Lajmi në një gazetë serbe për grafitin: Rroftë miqësia shqiptaro-serbe

Pançevë: Miqësia Shqiptaro-Serbe Nuk Është Vetëm Mesazh në Mur

Nga fillimi i luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, në Pançevë kanë ardhur shumë njerëz nga të gjitha vendet e afërta. Ky qytet për shkak të pozitës së tij është që nga lashtësia multietnik dhe në të jetojnë 27 komunitete të ndryshme etnike. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2011, në Pançevë vetëm 68 veta janë deklaruar si shqiptarë. Kryesisht janë pronarë të furrave, ëmbëltoreve dhe objekteve të tjera hotelerie.

Akullorja më e mirë dhe tullumbat dikur janë ngrënë “Te Turku” në Dollovë, një fshat pranë Pançevës. Pronari ka qenë shqiptar nga Kosova. Ëmbëlsirat më të mira janë ngrënë në ëmbëltoret “Pelivan” dhe në furrën “Bistro” në Pançevë, të cilat i kanë mbajtur vëllezërit Reshat dhe Nail Ramadani, me prejardhje po ashtu nga Kosova. Deri në atë kohë nuk ka pasur rëndësi se cilës kombësi i përkasin pronarët e furrave dhe të ëmbëltoreve. Por, është bërë e “rëndësishme” në kohën e luftërave gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur janë shënuar raste të izoluara të dhunës.

Cak i nacionalistëve

Pançeva nuk ka qenë cak i NATO-s veçse në ditën e parë të bombardimeve kundër Serbisë. Aeroplanët UTVA, rafineria e naftës dhe kazermat ushtarake kanë qenë caqe të projektileve, kurse caqe të nacionalistëve dyqanet e shqiptarëve.

Ëmbëltorja në Dollovë është gjuajtur me gurë më 24 mars, kurse pronari menjëherë ditën tjetër e ka lëshuar vendin në të cilin ka jetuar për më tepër se 20 vjet. Të shtunën, më 27 mars, pronari i ëmbëltorës “Pelivan” i ka tërhequr mjetet dhe e ka mbyllur lokalin. Siç thonë banorët e Pançevës, në kujtim u ka mbetur pamja se si vëllai i pronarit të ëmbëltorës, i cili e ka mbajtur furrën “Bistro”, ka qëndruar i ulur në vitrinë dhe e ka ruajtur lokalin, e cila edhe pas këtyre ngjarjeve shumë të këqija ka mbetur në vendin e njëjtë. “Bistro” ekziston edhe sot dhe e drejtojnë pasardhësit e tij, e nga atëherë nuk është shënuar asnjë incident.

Në vitin 1999 në Pançevë ka ardhur familja Hoti. Dy vëllezërit, prej të cilëve njëri ka qenë me grua dhe dy fëmijë, kurse tjetri ka punuar për Ushtrinë e Serbisë. Në Pançevë janë shpërngulur sikurse edhe prindërit e tyre, të cilët janë këtu që prej vitit 1996.

“Momenti kyç për shpërngulje ka qenë kur në territorin e Mitrovicës kanë filluar të ndodhin ngjarje siç janë kidnapimet dhe forma tjera të sulmeve ndaj popullatës”, thotë Armend Hoti (58). Ai thotë që sikur të ëndërronin vend më të mirë për të shpërngulur, nuk do mund të gjenin. Armendi e ka lidhur këtë qytet me Mitrovicën pasiqë edhe atje, sikurse edhe këtu, është karakteristikë që në një qytet jetojnë shumë kombe të ndryshme.

Armend Hoti: Në Pançevë kam krijuar miq
Armend Hoti: Në Pançevë kam krijuar miq

“Që prej vitit 1996 kur i kam sjellë prindërit në Pançevë, deri më 1999, kam ardhur në këtë qytet pothuajse çdo fundjavë. Këtu kam njohur shumë njerëz dhe kam bërë shumë miq. Menjëherë pas ardhjes këtu kam filluar të punoj në Komandën e sektorit ushtarak në Pançevë. Asnjëherë nuk kam patur problem për shkak të prejardhjes sime, as me kolegët dhe as me njerëzit tjerë nga rrethi im”, thotë Armendi.

Ai nga viti 1999 deri më 2005 ka punuar në ushtri dhe pas kësaj për tre vjet ka qenë i punësuar në Ministrinë për Kosovë. Nga viti 2011 përfshihet në mënyrë aktive në politikë deri në vitin 2013, në pozitën e sekretarit të degës së Partisë Socialiste të Serbisë. Momentalisht është i punësuar në fabrikën HIP Azotara. Në Pançevë është martuar.

E tërë familja më nuk deklarohet për nga përkatësia nacionale, pasi rrjedhin nga martesë e përzier, nëna është serbe nga Lika e Kroacisë kurse babai shqiptar nga Kosova. Kur është hequr kategoria jugosllav si mundësi për përgjigje adekuate, është bërë e pamundur që të përgjigjen në pyetjen mbi kombësinë. Armendi me shaka thotë që në ushtri e ka shkruar “shqiptar serb”, pasi nuk ka dashur që asnjëri prej prindërve të tij të hidhërohet.

Në territorin e Pançevës nuk ka organizata apo shoqata të shqiptarëve. Armend Hoti është anëtar i shoqatës së qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, e cila është e vendosur në Beograd. Siç thotë, kjo shoqata punon në ofrimin e ndihmës për njerëzit nga Kosova, pasi edhe më tutje ka të tillë të cilët janë të lënë dhe jetojnë në qendra kolektive. Siç thotë, për një pjesë të personave të zhvendosur jeta është ende e vështirë, kurse kthimi në Kosovë edhe më i vështirë.

“Rroftë miqësia shqiptaro-serbe”

Edhe një valë e dhunës ka ndodhur në vitin 2004, kur nga territori i Kosovës janë larguar rreth 4.000 serbë. Serbët në Serbi janë përgjigjur me djegien e xhamive në Beograd dhe Nish, dhe pas kësaj në Kosovë janë shkatërruar më tepër se 30 objekte fetare të Kishës Ortodokse Serbe. Në këtë periudhë ka ndodhur sulme të reja ndaj shqiptarëve në Vojvodinë.

Megjithatë, Pançeva nuk i ka vështruar në heshtje këto trazira. Njëra nga ngjarjet për të cilat është folur me të madhe ka qenë aksioni i shkrimit të grafitit në ndërtesën e Administratës së Qytetit, të cilën e ka vendosur së bashku me drejtorin artistik të gazetës “Pançevac”, redaktori kryesor përgjegjës i atëhershëm Nenad Zhivkoviq. Ky akt, siç kanë shkruar mediat, e ka ndarë qytetin, ka patur presione nga të gjitha anët…

“Dëgjojmë, vijnë lajme të këqija nga Kosova, digjen shtëpitë serbe, çmenduri, egërsirë, viktima, të lënduar, të vrarë. Vetëvetiu tmerr. Më pas vijnë lajmet: digjen xhamitë në Nish dhe Beograd, policia natyrisht nuk vëren asgjë. Dhe Dunja Shashiq, e cila atëherë ka qenë drejtoresheshë artistike e “Pançevac”-it, thotë: “Zhiks, nuk mund të vazhdojë kjo kështu, duhet të ndërmarrim diçka, nuk mund të kalojë kjo pa reagimin tonë”, kujton Nenad Zhivkoviq. Më pas, thotë, kanë vendosur të shkruajnë disa parulla kundër dhunës, luftës, vrasjeve, respektivisht disa të cilat do të sjellin mesazhe paqeje.

“I kam pasur në shtëpi disa kova me ngjyrë për veturë, të cilat kanë mbetur nga aksione të ngjashme të mëparshme, të cilat më pas i kam sjellë në redaksi. E kemi përfunduar atë numër të ‘Pançevac’-it dhe rreth orës 3:15 kemi dalë nga redaksia Dunja dhe unë, gjatë natës, të armatosur me ngjyrë, jemi nisur në aksion direkt politik. Kemi ardhë deri te ndërtesa e Komunës dhe e kemi parë një mur të bukur, të pastër dhe jemi pajtuar që në të të shkruajmë mesazhe. Nuk jemi dakorduar se çfarë porosish do të shkruajmë. Kështu që, Dunja e ka shkruar: ‘Nuk i japim shqiptarët tanë në Vojvodinë’, me shkronja të hirta me alfabet latin, kurse unë e kam shkruar me shkronja të bardha ‘Rroftë miqësia shqiptaro-serbe’ në gjatësi, në shkrojna cirilike. Kjo ka qenë e rëndësishme për interpretimet e mëvonshme.

Ka mbetur e paqartë nëse na ka vërejtur roja e Komunës dhe e ka thirrë Policinë apo polici ka hasur rastësisht, sidoqoftë ka ardhë një person i uniformuar – pjesëtar i MPB-së së Serbisë. Na ka përshëndetur dhe na ka pyetur çfarë jemi duke bërë. I kam thënë: ‘Asgjë, jemi duke shkarravitur pak nëpër qytet’. Na ka kërkuar dokumentet personale, na ka identifikuar dhe na ka shënuar në bllokun e shënimeve. I kam thënë që dua të bëj diçka kundër dhunës, vrasjeve dhe çmendurisë. Më ka thënë që e di, që ka qenë në Kosovë. Ai ka patur përvojë direkte në lidhje me diçka për çka ne dëgjojmë vetëm nga mediat. Më duhet të them që ka qenë ‘polic në shërbim të qytetarëve’. Ka qenë shumë korrekt, i sjellshëm dhe i qartë, dhe ka thënë pak a shumë: “Mos bëni më kështu, e shihni si është situata, e tensionuar, mos bëni më gjatë natës gjëra të tilla”, dhe na ka kthyer dokumentet.

As nuk kemi dashur të bëjmë këtë më tutje, pasi që e kemi bërë atë që kemi dashur. Jemi përshëndetur me të dhe jemi ndarë. Kam shkuar në shtëpi rreth orës katër, kam fjetur shumë pak, rreth orës 7:30 më ka cingërruar telefoni. Më ka telefonuar kolegu nga RTS-i dhe më ka pyetur: ‘Çfarë lidhjesh ke ti me këtë që ka ndodhur mbrëmë?’. Kam qenë i kujdesshëm, as nuk e kam mohuar as nuk e kam pranuar…”, thotë Zhivkoviq.

Nenad Zhivkoviq: Kemi shkruar grafite kundër dhunës.
Nenad Zhivkoviq: Kemi shkruar grafite kundër dhunës.

Kundër Zhivkoviqit atëherë është organizuar fushatë mediatike, por ka ekzistuar edhe një numër gazetash të cilat e kanë paraqitur situatën ashtu siç është. Një pjesë e pushtetit të atëhershëm të Pançevës, e cila është themeluese e gazetës “Pançevac”, ka tentuar të zëvendësojë redaktorin kryesor. Mirëpo, nuk ka ndodhur kjo, kurse Zhivkoviq është larguar nga vendi i redaktorit të “Pançevac”-it pak më vonë.

Pak janë ata që urrejnë

Viti 2004, sikurse edhe 1999, ka qenë më shumë i përcjellë me ardhjen e refugjatëve të rinj, përkatësisht personave të zhvendosur, të cilët kanë gjetur strehim në Pançevë, se sa me trazira.

“Vala e re e njerëzve të cilët janë përndjekur nga vatrat e tyre, nuk ka sjellë asgjë që nuk ka qenë e njohur për banorët e këtij qyteti”, konsideron Zoran Graovac nga Administrata për Refugjatë e Qytetit të Pançevës.

Vala e parë e personave të zhvendosur nga Kosova ka sjellë 1.600 njerëz. Mes tyre kanë qenë edhe disa të kombësisë shqiptare. Ata kryesisht kanë qenë të tillë që e kanë përkrahur shtetin e Serbisë, sikurse edhe romët nga ai territor. Momentalisht në Pançevë ka 1,388 persona të cilët janë të regjistruar si të zhvendosur.

“Pançeva është qytet specifik, pasi që këtu veçse ka patur refugjatë nga Bosnja dhe nga Kroacia, kështu që ardhja e të zhvendosurve nga Kosova ka qenë vetëm një pikë ujë në det. Në një moment 10 për qind e popullsisë kanë qenë refugjatë”, thotë Zoran Graovac.

“Që dikush të nënçmojë dikë – nuk e ka nënçmuar, që dikush të ketë problem – nuk ka patur. Askush nuk ka ardhur te ne të ankohet që nuk ka qenë i pranuar te mjeku apo që ndonjë fëmijë ka patur problem në shkollë pasi që ka qenë nga Kosova. Kjo asnjëherë nuk ka ndodhur. Askush nuk ka dalë të ankohet që nuk mund të arrijë diçka. Këta kanë qenë qytetarët tanë, të cilët janë shpërngulur dhunshëm. Njerëzit nga Kosova janë përshtatur mirë me rrethin, pa asnjë problem, që është mirë. Romët nga Kosova që kanë punuar në mbledhjen e mbetjeve sekondare, këtë e bëjnë edhe më tutje, kalojnë nëpër qytet, askush nuk i ngacmon”, thotë Graovac.

Gazeta “Politika” shkruante: Redaktori i “Pançevac” mbron shqiptarët
Gazeta “Politika” shkruante: Redaktori i “Pançevac” mbron shqiptarët

Në Pançevë, për shkak të situatës më të mirë ekonomike, kanë ardhur edhe më herët njerëzit nga Kosova.

Familja Krivokapiq nga Mitrovica ka ardhur në Pançevë në vitin 1995. Ata si arsye të vendbanimit e kanë theksuar gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë. Motiv shtesë që të vijnë pikërisht në Pançevë ka qenë fakti që anëtarët e familjes së tyre të gjerë veçse kanë jetuar në këtë qytet.

Gjatë tërë kohës sa kanë jetuar në Pançevë nuk kanë patur probleme. Nuk kanë qenë të margjinalizuar, as të nënçmuar. Mirëpo, për shkak të vdekjes së bashkëshortit në vitin 2005, nëna me dy fëmijë është kthyer në Mitrovicë, ku jeton edhe tani. Siç e shpjegon vajza, për kthim në Mitrovicë është dashur përshtatje më e madhe, pasi që ky mjedis është shumë më i ndryshëm nga ai në Pançevë. Vëllai i saj më me dëshirë do të kthehej në Pançevë dhe të do të vazhdonte të jetonte në këtë qytet.

“Të gjithë njerëzit të cilët i njoh nga Mitrovica dhe që jetojnë në Pançevë asnjëherë nuk kanë patur probleme në atë qytet dhe shumë mirë janë pritur. Ne kemi shkuara atje nga këtu dhe jemi kthyer, jo për shkak të problemeve, por për shkak të jetës më të mirë e cila na është mundësuar me këtë”, thotë Milica Krivokapiq.

Lazar Stojoviq: Çdo herë ka të tillë që kanë komente negative
Lazar Stojoviq: Çdo herë ka të tillë që kanë komente negative

Në mesin e pançevasve mund të gjinden edhe ata të cilët kanë ardhur në këtë qytet shumë kohë para fillimit të luftës në Kosovë. Lazar Stojoviq ka ardhur në Pançevë kur ka qenë dhjetëvjeç së bashku me prindërit dhe motrën. Në vitin 1981 kanë filluar siç thotë ai demonstratat e shqiptarëve. Për këtë arsye është shpallur ora policore.

“Kjo do të thotë ndalim qarkullimi për banorët nga ora tetë në mbrëmje deri në ora gjashtë në mëngjes. Këtë e kujtoj, që si fëmijë është dashur të shkojë në shtëpi kur kam qenë duke u shoqëruar me shokë, edhe pse jashtë ende ka qenë ditë. Mbi Prishtinë kanë flutuar avionët luftarakë, kurse natën nëpër rrugë kanë kaluar tanket”, thotë Lazari.

Familja Stojoviq në Pançevë nga Prishtina ka ardhur rastësisht. Babai në gazetën “Politika” e ka parë një shpallje për inxhinier të gjeodezisë. Në këtë qytet nuk e kanë patur askënd. Nëna ka punuar si juriste në Prishtinë, në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Kosovë dhe nuk ka mundur ta lëshojë punën. Ajo ka ardhur një vit më vonë.

“Motra dhe unë jemi regjistruar në SHF ‘Gjura Jakshiq’ dhe më duhet të pranoj që shumica na ka pranuar mirë, por ka patur edhe të tillë të cilët na kanë quajtur ‘shiptari’, dhe në këtë kam reaguar ashpër. Menjëherë do të filloja të rrihesha dhe shpeshherë kam shkuar në bisedë me psikologun dhe drejtorin. Ata kanë qenë në anën time, pasi i kanë kuptuar frustrimet e një dhjetëvjeçari”, thotë Lazari tani dyzetepesë vjeç.

Thotë që shoqëria në përgjithësi e ka pranuar mirë. Por që çdo herë janë ata që kanë disa komente negative.

“Ka ende njerëz që më quajnë ‘shiptar’, edhe pse jam këtu plot 35 vjet. Mund të them që nuk kam patur ndonjë problem më të madh, por që punëtorët e administratës e kanë komentuar vendin tim të lindjes. Megjithatë, pas ngjarjeve të viteve nëntëdhjetë edhe kjo ka përfunduar, pasi që ka patur njerëz nga të gjitha anët. Pançeva, si qytet industrial i ka tërhequr njerëzit nga të gjitha anët”, përfundon Lazari.

(Foto: Aleksandar Stojkoviq)

(Shkrimi “Pançeva: miqësia shqiptaro-serbe nuk është vetëm një mesazh në mur”, është krijuar si pjesë e projektit “Njerëz të vërtetë – zgjidhje të vërteta”, i cili është financuar me mjete të BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e Shoqatës “013INFO” nga Pançeva dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Evropian).