Pakoja Fiskale Dështoi të Ulë Çmimet për Qytetarët

Pakoja fiskale e prezantuar nga qeveria e Kosovës në shtator të viti 2015, e cila parashikohej të lehtësonte koston e jetesës për familjet me të ardhura të ulëta, ka dështuar duke mos dhënë rezultatet e pritura.

Ndërsa vlerësohet se kjo pako ka ulur kostot për bizneset, sidomos sa i takon lëndëve të para, ajo nuk ka arritur të ndikojnë në uljen e çmimeve fundore për konsumatorët.

Madje, gjatë periudhës që nga hyrja në fuqi e pakos fiskale të qeverisë e deri në tremujorin e parë të vitit 2016, është vërejtur një rritje çmimesh, çka përkthehet në efektin e kundërt me atë të parashikuar nga Ministria e Financave të Kosovës.

Gjithashtu, supozimi i qeverisë se ulja e kostove për bizneset përmes reduktimit apo lirimit të TVSH-së për disa mallra, do të rezultonte në ulje të çmimeve, thjesht nuk përkon me rregullin universal të kërkesë-ofertës.

Ky eksperiment fiskal filloi në vitin 2015, i cili mund të konsiderohet si vit i risive në fushën e ekonomisë, respektivisht në atë fiskale.

Më 30 mars të vitit të shkuar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën përmbyllëse të misionit, sugjeroi masa shtesë dhe reformë për TVSH-në për rritjen e të hyrave.

Banka Botërore (BB), përmes publikimit të raporteve të saj, bënte thirrje institucioneve të vendit të orientohen në mbledhjen e të hyrave vendore duke parashikuar rënie të të hyrave nga doganat me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Në shtator 2015, qeveria filloi zbatimin e pakos së re fiskale. Me këtë masë reformash të taksave, Kosova filloi të përdorë dy nivele të TVSH-së. Normën standarde 18 për qind dhe atë të reduktuar 8 për qind.

Një sërë lëndësh të para dhe produktesh bazike, si drithërat, mielli dhe prodhimet e brumit, krahas rrymës dhe furnizimit me ujë, por edhe mallra të tjera të natyrës teknologjike dhe IT, iu nënshtruan regjimit të ri fiskal me lirim nga TVSH-ja apo ulje të saj në nivelin 8 për qind.

http://kallxo.com/nga-neser-pergjysmohet-tvsh-ja-e-bukes-dhe-produkteve-esenciale/

Kosova vendosi ta ngrejë normën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 16 për qind sa ishte më parë, në 18 për qind. Ndërkaq, qeveria përshtati një normë të përgjysmuar të TVSH-së, në 8 për qind për produktet esenciale.

Ndërkaq disa mallra të importit – kryesisht lëndë të para – u liruan krejtësisht prej TVSH-së.

Të gjitha bizneset kanë qenë të obliguara qe të bëjnë rregullimet në programet e tyre dhe vendosjen e normave të reja të TVSH-së para datës 1 shtator, kur edhe ka filluar së zbatuari pakoja e re fiskale.

Në shtator të vitit të kaluar, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe shoqatat e bizneseve, u kishin bërë thirrje bizneseve në një konferencë për media që ta lexonin me kujdes pakon e re fiskale dhe të mos ecnin me çmime paushalle.

Sipas ATK-së, diçka e tillë do të ndikonte në një ulje të çmimeve për produktet përfundimtare në treg, duke ulur barrën financiare për familjet në nevojë.

Por, ulja e normës së TVSH-së në nivelin 8 për qind për disa produkte apo lirimi total i disa të tjerave nga TVSH-ja nuk pati asnjë efekt në uljen reale të çmimeve në treg.

Deri më tani rezultati i kësaj reforme, mbetet 8-0, kur për 8 muaj nga hyrja në fuqi e pakos së re fiskale, ndikimi i saj në uljen e çmimeve të tërësishme të konsumit vazhdon të sillet në rreth zero për qind. Madje, më keq se kaq.

Çmimet u rritën, nuk u ulën

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), për muajin shtator me një rënie për 0.4 për qind.

Sipas të dhënave të IHÇK-së, në atë muaj kishte luhatje të ndryshme të çmimeve, kur për disa artikuj që ishte zbritur TVSH-ja, çmimet kishin shënuar rritje dhe për artikujt të cilët ishte ngritur TVSH-ja kishte rënie.

Publikimi këtyre të dhënave për vitin 2015 dhe krahasimi i tyre me ato të vitit 2014 pasqyroi një rënie të çmimeve të konsumit me 0.5 për qind, por muaji dhjetor 2015 në krahasim me muajin paraprak kishte një rënie të çmimeve me vetëm 0.1 për qind.

Ky indeks ishte më i lartë për 0.5 për qind në janar të këtij viti në krahasim me muajin dhjetor të vitit paraprak, por në krahasim me muajin janar të 2015-s shënoi një rritje për 0.2 për qind.

Edhe në muajin shkurt çmimet ishin më të shtrenjta në krahasim me një muaj më parë por edhe në krahasim me shkurtin e 2015-s. Shtrenjtim të çmimeve pati edhe në muajin mars.

Për dallim nga dy muajt e mëparshëm, muaji prill shënoi rënie të çmimeve me -1 për qind në krahasim me një muaj më parë, dhe -0.1 për qind ndaj prillit të vitit të kaluar.

Inflacioni_Ks

Sipas Trading Economics dhe ASK, shkalla e inflacionit në muajin shtator, kur edhe filloi të zbatohet pakoja e re fiskale, ishte -1.2 për qind.

Edhe pse në vlerë negative, kjo shkallë u ngrit drejt zeros apo në -0.8 për qind në muajin tetor, duke iu afruar edhe më tepër nivelit zero në dhjetor me vetëm -0.1 për qind.

Tre muajt e parë të këtij viti shënuan vlera pozitive të inflacionit, për dallim të muajit prill, kur inflacioni ra në shkallën -0.1 për qind.

 

InflationInflacioni

 

Me inflacion kuptohet rritja e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, kur blihen më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi të mjeteve sesa para zhvlerësimit.

Pra, nëse një kilogram patate do të kushtonin 30 cent në muajin X, në muajin pasardhës Y, ato kushtojnë 35 cent. Kjo do të thotë se me 30 cent, tashmë blihet më pak se një kilogram patate.

Praktikisht, rritja e çmimeve quhet inflacion.

‘Ulje çmimesh’ apo ‘djallëzi e gatuar’?

Në përgjigje të pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë mbi efektet e pakos së re fiskale në çmimet e konsumit nëntë muaj nga hyrja në fuqi e saj, Ministria e Financave tha përmes emailit se pakoja fiskale ishte dizajnuar për të mbështetur bizneset dhe konsumatorët.

“Ndryshimet e fundit në politikat fiskale kanë pasur qëllime mjaft të qarta dhe të targetura, si në pjesën e mbështetjes së bizneseve prodhuese vendore, ashtu dhe në pjesën e mbështetjes së konsumit të produkteve bazike-elementare.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti | Foto: MF

“Ashtu siç është pritur gjatë dizajnimit të kësaj pakoje, ulja e TVSH-së është reflektuar në masën e saj të plotë në çmimet e rregulluara. Më specifikisht, në çmimet e energjisë elektrike, pastrim, ngrohje dhe furnizim me ujë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria e Financave më tej thotë se për produktet ku fuqia konkurruese është një prej determinuesve kryesorë të nivelit të çmimeve, ashtu siç është pritur, vërehet një reflektim i kësaj uljeje në mënyrë më graduale.

“Ashtu siç është raportuar edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet në përgjithësi kanë shënuar rënie, kjo rënie para se gjithash është ndihmuar edhe nga faktorët e jashtëm por gjithsesi është mbështetur edhe nga ulja e nivelit të TVSH-së për produktet e caktuara”, shton ministria.

Në fakt, të dhënat nga agjencia e statistikave, të përmendura më lart, tregojnë se jo vetëm nuk ka pasur rënie të çmimeve në përgjithësi, por ka pasur rritje të tyre, çka është një tregues empirik se pakoja fiskale mund të ketë pasur efektin e kundërt.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka vlerësim të kundërt me atë të Ministrisë së Financave për pakon e re fiskale dhe efektet e saj për konsumatorin.

Sipas tij, është injoruar qytetari konsumator dhe se kjo pako nuk i është dedikuar atyre por ekskluzivisht bizneseve.

“Siç ju kujtohet, pakoja fiskale qe promovuar me asociacionet e bizneseve. Kjo lë të kuptohet se qeveria, Ministria e Financave, ATK-ja, Doganat… akoma pretendojnë se taksa/tatimpaguese janë bizneset e jo qytetari blerës, palë, klient, përdorues, shfrytëzues, shijues, konsumues i prodhimeve, mallrave e shërbimeve”, tha Kaçaniku.

Më tej, Kaçaniku thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se organizata që ai përfaqëson ka paralajmëruar për rrezikun e ngritjes së çmimeve.

“Mund ta them atë që organizata “Konsumatori”, pas kërkesës për përshkallëzimin e TVSH-së, e pati deklaruar publikisht se ekziston rreziku që bizneset t’i ngrisin çmimet për aq sa ulja e TVSH-së do të krijojë hapësirë”, tha ai.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku | Foto: Facebook

Kaçaniku pretendon se askush nga vendimmarrësit nuk i mori parasysh këto vërejtje.

“Një injorim i tillë na ushqen dyshimin se pakoja fiskale ishte një djallëzi e gatuar për interesa grupore, njësoj siç ishte falja e borxheve, falje kjo që ishte dizajnuar për ‘dosta e jarana’”, theksoi ai.

‘Në emër të popullit’

Pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Financave se pakoja fiskale ka sjellë rënie të çmimeve për konsumatorët fundorë, çka përgënjeshtrohet nga agjencia e statistikave, ata thonë se ekonomia ka përfituar.

Ministria thotë se si rezultat i lirimit nga TVSH-ja në kufi për produktet dhe lëndën e parë për qëllime të prodhimit, ka një ngritje në importin e këtyre të mirave dhe rrjedhimisht pritet një ngritje më të përshpejtuar të aktivitetit të gjithmbarshëm ekonomik në vend.

Por, në një mbledhje të qeverisë në 2 shtator, një ditë pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale, Kryeministri Isa Mustafa nuk kishte përmendur vetëm përfitimet biznesore dhe ekonomike.

“Nga pakoja fiskale, konkretisht nga ulja e pragut të TVSH-së, nga 16 në 8 për qind, përfitojnë gjithë qytetarët ose shportat familjare të qytetarëve që kanë të ardhura të ulëta dhe të ardhura të mesme”, tha Mustafa.

Kryeministri shfaqi bindjen se pakoja mbron standardin e jetesës.

“Nuk përfitojnë ata që kanë të ardhura të larta, sepse struktura e mallrave që konsumohen është e tillë që është destinuar që të përfitojnë ata që kanë të ardhura me të ulëta dhe të mesme në mënyrë që të mbrohet standardi i jetesës, familjeve dhe të qytetarëve dhe po ashtu përfitojnë bizneset”, tha ai.

Qartazi, pakoja fiskale e qeverisë ka dështuar të ndikojë pozitivisht familjet në nevojë përmes uljes së çmimeve, duke qenë se çmimet thjesht nuk janë ulur që prej 9 muajsh që nga zbatimi i saj.

Sipas treguesve të publikuar, vetëm bizneset mund të kenë përfituar nga pakoja fiskale, por jo konsumatorët me përjashtim ndoshta të çmimeve të rregulluara të rrymës dhe të furnizimit me ujë.

Ndërsa kostot për bizneset kanë rënë ndjeshëm nga lirimi i TVSH-së për disa mallra apo ulja e saj në 8 për qind për disa të tjera, çmimet në treg kanë mbetur njësoj apo janë rritur.

Kjo diferencë mes kostove të zvogëluara dhe çmimeve kryesisht të pandryshuara ka shkuar si përfitim i pastër për bizneset, apo “ekonominë”, siç preferon t’i quajë Ministria e Financave.

Gjithashtu, supozimi i qeverisë se ulja e kostove do të rezultonte në ulje të çmimeve fundore, është jorealist, dhe sipas teorive të provuara ekonomike, mund të konsiderohet edhe naiv.

Kjo ngase çmimet nuk i përcakton domosdoshmërisht vëllimi i kostove për gjenerimin e një produkti apo shërbimi, por kërkesa dhe oferta në treg.

Si rrjedhojë, sa kohë që qeveria nuk kontrollon çmimet, siç është deri-diku rasti i rrymës dhe ujit, ulja e kostove për bizneset jo domosdoshmërisht do të rezultojë në ulje të çmimeve, madje ato edhe mund të rriten.

Vetë qeveria duket se e ka kuptuar, në mos e ka ditur më herët, këtë rregull të ekonomisë së lirë, çka pohohet edhe nga vetë Ministria e Financave.

“Republika e Kosovës me bazën e saj ligjore dhe kushtetues është garantues i ekonomisë së tregut të lirë dhe roli i saj në ekonomi është krijimi i një ambienti të favorshëm legjislativ i cili mundëson që fuqia konkurruese e bizneseve të jetë përcaktues i ofertës dhe kërkesës në treg”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Si arkitekte e pakos fiskale, Ministria e Financave pranon se si ekonomi e tregut të lirë [që supozohet të jetë Kosova] pritet që “konkurrenca në ekonomi të jetë shtytësi dhe rregulluesi i çmimeve në treg”.

Në fakt, “konkurrenca në ekonomi” vendosi që për 9 muaj rresht, çmimet fundore të mbeten përgjithësisht të pandryshuara apo me ndonjë rritje të lehtë, por kurrsesi të ulen.

Pakoja e re fiskale kishte paraqitur disa aspekte të diskutueshme që në fillimet e saj.

Dritëhijet e Pakos së re Fiskale