Pagesa e Dyfishtë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) arriti të shpenzojë vitin e kaluar 17 milionë e 900 mijë euro më pak sesa kishte parashikuar për furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

Tarifat e energjisë elektrike janë të bazuara kryesisht në koston e furnizimit, prandaj me të drejtë Zyra e Rregullatorit për Energji kishte urdhëruar KEK-un t’i kthejë paratë e konsumatorëve – përmes investimeve në rrjetin e energjisë ose ndërprerjeve të rrymës.

Bazuar në vendimet e Zyrës së Rregullatorit paratë duhet të shkojnë në kompaninë private, të themeluar rishtazi, KEDS, e cila menaxhon rrjetin energjisë elektrike në Kosovë.

Shumë konsumatorë mezi arrijnë t’i paguajnë faturat e energjisë, të cilat janë shumë të larta krahasuar me të ardhurat mesatare dhe që pritet të rriten edhe më shumë bazuar në të dhënat e publikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Shumë zona kanë ndërprerje të shpeshta të energjisë prandaj do të ishte e rrugës që korporata energjetike si pronë e taksapaguesve të bënte diçka për ta.

Megjithatë, KEK-u ka hedhur poshtë një mundësi të tillë duke e kontestuar vendimin e Rregullatorit të Energjisë në gjykatë.

KEK-u këmbëngul se rregullatori i ka të dhënat e gabuara ndërsa thotë se ka shpenzuar më pak energji për shkak të kërkesës më të ulët.

Visar Azemi, nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm, ku BIRN-i është anëtar, thotë se dilema e KEK-ut është e thjeshtë.

“KEK-u i ka shpenzuar këto para prandaj nuk ka se si t’i kthejë ato në KEDS”, thotë Azemi, i cili ka analizuar këtë rast.

“Për fat të mirë”, qeveria ka ndërhyrë duke premtuar se do t’i ofroj KEK-ut 17 milionë e 900 mijë euro si subvencion.

Këto para duhet të miratohen nga Kuvendi i Kosovës, i cili në rast se e miraton këtë kërkesë do të gabohej.

Nëse qeveria i siguron këto para atëherë i bie që tatimpaguesit në fakt do të paguanin për paratë që KEK-u i ka shpenzuar pavend.

Në rastin më të mirë, do të duhej që qeveria përmes organeve kompetente të hetonte se çfarë ka ndodhur me 17 milionë e 900 mijë euro dhe t’i kthente ato në mënyrë që tatimpaguesit të mos paguajnë sërish të njëjtën shumë.

Edicioni më i ri i gazetës Prishtina Insight është botuar të premten dhe përmban edhe një reportazh për komunitetin kosovar LGBT.