‘Obligimet’ që Kuvendi i dha Ekzekutivit dhe Fjalët në ‘Ajër’ për Ajrin e Ndotur

Dy ditë diskutime në seancën e jashtëzakonshme për ajrin e ndotur, u përmbyllën me rezolutën 19 pikëshe, e cila u votua nga të gjithë deputetët prezent në sallë, pozitë dhe opozitë.

E kjo ishte edhe kërkesa e iniciuesit të kësaj seance, Kadri Veselit, i cili në hapje të seancës kërkoi që interesi i qytetarëve të vihet mbi interesin partiak.

“Kjo është seancë që duhet të na bashkojë”, tha ai. Dhe kështu ndodhi, si rrallë herë rezoluta e propozuar nga të gjitha Grupet Parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe, u votua nga të gjithë.

“Mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, është pika e parë e kësaj rezolute.

Por, meqë rezolutat nuk kanë karakter obligativ, pika e fundit e këtij dokumenti paralajmëron ekzekutivin që nëse nuk zbaton masat e propozuara nga legjislativi, parlamentarët do të iniciojnë ndryshime kushtetuese.

“Në rast se Qeveria e Kosovës nuk zbaton masat e propozuara, Kuvendi i Kosovës duhet të filloj procedurat për ndryshimin e nenit 52 të Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që e drejta në ajër të pastër dhe në ujë të pastër të përfshihet si e drejtë themelore e njeriut e garantuar me kushtetutë”, thuhet në rezolutë.

Ky ishte propozim i deputetes Vjosa Osmani, e cila tha se nëse nuk zbatohen këto rekomandime, pas gjashtë muajsh, ajo do të kërkoj 40 nënshkrime, aq sa duhen për të nisur ndryshime kushtetuese.

Dardan Sejdiu, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi 5 politika për ta luftuar këtë problem, të cilat u integruan në këtë dokument. Njëra ndër to është edhe blerja e drunjëve artificialë inteligjent që bëjnë pastrimin e ajrit.

Në fjalën e saj në Kuvend, Besa Gaxherri, e cila foli në emër të LDK-së, partia e së cilës ishte dy mandantet e fundit në bashkë-qeverisje, fillimisht u morr me të kaluarën dhe pati shumë pyetje, si “Kush është përgjegjës për ndotjen? Kush janë ndotësit kryesorë? Cilat janë masat që duhet ndërmarrë?”. Pothuajse në fund të fjalimit të saj, ajo propozoi që shtrihet rrjeti i nxehjes qendrore, i cili u fut si poropozim në rezolutë.

Më pas, fjala i erdhi PDK-së, ku në emër të kësaj partie foli mbesa e Presidentit Hashim Thaçi, Evgjeni Thaci. Ajo pati shumë kritika për qeverisjen e kaluar duke thënë se “qytetarët kanë ngritur zërin prej kohësh për këtë problem, por kanë hasur në vesh të shurdhër”. Madje konstatoi se “u deshtë që Ambasada Amerikane të nisë matjet që të kuptojmë gjendjen alarmante”.

“Masat e përkohshme janë të domosdoshme, njësoj si politikat afatgjata dhe duhet të fillohet me vetëdijesimin të qytetarëve, sidomos gjeneratave të reja”, propozoi ajo.

Në emër të grupit parlamentar të AAK-së foli Ahmet Isufi, i cili propozoi prioritetet që duhet t’i ketë qeveria, por edhe organizatat ambientaliste për zvogëlim të ndotjes.

“Një element që duhet të jetë prioritet i qeverisë dhe organizatave që merren me ambient është shfrytëzimi i hapësirave për gjelbërim. Tash e tutje do të duhej të behej një hulumtim më i madh i mundësisë së investimeve që krijojnë energjinë alternative”, ishte propozimi i tij që u bë pjesë e rezolutës.

E në fjalën e tij 5 minutëshe, përfaqësuesi i Nismës Billall Sherifi, tha se ndotja nuk tejkalohet duke folur.

“Ne bëjmë rezolutë, shkojmë në shtëpi, por ndotja vazhdon. Na duhen politika afatgjate”, tha Sherifi. Por, propozimi i tij që ambienti të shndërrohet në top prioritet, u rendit si pikë e parë në këtë rezolutë.

Përkushtim të parezervë të të gjithëve kërkoi Albert Kinolli, i cili foli në emër të Grupit 6+.

Ai tha se nevojitet bashkë-dyzim i të gjithë aktorëve e që një herë e mirë, siç u shpreh ai, “t’i dalim në krye një pune”.

Pas deputetëve, fjala i erdhi qeverisë, ku në emër të ekzekutivit foli ministrja e ambientit, Albena Reshitaj, e cila tha se që nga dita e parë e punës kjo çështje ishte prioritet i saj.

Më pas ajo tregoi masat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata të cilat do të ndërmerren në përmirësimin e ajrit të ndotur.

Në mesin e këtyre masave Reshitaj tha se parashihen ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, modifikimi i TC “Kosova B” dhe mbyllja e TC “Kosova A”.

“Me kërkesën time Qeveria ka formuar ‘task-forcë’ që do të merret me uljen e ndotjes”, theksoi ajo.

Por, formimi i ‘task forcave’ dhe këshilleve për deputetin e PDK-së, Nait Hasani nuk i zgjidhë problemet.

Më tutje Hasani ka përmendur edhe fjalë të burrështetasit britanik Winston Churchill për të argumentuar atë që thoshte.

“Churchilli ka thanë nëse nuk doni me zgjedh probleme, formoni këshilla. Kështu që këto këshilla qe i ke formu nuk janë për me zgjidhë problem, prandaj zgjidhja e problemit fillon drejtpërdrejt e vetvetiu me angazhimin, e jo me këshilla. Zbatoje ligjin e i ke zgjedh krejt problemet”, sugjeroi Hasani.

Kërkesave të Hasanit për veprime, ministrja iu përgjigj me fjalët se më nuk ka kohë për eksperimentime.

“Po i nderuar deputet, ne i kemi bërë ligjet, i kemi rishqyrtuar me vite dhe kemi humbur shumë kohë duke u arsyetuar se ne po i rishqyrtojmë e po i rishqyrtojmë. Sot më nuk kemi kohë të eksperimentojmë me ligjet, mendoj që i kemi ligjet, korniza ligjore në 85% është optimalisht e mundshme të funksionojë”, tha ministrja Reshitaj.

Në vazhdimin e dytë të kësaj seance, deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila tha se deputetët nuk kanë kredibilitet të flasin për ajrin e ndotur, ngase siç u shpreh ajo ata e ndotin ajrin përditë brenda hapësirave të kuvendit duke pirë cigare në byfe e në zyra.

“Në parlament ndotet hapësira e përbashkët çdo ditë nga pirja e jashtëligjshme e duhanit. Këtë që sot po e bëjmë ne është në fakt absurd, mundet me u marrë si këshillë nga ministrja ose qeveria, por neve na ka humbë kredibiliteti me fol për ajrin e pastër përderisa rrimë në një hapësirë të kontaminuar atje lart dhe përderisa unë të njëjtën e ndjej edhe korridoreve të parlamentit, që tregon që kohë pas kohe edhe nëpër zyra shkelet ligji i duhanit ose pihet duhani”, tha deputetja Mimoza Kusari- Lila.

E deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, gjithë diskutimi në kuvend iu duk si një simpozium shkencor. Madje ai tha që po ndihet indiferent mes kolegëve ‘ekspertë’.

“Në fakt po të dëgjohen me kujdes të gjithë deputetët, prej dje e deri sot, besomëni që ma tepër po më asocon si me qenë këtu ndonjë simpozium shkencor, se sa në fakt si një institucion përfaqësues politik. Unë prej dje fillova me u ndi inferior për kaq shumë ekspertë, nuk e kam ditë që kaq shumë ekspertë te ambientit ka kuvendi. Jam i sigurte që kanë me na e pasë zili edhe forumet ndërkombëtare të nivelit global kur diskutojnë për ngrohjen globale dhe ambientin”, tha Selmanaj.

Deputeti më i vjetër i Kuvendit, Adem Mikullovci i VV-së tha se po bëhen muhabete të kota, ngase sipas tij kështu ka qenë edhe përpara, kështu edhe tash në përmasa pak më të mëdha. “Por, që mund të ndërrojmë diçka tash është e kotë”, tha ai.

Madje Mikullovci përdori proverba të huaja për ta shpjeguar situatën.

“Krejt këto diskutime dje e sot janë të mirëseardhura, por thuase janë krejt të kota se nuk mund të bëjë kurgjo hëpërhë. Ekziston ni fjali turqisht që thuhet: “arbainen soni, hamsinen oni”, që i bjen fundi i arbainit edhe 10 ditë e hamsinit gjithmonë ajri është ma i randi, e dimri më i forti”, tha ai.

Për nënkryetarin Xhavit Haliti ndotja e ajrit në Prishtinë gjatë ditëve të ftohta nuk është risi.

“Këtu po diskutohet thu që kërkush nuk ka jetu në Prishtinë përpara edhe nuk e dinë situatën. Historikisht kush ka jetu në Prishtinë, kush ka studiu në Prishtinë, e dinë që çdo vjet, kur ka mjegulla, kur është ftoftë, ka qenë gjithmonë e njëjta situatë. Nuk është diçka ma keq që ka qenë në vitet e 70-ta a 80-ta”, tha Haliti.

Por, për deputetin e LDK-së, Lumir Abdixhiku çështja e ajrit të ndotur është shumë shqetësuese. Madje ai propozoi pushim nacional, por ky propozim i tij nuk u fut në tekstin e rezolutës.

Ai e konsideroi “elefant të madh” ndotjen që vjen nga termocentralet.

“Ne duhet me iu kthy elefantit të madh, KEK-ut si ndotësit më të madh. Pa mbylljen e ‘Kosovës A’ si ndotësi më i madh që është vetëm 3 kilometra larg Prishtinës nuk ka përmirësim”, tha Abdixhiku.

E me këtë u pajtua edhe ministrja Albena Reshitaj, e cila tha se mbyllka e ‘Kosovës A’ është në planin afatmesëm të qeverisë.

Por, këto shqetësime që i shprehën deputetët, ish avokati i popullit, tha se kanë qenë paralajmërime të institucionit që ai drejtonte të paktën qe 7 vite, por nuk janë marrë parasysh.

“Vitin e kaluar në tetor-dhjetor ky pragu i alarmit që po përmendet sot ka qenë 430, ma i lartë se këtë vit, mirëpo shyqyr që na ka ardhë Ambasada Amerikane e i kemi miqtë e fortë  e kur t’na i tërheqin veshtë ata bëhemi si pulat e i marrim të gjitha gjërat seriozisht”, tha ai.

Se kjo gjendje ka ardhur për shkak të neglizhencës të të gjithë akterëve e tha edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo tha se “Shteti nuk bëhet duke improvizuar, nuk e ka bërë askush dhe nuk do të mundemi as ne të mbajmë një shtet të improvizuar”.

“Saherë gjendemi para situatave që veç fillojnë të dalin nga kontrolli, ne këtu po dërgojmë mençuri mbi mençuri si t’i tejkalojmë por nuk kemi nevojë të zbulojmë rrotën. Mjaftojmë apo ka mjaftuar të shohim se si i kanë evituar shtetet e tjera këto probleme dhe të paktën të fillojmë t’i marrim hapat e nevojshëm”, tha Musliu.

Gjatë dy ditëve diksutim, dikush thoshte se i di shkaktarët kryesor të ndotjes, e dikush tjetër jo. Këtu ndërdyu ministrja e ambientit, Albena Reshitaj, e cila tha se nuk mund ta drejtoj gishtin tek askush pa pasur matje të sakta.

Megjithatë, folësit u pajtuan që edhe veturat kontribuojnë në ndotje.

Deputeti Korab Sejdiu se sikur kontrollimi teknik të bëhej ashtu siç e kërkon ligji, e jo vetëm si procedurë e kotë vetëm sa për t’i rrjepur qytetarët, moti disa nga automjetet që qarkullojnë në Kosovë do të ishin shitur për hekur.

“Kemi vetura autobusë e kamionë që qarkullojnë lirshëm në rrugët tona edhe pse ish desht moti të shiten për hekur”, tha Sejdiu.

Në këtë seancë foli edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj. Ai madje i kërkoi ministres së mjedisit që të marrë vendim që makinat zyrtare të mos qëndrojnë ndezur nëpër parkingje.

“Dil merr vendim me i ndalë automjetet e mos me i lanë dhezë në parking se jeni ka harxhoni edhe naftë dhe jeni duke e ndotë edhe ajrin, atëherë masi koka për qytetarë merreni vendimin edhe për zyrtarë, të paktën mos me met makinat dhezë gjatë gjithë ditës dje edhe sot”, tha Haradinaj, vëllai i shefit të qeverisë, Ramush Haradinajt.

E për këtë të fundit kishte një kërkesë deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku. Ajo tha se Kryeministri e ka momentin ta tregojë afinitetin e tij sportiv.

“Kryeministri nuk është këtu, por desha t’i them që është ndoshta rasti që afinitetin sportiv me përdorë këtë herë, me dal bashkë me ministra në terren edhe me pa cep më cep qeveria, me i pa ndotësit, me i pa problemet edhe neve me na orientu nëse ka nevojë me ndërru diçka te rregullativa ligjore”, u shpreh ajo.

Në këtë seancë të vetmit që nuk folën ishin deputetët e Listës Serbe, të cilët i kritikoi deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri.

“Nëse ne kemi shqetësim ndotjen e ambientit në Prishtinë apo në Kosovë, edhe ata duhet të jenë pjesëmarrës në këto seanca të jashtëzakonshme, apo nuk u dhimbsen qytetarët e tyre të komunitetit serb”, tha ai.

Por, në fillimin e seancës së jashtëzakonshme që nisi me një minutë heshtje në nderim të katër luftëtarëve të UÇK-së, të cilët u nderuan edhe nga deputetët nga Listës Serbe.

Seanca dy ditore u mbyll me miratimin e rezolutës, ku pro saj votuan 73 nga 73 deputetët prezent.