Shtëpi e braktisur pas operacionit "Stuhia" në Kroaci | Foto: WikiCommons

OJQ-ja Rinore Kroate i Kërkon Ndjesë Viktimave të ‘Stuhisë’

Me afrimin e 21 vjetorit të operacionit ushtarak kroat “Oluja” (“Stuhia”), Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Zagreb ka ndërmarrë një peticion online duke i kërkuar ndjesë viktimave civile, në përpjekje për të marrë një reagim të ngjashëm edhe nga shteti,

Joco Glavas, nga Nisma, tha për BIRN se kjo iniciativë ishte planifikuar si një fushatë “jo-hierarkike”, në përpjekje për ta bindur shtetin të ndërhyjë.

“Ne kemi parë se kanë kaluar 21 vjet dhe se institucionet shtetërore deri më tani nuk i kanë kërkuar ndonjë ndjesë këtyre qytetarëve që u vranë, që u desh të arratiseshin dhe shtëpitë e të cilëve u dogjën dhe plaçkitën. Kjo është arsyeja pse ne u përpoqëm të nxisim një nismë që do të vinte nga qytetarët për të treguar pak solidaritet,” tha ai.

Ai tha se shpresonte që nisma do t’i nxisë autoritetet shtetërore të pranojnë se Kroacia kishte një “plan politik për të hequr qafe serbët në atë rajon” me anë të operacionit.

OJQ-ja të martën publikoi peticionin e saj online duke i kërkuar ndjesë kryesisht viktimave serbe të operacionit, i cili rimori mbrapsht 18 për qind të territorit kroat që kishte qenë nën kontrollin e rebelëve serbë që nga viti 1991.

Sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Kroacisë, më shumë se 600 civilë, kryesisht të moshuar serbë vendas, u vranë gjatë dhe pas operacionit.

Përveç kësaj, Komiteti ka listuar më shumë se 20,000 objekte – shtëpi, plevica dhe garazhe – që u dogjën, ndërsa media e pavarur raportoi plaçkitje në masë në zonën e operacionit.

Rreth 200,000 serbë vendas u larguan nga Kroacia në atë kohë, disa prej të cilëve janë kthyer me kalimin e viteve.

Glavas tha se OJQ-ja i kishte kërkuar autoriteteve lokale në ish-selinë rebele serbe të Kninit – ku organizohet ceremonia kryesore e përvitshme që shënon Operacionin “Stuhia” – leje të mbledhin firma në qytet, por shtoi se kërkesa e tyre “ka shumë gjasa të refuzohet”.

Poster "Interesi kombëtar është rrëfim dhe jo gënjeshtër" në Zagreb | Foto: Facebook
Poster “Interesi kombëtar është rrëfim dhe jo gënjeshtër” në Zagreb | Foto: Facebook

Edhe pse vetëm rreth 100 persona e kanë mbështetur peticionin online deri më tani për shkak të mbulimit të kufizuar në media të kësaj nisme, ai është i bindur se numri do të rritet deri më 5 gusht – kur shënohet operacioni – dhe do të nxisë edhe nisma të tjera.

Në letër, kërkohet ndjesë nga “ata që, si të pafajshëm, u vranë në të dhe ata që humbën të dashurit e tyre”, duke u përpjekur “të tregojnë fytyrën e Kroacisë që i intereson drejtësia dhe që shpreh solidaritet me viktimat”.

Kërkohet ndjesë për ata që “humbën të afërmit e tyre më të afërt në krimet e kryera kundër civilëve” gjatë dhe pas operacionit dhe ata shtëpitë e të cilëve u dogjën dhe prona u plaçkit, si edhe për ata që jetojnë ende si refugjatë dhe për ata që po kërkojnë ende të të afërmit e tyre të zhdukur.

Letra thotë se “një rrëfim i krimeve dhe jo një gënjeshtër” është në interesin kombëtar dhe shton se “realizimi i çdo objektivi social dhe politik nuk duhet të përfshijë kurrë kryerjen e krimeve dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Përveç peticionit online, Nisma Rinore ka vënë postera të mëdhenj përgjatë rrugëve në Zagreb dhe do t’ia dërgojë letrën me nënshkrimet presidentes kroate dhe qeverisë.

Nisma Rinore për vite me radhë është përpjekur të rrisë ndërgjegjësimin për krimet e kryera gjatë Operacionit “Stuhia”. Me rastin e 15 vjetorit të saj, ajo vendosi një pllakadë në rrugën nga Knini drejt Bosnjës në të cilën i kërkonte ndjesë viktimave.

Gjykatat kroate kanë hezituar të ndjekin penalisht krimet e luftës të kryera gjatë Operacionit “Stuhia” dhe çështja mbetet ende e pazgjidhur brenda shoqërisë kroate – një burim mosmarrëveshjeje ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, ku shkuan shumica e refugjatëve serbë.

Dita e Fitores dhe të Mirënjohjes Kombëtare më 5 gusht është një festë kur nuk punohet në Kroaci, duke shënuar operacionin me një ceremoni kryesore në Knin. Ndërkohë, në Serbi, viktimat e operacionit përkujtohen dhe festimi i Kroacisë dënohet.

Vitin e kaluar në Knin u festua 20 vjetori i Operacionit “Stuhia” dhe ai tërhoqi rreth 100, 000 njerëz dhe u shoqërua nga thirrje anti-serbe gjatë koncertit nga këngëtari nacionalist kroat Marko Perkoviç “Thomson”.