Foto: Drejtësia në Kosovë

Pallati i Kryetarit në Parkun e Komunës së Shtimes

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, vëllai i drejtorit të kadastrës dhe asamblisti i PDK-së, Jakup Ismajli, janë bërë pronarë të një të katërtës (çerekut) të një ndërtese tetëkatëshe në këtë komunë. Rruga deri te pronësia mbi një pjesë të ndërtesës shumëkatëshe përmban disa vendime kundërthënëse të Kuvendit Komunal të Shtimes dhe disa marrëveshje biznesore jo-ekonomike.

Hulumtim i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se Komuna e Shtimes për disa vite kishte bllokuar shitjen e pronave të qytetarëve serbë. Tre vjet më pas të njëjtit komunarë shfuqizuan vendimin e u bënë pronarë të asaj prone duke projektuar në to ndërtimin e shumëkatësheve.

Sipas të gjeturave të emisionit, pronarët serbë tre vjet nuk ishin lejuar t`i shisnin pronat e tyre të cilat me vendimin e kuvendit komunal ishin shpallur zonë me interes të veçantë. Në atë zonë ishte projektuar një park për qytetarët. Më vonë, vendimi ishte shfuqizuar me arsyetimin se prona ishte e papërshtatshme për ndërtesa publike dhe për park. Ata u lejuan që t`i shesin pronat e tyre vetëm tre vjet pasi komuna hoqi dorë nga pronat në fjalë. Fillimisht pronën nga familja Stakiq e kishte blerë Shkëlzen Qerimi, i njohur në publik si humorist.

Vetëm disa ditë më pas, ai pronën ia shiti kryetarit të Shtimes Naim Ismajli dhe dy shokëve të kryetarit, përkundër që kishte plane për të bërë një ndërtesë komerciale shumëkatëshe. Pronën ua shiti me kushte. Pasi ua shiti pronën, ai sërish ua mori atë me koncesion duke filluar ndërtimin e pallatit shumëkatësh. Sipas marrëveshjes, kryetarit dhe shokëve të tij i takon rreth 23 për qind e ndërtimit, apo së paku dy kate të ndërtesës për të cilën kryetari dhe dy të tjerët gjithsej  kanë paguar 60 mijë euro. Pra, kryetari me miqtë e tij ka përfituar çerekun e ndërtesës tetëkatëshe me vetëm 60 mijë euro.

shtime111
Pallati është ndërtuar në zonën që ishte projektuar si park. Kryetarit dhe shokëve të tij i takon rreth 23 për qind e ndërtimit

Projektimi i parkut në pronën e qytetarëve serbë

Gjithçka kishte nisur në vitin 2012, kur Asambleja Komunale e Shtimes, me iniciativën e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike mori vendimin që dy parcela me pronarë nga komuniteti serb të shpalleshin zonë me interes të veçantë për qytetarët dhe aty të ndërtohej një park i vogël.

Kjo iniciativë u përkrah nga të gjitha partitë në këtë komunë, përfshirë edhe partinë e kryetari Naim Ismajli, Partinë Demokratike. Dy parcelat me pronarë serbë në Rrugën “Imer Devetaku” në Shtime u bënë të komunës, ndërsa pronarët duhej të kompensoheshin.

Gjithçka ishte në rregull më këtë vendim të asamblesë, derisa situata nuk ndërroi rreth tre vjet më vonë.

Sipas procesverbalit  të mbledhjes së 4 prillit 2015, mbledhje kur komuna kishte hequr dorë nga pronat që i kishte shpallur me interes për qytetarët, shihet se iniciativa që komuna të heqë dorë nga parcelat në fjalë ka ardhur pikërisht nga Drejtoria e Kadastrës që udhëhiqet nga Mehdi Salihu. Mehdiu është vëlla me Hasan Salihun, i cili është bashkëpronar i ndërtesës së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes.

Drejtori i Kadastrës Mehdi Salihu, e mohon të ketë iniciuar drejtoria e tij heqjen dorë nga pronat që komuna i shpalli me interes.

Por, hulumtimi i ekipit të emisionit në arkivat e vendimeve të asamblesë së kuvendit ka dëshmuar se ishte vetë drejtori i kadastrës Mehdi Salihu që kishte iniciuar që komuna të heqë dorë nga prona ku ishte planifikuar ndërtimi i një parku, vendi ku sot kryetari me shokë po ndërton pallat shumëkatësh.

“Hasan Salihun e kam vëlla, për të cilin që 22 vjet, apo që nga koha që kemi shkuar në Gjermani ne si familje dhe ai jemi të ndarë. Ai e ka biznesin e tij privat dhe asgjë, as nuk i jap llogari atij individi dhe as nuk jep llogari. Z, Salihu ka një shoqëri qysh paraprake me këta dy individë që i përmendët ju (Naim Ismajlin dhe Jakup Ismajlin). Ai ka një shoqëri të hershme me këta dy persona, kështu që asgjë nuk na lidh përveç pjesa vëllazërore”, ka deklaruar drejtori i kadastrës Mehdi Salihu, i cili siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kishte iniciuar procedurat e heqjes dorë të komunës nga parcelat ku u bë pronar vëllai i tij Hasan Salihu.

Bashkëpronari i ndërtesës Hasan Salihu nuk ka pranuar të intervistohet nga “Drejtësia në Kosovë”.

E në një përgjigje me shkrim për emisionin ka thënë se nuk e ka ditur që prona ka qenë e shpallur zonë me interes për komunën.

“Oferta është bërë nga shitësi i pronës dhe nga dr. Jakup Ismajli, ku punojmë në të njëjtin objekt. Me vëllanë tim kam biseduar vetëm pasi e kam blerë pronën. Unë s`kam ndikuar tek vëllai që komuna ta anulojë vendimin e viti 2012 për pronat,” shkroi Salihu.

Jakup Ismajli, pronari i dytë, asamblisti i partisë së kryetarit të komunës kishte marrë pjesë në dy votimet që janë bërë për shpalljen zonë të interesit e me vonë edhe anulimin e këtij vendimi të asamblesë komunale. Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, asamblisti Ismajli në debatin komunal kur u votua që komuna të heqë dorë nga dy prona, kishte thënë se janë me interes të përgjithshëm. E tre vjet më vonë kishte votuar pro që komuna të heqë dorë.

“Unë kam qenë pjesë e asaj legjislature kur janë votuar këto dy parcela zonë me interes. Edhe unë kam votuar për këtë. Pse është propozuar për këto dy parcela as unë se kam pasur të qartë dhe asnjëherë kuvendi komunal nuk ka ofruar ndonjë projekt për këto dy parcela. Kam votuar prapë për anulimin e këtij vendimi, sepse komuna nuk ka shprehur interesim për këto dy parcela”, ka deklaruar asamblisti Ismajli.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Naim Ismajli, e sheh krejt normale që në vendin ku kishin menduar ta ndërtonin një park, sot po ndërtohet një pallat shumëkatësh, ku ka hise ai së bashku me shokë.

Kryetari Ismajli  ka deklaruar për “Drejtësia në Kosovë” se prona në vitin 2012 ishte shpallur me interes të veçantë pa ndonjë analizë të mirëfilltë dhe se asokohe nuk ishte analizuar si duhet nga asambleja interesi i përgjithshëm. Ai madje ka deklaruar se prona në fjalë nuk i kishte plotësuar kriteret për objekt publik.

Rrugët e ngushta ishin pengesë për kryetarin që të ndërtoheshin objekte publike, mirëpo ato nuk paraqitnin asnjë problem që aty të ndërtoheshin banesa kolektive shumëkatëshe ku ai do të jetë një nga pronarët.

“Atëherë kur është shpallur me interes, nuk është shpallur me ndonjë plan se për çka do të jetë me interes. Sepse pastaj është bërë edhe plani urbanistik edhe plani zhvillimor i qytetit, ku kjo parcelë është destinuar për ndërtime. Fillimisht janë për ndërtime të larta, sepse ashtu do të thotë kuvendi e ka paraparë kah mund të zgjerohet qyteti dhe në cilën pjesë mund ta absorbojmë koeficientin maksimal të etazhitetit me qëllimin që ta ruajmë tokën. Dhe tani komuna është tërhequr, sepse nuk e kemi parë interesin dhe as nuk i ka plotësuar kushtet për ndërtimin e ndonjë objekti publik”, ka deklaruar kryetari Ismajli.

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se deri te blerja e kësaj prone nga ana e kryetarit Naim Ismajli me shokë, gjithçka ishte mbuluar “me letra”.

Fillimisht, asambleja e komunës e cila për tre vjet e kishte bllokuar pronën e serbëve që të mos shitej, sepse aty duhej  të ndërtohej një park, vendosi që t`ua kthejë sërish pronarëve serbë.

Në të njëjtën lagje Komuna e Shtimes tashmë i kishte përfunduar edhe planin urban, ku lejohej ndërtimi i lartë.

Rishitja e dyshimtë e pronës

Sipas asaj që transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Naim Ismajli e quan rastësi se ai sot është njëri nga pronarët në pronën ku ishte planifikuar të ndërtohej park për interesin e qytetarëve shtimjanë.

“Tash kur po bisedojmë është më tepër koincidencë, por tash ta them pas një kohe ndoshta është vështirë edhe të besohet edhe prej juve, edhe prej dikujt, por, as s`ka qenë ideja që unë të jem në atë proces. Pas blerjes së parë pas tre, apo katër muajsh nga periudha e blerjes, unë kam pas ofertën nga këta dy miqtë që të jem një nga bashkëpronarët. Fillimisht ka qenë refuzimi im, mirëpo më vonë mundësit e mia kanë qenë që të jem njëri nga tre dhe kam vendosur”, ka deklaruar ai.

Kryetari Ismajli ka thënë se janë dy arsye që kanë ndikuar që ai të futet në blerjen e pronës të cilën komuna nën udhëheqjen e vetë atij si kryetar nuk e kishte lejuar të shitej për më shumë se tre vjet.

“Kanë qenë dy arsye, sigurisht se njeriu e sheh edhe interesin, sepse pa interes nuk blihet asgjë, ka qenë një prej arsyeve interesi në këtë rast. Dhe procesi i rregullt e dyta dhe e treta në këtë rast ka qenë edhe një mbështetje e atyre të dyve d.m.th. se mund të bëjmë diçka të mirë bashkërisht”, ka deklaruar kryetari Naim Ismajli, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Sipas të gjeturave të emisionit, pronarët serbë tre vjet nuk ishin lejuar t`i shisnin pronat e tyre të cilat me vendimin e kuvendit komunal ishin shpallur zonë me interes të veçantë. Ata u lejuan që t`i shesin pronat e tyre vetëm tre vjet pasi komuna hoqi dorë nga pronat në fjalë. Fillimisht pronën nga familja Stakiq e kishte blerë Shkëlzen Qerimi, i njohur në publik si humorist.

Vetëm disa ditë më pas, ai pronën ia shiti kryetarit të Shtimes Naim Ismajli, asamblistit Jakup Ismajli dhe Hasan Salihut, vëllait të drejtorit të kadastrës Mehdi Salihu.

Dhe pasi ua shiti pronën, humoristi Qerimi sërish ua mori atë me koncesion duke filluar ndërtimin e pallatit shumëkatësh. Sipas marrëveshjes, kryetarit dhe shokëve të tij u takon rreth 23 për qind e ndërtimit, apo së paku dy kate të ndërtesës për të cilën kryetari dhe dy të tjerët gjithsej kanë paguar 60 mijë euro. Pra, kryetari me miqtë e tij ka përfituar çerekun e ndërtesës gjashtëkatëshe me vetëm 60 mijë euro, apo secili nga 20 mijë euro.

E këtë mundësi ua ka dhënë humoristi. Siç faktoi hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Shkëlzen Qerimi pronën të cilën e kishte blerë nga pronari serb 60 mijë euro, disa ditë më pas e kishte shitur te kryetari i komunës Naim Ismajli dhe dy shokët e tij 60 mijë euro. Kjo shitje sipas asaj që shihet në dokumente nuk i ka mbuluar për investitorin Shkëlzen Qerimi as shpenzimet për kontratat noteriale.

“Unë s’kam fituar asnjë euro nga shitja e pronës, sepse kushti me blerësit ka qenë që të ma japin pronën me koncesion për të ndërtuar. Unë e kam shok dr. Jakupin, me të e kam kryer pazarin, pastaj ai i ka marrë të tjerët. Unë nuk jam në njohuri se prona ka qenë e shpallur më parë zonë me interes për komunën, nuk me ka interesuar”, ka thënë në përgjigjen e tij për “Drejtësia në Kosovë”, Shkëlzen Qerimi.

Opozita akuzon kryetarin për keqpërdorim të asamblesë

Derisa për kryetarin Naim Ismajli dhe shokët e tij gjithçka duket krejt normale që një vendim i komunës i cili shkonte në interes të qytetarëve të Shtimes të hidhej poshtë me një vendim tjetër të asamblesë, ndryshe e sheh opozita në këtë komunë.

Përfaqësuesit e tri partive opozitare e akuzojnë kryetarin se ka keqpërdorur asamblenë për interesa të ngushta personale dhe të njerëzve të tij të afërt. Selim Shabani nga LDK-ja, thotë se anulimi i vendimit të vitit 2012 ka ndodhur pa prezencën e opozitës.

“Kjo na tregon se nuk ka qenë në pyetje interesi i qytetarit, por ka qenë prona e cila më vonë po del se është tjetërsuar dhe blerë prej pronarëve që tashëm po i dini edhe ju”, ka deklaruar Shabani.

Isak Musliu nga AAK-ja, thotë se edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa kishte votuar kundër propozimit të Drejtorisë së Urbanizmit që komuna të heqë dorë nga pronat ku ishte planifikuar ndërtimi i një parku.

“Kam votu kundër që prona t`i kthehej pronarit serb, sepse ka qenë e mjegullume që komuna të heqë dorë nga ajo pronë që e kishte shpallur me interes të veçantë”, ka thënë Musliu.

Sipas përfaqësuesit të LVV-së në Kuvendin Komunal të Shtimes Labinot Beqa, komuna për më shumë se tre vjet ka mundur t`i sigurojë mjetet për shpronësimin e parcelave, mirëpo sipas tij kjo nuk është bërë qëllimisht për shkak të interesave të ngushta të kryetarit dhe dy shokëve të tij.

“Është shfrytëzim i pozitës mbi të gjitha, për arsye se kjo ka mundur të bëhet-një buxhet për ato dy parcela nuk ka qenë edhe shumë shtrenjtë në atë kohë. Mirëpo kjo nuk i ia konvenuar dhe tash po shihet që kjo nuk i ka konvenuar vetë kryetarit dhe njerëzve të afërt të tij”, ka thënë Beqa.

Hulumtim i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se Komuna e Shtimes për disa vite kishte bllokuar shitjen e pronave të qytetarëve serbë me arsyetimin se ato duhet të shpronësohen dhe të shpallen zona me interes të përgjithshëm. Tre vjet më pas të njëjtit komunarë shfuqizuan vendimin e u kthyen e i blenë vetë pronat duke projektuar në to ndërtimin e shumëkatësheve.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Rrahman Jakupi, kryesues i Kuvendit Komunal të Shtimes thotë të mos ketë pasur informata se kush do të jetë blerësi i tokës, para se të votohej që toka t’i kthehej pronarit.

“Unë në mbledhjen e fundit të kuvendit kam kuptu që një anëtar i kuvendit, kryetari dhe një person tjetër janë pronarë të kësaj parcele. Mirëpo, me plot bindje e them se ne nuk kemi qenë të vetëdijshëm që i njëjti anëtar i kuvendit ka qenë pjesë e votimit edhe në 2012-ën, edhe tani në 2015-ën. Mirëpo, nuk ka pasur konflikt interesi”, ka deklaruar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes Rrahman Jakupi, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.