë e gatshme të kabinetit qeveritar në institucionet financiare kapin vlerën rreth 692 mijë euro.

Në mesin e kategorive që këta zyrtarë deklarojnë pasurinë (si p.sh pasuritë e paluajtshme, pasuritë e luajtshme etj.), zyrtarët e lartë publikë deklarojnë edhe parat e gatshme në institucionet financiare. Në këtë kategori të regjistrit të deklarimit të pasurisë në AKK, zyrtarët e lartë publik deklaruan paratë e gatshme të tyre, bashkëshortit/es, prindit, fëmijëve.

Në analizë nuk është përfshirë deklarimi i pasurisë së zëvendës kryeministrin Branimir Stojanoviç për vitin 2016, pasi nuk gjendet në faqen zyrtare të AKK-së.

Bazuar në regjistrat e pasurisë së deklaruar nga zyrtarët e lartë, më shumë para të gatshme të deklaruar del se ka ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) Arsim Bajrami. Vlera e parave të gatshme që ministri Bajrami ka deklaruar është 194,500 euro.

I dyti në renditje që posedon më shumë para të gatshme në institucionet financiare është ministri i Punëve të Jashtme (MPJ) Enver Hoxhaj.

Vlera e tyre e deklaruar është 109,469 euro, duke u ndjekur pas nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) Arban Abrashi, njëherësh edhe zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Kosovës, me diferencë vetëm prej 1,400 eurosh. Vlera e parave të gatshme që ministri Abrashi ka deklaruar se ka në institucionet financiare është 108,016 euro.

Për dallim nga ministrat e lartpërmendur, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami ka deklaruar se ka para të gatshme 850 euro, dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka deklaruar se posedon 500 euro.

Por ka të atillë që kanë deklaruar se nuk posedojnë fare para të gatshme në institucionet financiare. Këtu bëjnë pjesë ministri për Administratë Publike (MAP) Mahir Jagqilar, ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal (MAPL) Ljubomir Mariq, dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) Ferid Agani.

Është e paqartë se përse ministrat në fjalë nuk mbajnë para në bankë – sipas deklarimeve të tyre – dhe nëse i ruajnë paratë në mënyra më tradicionale, duke i ruajtur në vendet ku banojnë apo në zyra.

Në regjistrat e deklarimit të pasurisë në AKK, kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme në institucionet financiare.

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar për këtë vit se posedon 52,626 euro, për dallim nga deklarimi i vitit 2015, kishte shkruar se ka 72,969 euro.

Më pak para në bankë në krahasim me deklarimin e një viti më parë, rezulton të ketë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se posedon rreth 6,260 euro për dallim nga deklarimi i vitit 2015 kishte deklaruar 8,850 euro.

http://kallxo.com/me-shume-te-hyra-si-president/

Për dallim nga Kryministri Mustafa dhe Presidenti Thaçi, Kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit ka deklaruar në AKK se posedon më shumë para të gatshme këtë vit se një vit më parë.

Në deklarimin e pasurisë këtë vit, Kryeparlamentari Veseli ka deklaruar se posedon 30,741 euro për dallim nga deklarimi i vitit 2015 deklaroi 12,303 euro.

http://kallxo.com/te-rinj-dhe-milionere-qeveria-e-kosoves-ne-analize/