Oferta për Shtetësi Shqiptare Shqetëson Maqedoninë

Një ish-ministër i drejtësisë në Maqedoni thotë dyshtetësia maqedonase dhe shqiptare mund të lejojë që shqiptarët etnikë nga Maqedonia t’i shmangen drejtësisë nga shteti i tyre i lindjes.

“Kur një person ka nënshtetësinë e një shteti tjetër, ekziston mundësia që ai/ajo mund të shmangë ekstradimin në shtetin tonë”, tha ish ministri i Drejtësisë Mihajlo Manevski.

Ai beson që nënshkrimi i marrëveshjeve të ekstradimit ndërmjet shteteve të ndryshme të Ballkanit në vitet e kaluara nuk ka shërbyer si mjet ndihmës.

Qeveria shqiptare para pak kohësh aprovoi një vendim për t’u mundësuar të gjithë shqiptarëve anembanë, përveç atyre në Kosovë, që të aplikojnë për nënshtetësi.

Kjo masë është parë si një plotësim i pjesërishëm i premtimit të ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Diku një çerek prej 2.1 milionë të popullsisë së Maqedonisë, janë shqiptarë.

Rreziku i shmangies së drejtësisë është real “sepse kriminelët e kërkuar mund t’i thirren nënshtetësisë së tyre të dyfishtë dhe shteti tjetër ka argumente ligjore që mund t’i përdorë për të refuzuar kërkesën e ekstradimit” paralajmëroi Manevski.

Në një rast më të afërt, autoritetet në Kosovë ende nuk kanë ekstraduar dy të arrestuar shqiptarë të kërkuar nga Maqedonia për një vrasje të shumëfishtë që ndodhi afër Shkupit.

Në mars, policia kosovare ndaloi Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, dy të fundit prej gjashtë shqiptarëve nga Maqedonia të kërkuar për t’u gjykuar për vrasjen e gjashtë njerëzve në afërsi të kryeqytetit në prill të 2012-ës.

Por ata të dy tani po gjykohen në Kosovë, të ngarkuar me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përderisa ekstradimi i tyre në Maqedoni mbetet i pasigurt, pa marrë parasysh faktin se të dy shtetet kanë nënshkruar marrëveshje për ekstradim.

Në vitet e fundit, disa qytetarë të Maqedonisë me nënshtetësi të dyfishtë janë larguar nga vendi për të shmangur ndjekjen penale në shtëpi.

Një shembull i njohur është ish-shefi i doganës, Dragan Daravelski, i cili është i kërkuar në Maqedoni për përvetësim dhe për të cilin thuhet se fshihet në Serbi, duke iu falënderuar pasaportës së tij serbe.

Një rast tjetër lidhet me një ish administrues të besuar të shtetit për disa kompani falimentuese, Vladislav Tamburkovski, i dënuar në mungesë në Maqedoni për mashtrim. Ai gjithashtu ndodhet jashtë shtetit dhe besohet të jetë në Bullgari ose Serbi.

Ambasada Shqiptare në Shkup thotë se deri më tani vetëm disa shqiptarë të Maqedonisë kanë paraqitur interes për të fituar nënshtetësinë shqiptare.

“Nevojitet kohë për të implementuar këtë vendim. Deri më tani ne kemi pranuar vetëm disa kërkesa për nënshtetësi shqiptare të banorëve të Maqedonisë”, tha ambasadori i Shqipërisë, Arben Çeku, për të përditshmen “Dnevnik”.

Analisti nga Maqedonia Alber Musliu tha se ai nuk pret një aksion të menjëhershëm të kërkesave nga Maqedonia, përveç nëse Shqipëria e tejkalon Maqedoninë në rrugën e saj kundrejt anëtarësimit në BE.

“Në atë rast do të ishte e logjikshme të priten më tepër kërkesa për nënshtetësi shqiptare për arsye fitimprurëse dhe biznesore” shpjegoi Musliu.