Rrënoja të një shtëpie në Grubori të djegur gjatë luftës. Foto e bërë në vitin 2014. Foto kortezi e Marko Sjekavica.

Operacioni 'Stuhia', Krimet e Pandëshkuara edhe Pas 22 Vitesh

Ditën e premte OJQ-ja me qendër në Zagreb, “Documenta – Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën” ngriti një ankesë penale në zyrën e prokurorit kroat për krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas operacionit ushtarak “Stuhia” në gusht të vitit 1995.

“Documenta” paraqiti ankesën kundër autorëve të panjohur që qëlluan dhe vranë dhjetë civilë, kryesisht të moshuar serbë, në fshatin Uzdolje dhe fshatrat përreth, pranë qytetit kroat të Kninit.

Gjatë kërkimit të eshtrave njerëzore gjatë luftës së Kroacisë në vitet 1990, hulumtuesit e “Documenta” biseduan me dëshmitarë që u treguan atyre për vrasjet atje më 6 gusht 1995. Më 5 dhe 8 gusht, ushtarët dogjën gjithashtu edhe shtëpi në këto fshatra, tha “Documenta”.

Sipas dëshmitarëve që i dhanë deklarata në “Documenta”, një ushtar kroat hapi zjarr në Uzdolje, duke vrarë Milica Sare, Stevo Beriç, Janja Beriç, Djudjija Beriç, Krsto Sare, Milos Cosiç dhe Jandrija Sara, të cilët ishin të gjithë midis 62 dhe 79 vjeç.

Ushtarët gjithashtu vranë 73-vjeçaren Sava Sare në kolltukun e saj më pas.

Në fshatin Vrbnik, ushtarë të panjohur kroatë vranë gjithashtu 61- ose 62-vjeçarin – Lazo Damjaniç dhe 28-vjeçarin Predrag Zariç.

Para kësaj, Zariç dyshohet se u burgos nga serbët rebel në Knin për një farë kohe pasi ai refuzoi të bëhej pjesë e forcave të tyre të armatosura. Ai thuhet se ka pasur një certifikatë që dëshmon se ai nuk pranoi të luftonte për autoritetet rebele serbe, por gjithsesi ai u vra.

“Ne po paraqesim një ankesë kundër këtyre autorëve të panjohur, edhe pse dëshmitarët zbuluan disa gjëra në deklaratat e tyre. Janë identifikuar tre autorë që mbanin veshur uniforma dhe ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me eprorët e tyre nga disa njësi të Ushtrisë Kroate,” tha Eugen Jakovciç nga “Documenta” për BIRN.

Jakovciç shpjegoi se qëllimi i OJQ-së “Documenta” ishte të tregonte se “ekzistojnë fakte për krimet” që thjesht duhen përpunuar nga autoritetet ligjore.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të media rreth ankesës penale të “Documenta”, kryeministri Andrej Plenkoviç tha të premten: “Kroacia është një shtet demokratik, një shtet në të cilin ekziston liria e fjalës për të gjitha OJQ-të”.

Prokuroria në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përfshiu 7 civilë serbë të cilët u vranë në Uzdolje në çështjen e saj kundër gjeneralëve kroatë Ante Gotovina, Mladen Markaç dhe Ivan Cermak. Trupi gjykues e liroi nga kauzta Cermakun në prill të vitit 2011 dhe dhoma e apelit liroi nga akuzat Gotovinën dhe Markaçin në nëntor 2012.

Komiteti kroat i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka përllogaritur 677 viktima të Operacionit Stuhia.

Por zyra e avokatit të shtetit tha në vitin 2012 se ishin kryer 27 krime lufte kundër 167 personave. Nga ky numër, autorë të panjohur kryen 24 nga krimet, ku përfshiheshin 155 viktima.

Përsa i takon krimeve të kryera nga autorë të njohur, ajo deklaroi se janë hapur gjithsej pesë hetime kundër 11 autorëve, bashkë me katër padi kundër shtatë personave.

Në çështjen Gotovina, Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se Operacioni “Stuhia” shkaktoi vdekjen e 44 viktimave civile.

Ndërkohë, sistemi gjyqësor kroat ka gjykuar vetëm një pjesë të krimeve të luftës të kryera gjatë dhe pas operacionit.

Në maj të vitit 2014, Gjykata e Lartë në Zagreb dha të vetmin dënim për krime lufte të kryera nga forcat kroate gjatë operacionit.

Bozo Baceliç, një ish-komandant toge në kompaninë zbuluese të brigadës së 113-të të Ushtrisë Kroate, u dënua me shtatë vjet burg për vrasjen e një çifti, Nikola dhe Milica Damjaniç, 76 dhe 74 vjeç, më 11 gusht 1995, para shtëpisë së tyre në liqenin Prokljan.

Gjykata e Lartë e shpalli atë gjithashtu fajtor për vrasjen e një ushtari serb të kapur, Vuk Mandiç, në fshatin Mandici, rreth 40 kilometra nga Prokljani, më 9 ose 10 gusht.

Baceliç fillimisht urdhëroi vartësit e tij – Ante Mamiç, Luka Vuko dhe Jurica Ravliç – për vrasjen e Damjaniç, por ata nuk e bënë këtë, kështu që ai i vrau ata vetë.

Pas dy rigjykimeve, Gjykata e Lartë në mars të vitit 2016 liroi nga akuzat Mamiçin, Vukon dhe Ravliçin, ndërkohë që gjykatat e mëparshme vendosën se fakti që ata ndihmuan vrasësin binte nën statutin e kufizimeve.

Brenda nje shtepie te djegur ne Grubori. Fotografi e bere ne vitin 2014. Foto kortezi e Marko Sjekavica.

Ka ende dy çështje që vazhdojnë për krime gjatë Operacionit Stuhia në gjykatat kroate.

Rajko Krickoviç, një ish-anëtar i regjimentit të 118-të të Ushtrisë Kroate, po gjykohet për vrasjen e një vëllai dhe një motre, 43-vjeçarin Radomir Sovilj dhe 45-vjeçaren Mira Sovilj, si edhe u vuri zjarrin shtëpive të tyre me nënën e tyre 73-vjeçare Mara Sovilj brenda.

Krimi u krye midis 15 dhe 28 gushtit në fshatin Kijani, afër Gracacit në rajonin qendror të Likës, i cili ishte gjithashtu vendi ku kishte lindur Krickoviç.

Dyshohet se Krickoviç i kreu krimet për të marrë hak për disa nga shokët e tij që vdiqën në Operacionin Stuhia.

Gjyqi filloi në gjykatën e qarkut të Rijekës në janar të këtij viti dhe Krickoviç e deklaroi veten jo fajtor.

Gjyqi tjetër që vazhdon ende dhe që ka lidhje me Operacionin Stuhia, për krime të kryera në fshatin Grubori në zonën e Kninit, është një proces i gjatë që filloi në vitin 2011.

Tre ish-anëtarë të njësisë antiterroriste “Lucko” nga Zagrebi – Frano Drljo, Bozo Krajina dhe Igor Beneta – u paditën në dhjetor 2010. Beneta u fsheh dhe mediat raportuan vetëvrasjen e tij në nëntor 2011, ndërsa gjykata vazhdoi gjyqin për Drljon dhe Krajinën.

Vrasjet ndodhën mes një operacioni “antiterrorist” në zonë ku u përfshinë 560 policë specialë, menjëherë pas Stuhisë, me qëllim garantimin e kalimit të “Trenit të lirisë” që mbante presidentin Franjo Tuxhman nga Zagrebi në Split përmes Kninit.

Burrat akuzohen për vrasjen e gjashtë civilëve më të moshuar -Milica Grubor, Marija Grubor, Jovo Grubor, Jovan Grubor, Milos Grubor dhe Djuro Karanoviç – në shtretërit e tyre në Grubori më 25 gusht dhe më pas djegien e fshatit.

Gjykata e qarkut të Zagrebit liroi nga akuzat Drljon dhe Krajinën në qershor 2014, edhe pse gjyqtari Zdravko Majeroviç arriti në përfundimin se “është e padiskutueshme nëse gjashtë të moshuar u vranë dhe se këto vrasje u kryen nga anëtarë të njësisë antiterroriste “Lucko”.

Frano Drljo dhe Bozo Krajina ne gjyq ne gjykaten e qarkut ne Zagreb. Foto: Beta.

Megjithatë, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e shkallës së parë në dhjetor 2015, duke pretenduar se disa deklarata të Drljasë ishin “kontradiktore” dhe këmbënguli se ish-anëtarët e njësisë – shumica e të cilëve pretendonin se nuk e mbanin mend operacionin – duhet të dëshmojnë përsëri. Gjykata e Lartë këmbënguli gjithashtu që një tjetër gjyqtar në gjykatën e qarkut të Zagrebit ta marrë përsipër çështjen.

Gjyqtari i gjykatës së qarkut në Zagreb, Ivan Turudiç, i liroi nga akuzat Drljonë dhe Krajinën përsëri në shkurt të vitit 2016, duke thënë se “i vetmi fakt është se është kryer një krim i tmerrshëm, një krim kafshëror kundër civilëve”.

Zyra e prokurorit të shtetit e apeloi vendimin, por Gjykata e Lartë nuk ka caktuar ende asnjë seancë dëgjimore në këtë rast.

Në një rast që ka lidhje me dhunën në Grubori, Zeljko Sakiç, zëvendëskomandanti i shtabit të policisë speciale të Kroacisë në atë kohë, u padit në janar 2015 për mos monitorim, sanksionim dhe raportim mbi krimet e luftës të kryera nga njësia “Lucko”.

Zyra e prokurorit të shtetit e akuzoi atë gjithashtu se nuk kishte lejuar policinë të kërkonte për prova në zonë dhe kishte ndërhyrë në këtë mënyrë në hetimin penal.

Sipas aktakuzës, ai i paraqiti një raport të rremë komandantit të tij të lartë, i cili tha se njësia ishte përballur me një grup të armatosur prej tetë deri në dhjetë ushtarësh armiq, me pasojë që njëri prej tyre ishte vrarë dhe katër civilë vdiqën si “dëm kolateral”.

Bashkë me Saciç, Drljo u akuzua, si një komandant grupi brenda njësisë ‘Lucko”, për pjesëmarrje në djegien e një numri shtëpish në fshatin Ramljani, në rrugën nga Knini deri në qytetin Drnis.

Por në shkurt të vitit 2015, zyra e avokatit të shtetit e tërhoqi padinë, duke thënë se ajo kishte “mangësi të mëdha” dhe më pas hoqi dorë nga çështja.

Megjithatë, disa kanë pohuar se mungesa e vendimeve për krimet e luftës nga ana e Kroacisë kompensohet disi nga fakti se gjykatat e vendit kanë dënuar njerëz për vrasje dhe krime të tjera gjatë konfliktit.

Zyra e avokatit të shtetit tha për BIRN se kishte nisur disa mijëra çështje penale pas Operacionit Stuhia.

Ajo tha se kishte nisur procedurat penale kundër 3,728 personave për vrasje, dhunë, krime seksuale, vjedhje dhe shkatërrim prone.

Nga këto, ishin dënuar 2,380 vetë.

Një total prej 14 personash – dhjetë nga të cilët ushtarë – ishin dënuar për vrasje, edhe pse asnjë për kryerjen e një krimi lufte.

Avokati i Gotovinës, Luka Misetiç, është shprehur megjithatë se të pandehurit për vrasje marrin dënime me burg të ngjashme me ato që do të kishin marrë për krime lufte.

Kroacia rimerr kontrollin

Gjatë operacionit “Stuhia”, forcat kroate rimorën territorin e kontrolluar që nga fundi i vitit 1991 nga serbët rebelë të Kroacisë, të cilët ndihmoheshin nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Përveç kryerjes së krimeve në shkallë të madhe kundër kroatëve, autoritetet rebele serbe dëbuan rreth 200,000 deri në 250,000 joserbë nga shteti i tyre i vogël dhe i panjohur i kohës së luftës, Republika e Krajinës Serbe.

Pas dështimit të bisedimeve për paqe, njësitë e policisë speciale kroate dhe trupat e ushtrisë shtypën luftëtarët rebelë serbë midis 4 dhe 7 gushtit 1995 dhe rimorën të gjitha territoret e tyre përveç atyre në Kroacinë lindore.

Operacioni çoi në një krizë humanitare, pasi deri në 200,000 civilë serbë u larguan nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit. Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se në vitin 1995, rreth 250,000 serbë u larguan nga Kroacia.

Forcat kroate dhe autorë të panjohur gjithashtu vranë një numër civilësh serbë gjatë dhe pas operacionit.