Nxitësit dhe Prishësit e Ëndrrave

“Kanë me ndërtu një park për me ec nga këtu e deri në Prishtinë”, thotë njëri nga fëmijët në dokumentarin “Mbretëria e Qymyrit”, të cilët qëndrojnë pranë një deponie të hirit afër termocentraleve në Obiliq.  “Kanë me ndërtu stadiume”, vazhdon tjetri. “Edhe pishina”, ndërhyn një i tretë. Ëndrra fëmijësh të cilët kalojnë ditët në vendin me rrezikun më të madh shëndetësor në Evropë.

Këto ëndrra të fëmijëve janë ushqyer nga premtime zyrtare të parealizuara. Premtime të burokratëve të cilën nuk e kanë problem t’i bëjnë fëmijët të ëndrrojnë dhe tu ngrisin shpresat aq lartë, sa prishja e këtyre ëndrrave të jetë edhe më e dhimbshme.

Në nëntor 2012, Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte organizuar një fushatë vetëdijësuese të quajtur “Jeta pa TC Kosova A”. Rreth 500 fëmijë nga shkollat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit ishin ftuar që të imagjinonin jetën pa termocentralin më ndotës në Evropë dhe të merrnin pjesë në garën shpërblyese për vizatimet më të mira. “Unë shpresoj që termocentrali ‘Kosova A’ do të dekomisionohet, që të kemi më shumë mundësi të shohim diellin dhe të thithim ajër të pastër”, ishte shprehur Diana njëra nga nxënëset pjesëmarrëse në këtë fushatë.

Por, nuk kishte kaluar shumë kohë nga kjo fushatë “ëndërr nxitëse” që ministria vetë të braktis këto plane dhe të deklaroj se termocentrali Kosova A do të vazhdoj operimin edhe për shumë vite të tjera. Tani kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në fillim vitin 2017, kur do të duhej të ndalej operimi i TC ‘Kosova A’, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgatitur strategjinë e re të energjisë e cila parasheh tre skenar për termocentralin “Kosova A”: skenari i parë, mbajtja në jetë e TC ‘Kosova A’ deri në ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’; skenari i dytë, mbajtja në jetë e TC ‘Kosova A’, por me kapacitet të kufizuar operues; dhe skenari i tretë, mbajtja në jetë e ‘Kosovës A’ me kapacitete të shtuara operuese. Sipas kësaj draft strategjie, në rastin më të mirë Kosova A do të mbyllet pas 8-10 viteve, e në rastin më të keq, nuk do të mbyllet kurrë.

Premtimet e papërmbushura në fushën e energjisë janë ilustrimi më i mirë se si një kastë liderësh politik të papërgjegjshëm kanë nxitur e thyer ëndrra në këto 16 vite të vetëqeverisjes. Ju kujtohen vizitat e Presidentit Thaçi gjatë fushatës zgjedhore nëpër çerdhet e kryeqytetit, e ku instrumentalizonte fëmijët e çerdheve për fushatën e partisë së tij dhe premtonte ndërtime të çerdheve, për t’i braktisur ato menjëherë pas zgjedhjeve? Po fushatat e vazhdueshme për eliminimin e punës tek fëmijët?

Jetojmë në një sistem politiko-shoqëror i cili ushqen ëndrra tek fëmijët, e në të njejtën kohë punon për t’i thyer ato. Sistem në të cilin vetëm 9% e të rinjve në mes të moshës 15-24 vjeç arrin të gjej një vend pune, kurse 60% e të rinjëve e kalojnë moshën e rinisë të papunë. Sistem ku me qindra fëmijë e kanë kaluar fëmijërinë e tyre me shpresën se do të kthehen në shtëpitë e tyre, qoftë në veri të Mitrovicës, qoftë në pjesë tjera të Kosovës.

Sipas teoricienit të demokracisë Giovanni Sartori, “Mashtrimi në politikë dhe mashtrimi në fusha tjera dallon rrënjësisht. Në rast se mashtroni apo gënjeni në biznes, ju rrezikoni burgun. Kurse në politikë edhe mund të ‘shisni dushk për gogla’. Nuk ka asnjë ligj i cili ndalon të gënjyerit politik. Por janë parimet etike ato të cilat vënë rregull në garën politike.” Politikanë të cilët instrumentalizojnë edhe fëmijët për qëllime politike nuk bartin asnjë standard etik.

Në një skenë tjetër në dokumentarin “Mbretëria e Qymyrit’’, prodhim i BIRN i vitit 2011, një burrë në moshë të mesme, u flet fëmijëve për historikun e problemit, ndotjen nga termocentralet, duke u thënë se “ky pluhur është qe 40 vite, e nuk kam shpresë se do të largohet edhe 40 vite tjera”. Ky është një qytetar i zakonshëm i Kosovës, i cili për dallim nga fëmijët, është mësuar me premtime të papërmbushura.

Tetë vite më parë, Kosova printe në listën e vendeve më optimiste në botë. Në matjen e fundit të Gallup, Kosova ndodhet në mes të listës së vendeve sa i përket optimizmit për vitin pasardhës. E fajtorë për këtë rritje të pesimizmit janë pikërisht ato premtime të mëdha, për realizimin e të cilave nuk bëhet asnjë përpjekje.

Është bërë tashmë traditë që në prag të çdo palë zgjedhjesh, liderët e partive të nënshkruajnë kodin etik të sjelljes, por kjo nuk i ndalon ata që të premtojnë e sillen pandershëm. E për këtë kastë politikanësh nuk bën punë ligji e gjykatat. Por vetëm dënimi me votë nga qytetarët e Kosovës.