Nuk Përgjigjen për Nderimin e Ali Podrimjes

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kishte deponuar një kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe një në komunën e Prishtinës. Nga e para kërkonte mbështetje për realizimin e monumentit, ndërsa nga komuna e Prishtinës sigurimin e një lokacioni për vendosjen e bustit. Kërkesat ishin dorëzuar në muajin shtator të vitit 2012, por deri më tash asgjë s’ka ndodhur. 

Të premten, pak ditë para njëvjetorit të vdekjes së poetit, ASHAK botoi nëntë vëllimet e veprës së plotë të Ali Podrimjes, mbi njëzet e pesë libra të autorit, botime e ribotime, variante e plotësime.  

Redaktori i këtyre ribotimeve të përmbledhura është Mehmet Kraja ndërsa redaktor përgjegjës i botimeve Ali Aliu.  

“Jemi në pritje të përgjigjes për të cilën mendoj se do të jetë pozitive. Hivzi Islami

Edhe në këtë tubim, ASHAK-u përsëriti kërkesën për ngritjen e një monumenti për Ali Podrimjen. Gjithashtu, kërkoi që një institucioni me rëndësi të madhe kulturore dhe kombëtare t’i vihet emri i tij.

“Jemi në pritje të përgjigjes për të cilën mendoj se do të jetë pozitive”, tha kryetari Hivzi Islami. 

Por, në fakt, akademia ende nuk ka përgjigje. 

Lendita Juniku Pula, sekretare e akademisë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se asnjëri nga këto dy institucione ende nuk i janë përgjigjur kërkesës. 

“Përveç zotimit të kryetarit të akademisë, në mbledhjen përkujtimore ne kemi dërguar edhe dy kërkesa zyrtare komunës së Prishtinës dhe ministrisë së kulturës më 26 shtator të vitit 2012”. Pasi nuk kishin marrë përgjigje, Juniku Pula thotë se në një takim me kryetarin e Komunës, Isa Mustafa, i cili është anëtar i akademisë, ia kanë përsëritur kërkesën. “Ai na tha se do të merr parasysh këtë gjë”. 

“Vitin e ardhshëm, në përvjetorin e vdekjes, do të ishte e përshtatshme që, bashkë me promovimin e kompletit të veprave dhe të inaugurimit eventual të bustit të Ali Podrimjes në ndonjë lokacion të përshtatshëm të qytetit të Prishtinës, të bëhet edhe emërtimi i një institucioni prestigjioz kulturor ose i një veprimtarie kulturore me emrin e poetit Ali Podrimja”, thuhet ndërkohë në kërkesën adresuar ministrisë. 

“Në përvjetorin e vdekjes, do të ishte e përshtatshme promovimi i kompletit të veprave, inaugurimit eventual të bustit dhe emërtimi i një institucioni prestigjioz kulturor. Juniku Pula 

Komuna thotë se një kërkesë e tillë nuk u ka mbërritur asnjëherë. Ajo thotë se të gjitha kërkesat për sigurim të lokacionit drejtohen në drejtorinë e urbanizmit  dhe se “aty nuk ka kërkesë për një gjë të tillë”. Zëdhënësi, Asdren Osaj, i pyetur nëse kërkesa ka shkuar në departamentin e kulturës ose në zyrën e kryetarit, përsëriti se “nuk gjendet një kërkesë e tillë nga akademia”. 

“Për ta realizuar këtë [ndërtimin e bustit], komuna e Prishtinës do të duhej të caktonte lokacionin, por njëkohësisht të japë edhe kontributin e saj në ngritjen e bustit dhe për rregullimin të infrastrukturës përcjellëse”, thuhet ndërkaq në kërkesën dërguar Zyrës së Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. 

Institucioni tjetër i cili ka pranuar po të njëjtën kërkesë, ministria e kulturës, konfirmon se kërkesa u ka shkuar në shtator të vitit të kaluar. 

“Në shtator të vitit të kaluar kemi marrë një kërkesë nga ana e ASHAK me të cilën është kërkuar që të nderohet poeti i njohur Ali Podrimja përmes një monumenti, njëkohësisht jemi informuar që për këtë gjë është kërkuar edhe nga komuna e Prishtinës mbështetja dhe lejet e nevojshme”, tha Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit.

“Vitin e kaluar kemi marrë një kërkesë nga ana e ASHAK, që është kërkuar të nderohet poeti i njohur Ali Podrimja përmes një monumenti, Shkelzen Dragaj

Por, ministria nuk kishte marrë mundin të kthente përgjigje ASHAK-ut. Ministria thotë se është e gatshme të japë mbështetje për të nderuar figurën e poetit, por përgjigje nuk kishte kthyer asnjëherë. 

Ajo thotë se pret komunën për caktimin e lokacionit. 

“Ministria është e gatshme të japë mbështetjen për të nderuar figurën e Ali Podrimjes dhe presim që të ketë një rrugë më të qartë për projektin në fjalë pasi që të mirret edhe konfirmimi nga komuna e Prishtinës”, thotë Dragaj. 

Artistëve u mbetet monumenti i nderimit të Podrimjes në mungesë të përgjigjes

Një monument në formë të pendës i realizuar në mënyrë moderne që paraqet flakën e krijimtarisë së Podrimjes, rreth tetë metra i lartë, ka mbetur në oborrin e ateliesë së skulptorit Luan Mulliqi. 

Këtë monument e kanë punuar Grupi i Skulptorëve të Kosovës që, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës, kishin kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës mbështetje për të vendosur atë diku në oborrin e Universitetit të Prishtinës. 

Me qëllim nderimin e poetit të shquar të Kosovës, ky grup i intelektualëve kishin punuar në monumentin ku është gravuar një varg i Podrimjes ku thuhet “Kryesorja jetën ta jetosh pa e vrarë. Lum Lumi”.  

“Grupi i Skulptorëve e ka kryer punën e vet, modeli është i gatshëm prej 8 metrave, vetëm ka mbetur të shkrihet në bronz,Mulliqi. 

Luan Mulliqi, i cili është njëri nga iniciatorët e veprës, thotë se kërkesa është neglizhuar nga institucionet. Ata kishin bërë kërkesë në qeveri dhe ministri të kulturës por ende nuk kanë marrë përgjigje. 

“Grupi i Skulptorëve e ka kryer punën e vet, modeli është i gatshëm prej 8 metrave, vetëm ka mbetur të shkrihet në bronz”, thotë Mulliqi. 

Ata janë në pritje të mbështetjes prej 60 mijë eurove, sa do të kushtonte shkrirja në bronz e monumentit. 

As për këtë iniciativë institucionet e Kosovës nuk janë treguar të gatshëm për ta mbështetur. 

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Arianit Bytyqi, Drejtor i Zyrës për Informim i Qeverisë së Kosovës, tha se nuk di për një kërkesë të tillë. Ai i tha gazetës të kontaktojë me ministrin Memli Krasniqin për çështje të kulturës, edhe pse vetë kërkesa thuhet ka shkuar direkt në qeveri. 

Ministria e Kulturës pranon se ka marrë edhe këtë kërkesë të tillë, por as kësaj nuk i është përgjigjur. 

“PEN Qendra mbështetet në vazhdimësi nga MKRS. Këtë vit për aktivitetet dhe punët e saj i janë ndarë 10 mijë euro”, tha Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit. 

Pavarësisht kësaj, Ministria nuk u ka kthyer përgjigje PEN-it dhe Grupit të Artistëve për veprën në fjalë.

PEN-i ka dërguar këtë kërkesë në muajin qershor dhe qëllimi i tyre ishte që këtë monument ta inauguronin në njëvjetorin e vdekjes së poetit.  

“Fatkeqësisht pas luftës të gjitha qeveritë kanë një mungesë të madhe në konsumimin e ideve të intelektualëve dhe krijuesve”, thotë Luan Mulliqi. 

“Kryesisht idetë shkojnë nga njerëzit e politikës, që kanë forcë me i shty ato përmes mjeteve publike financiare që i disponojnë. Por kur vjen fjala tek kërkesat e intelektualëve për nderimin e poetit më të madh që ka pasur Kosova, nuk janë në gjendje të mbështesin”.

Poeti Ali Podrimja u gjet i vdekur më 21 korrik të vitit të kaluar në një zonë malore, katër kilometra larg qytetit Lodeve, ku po merrte pjesë festivalin e poezisë

“Voix de la Méditerranée” në Francë. 

“Isa Mustafa do të duhej të angazhohej personalisht”

Artan Muhaxhiri, ligjërues i sociologjisë së kulturës, thotë se në fakt do të ishte çudi dhe mrekulli që në Kosovë një projekt i rëndësishëm kulturor të kryhej pa komplikime, pa vonesa dhe pa akuza të ndërsjella. 

“Rrugët qindramilionëshe dhe sheshet dhjetramilionëshe ndërtohen pa më të voglin problem procedural, mirëpo projektet kulturore që kërkojnë resurse minimale financiare dhe hapësinore bllokohen me vite për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së interesimit institucional”, thotë Muhaxhiri. 

“Loja neveritëse burokratike me monumentin në nderim të Ali Podrimjes është një përbuzje që i bëhet artistit tonë të madh. Ky monument do të ishte kthim i një pjese të vogël të borxhit të cilin e kemi ndaj veprës së tij të madhe artistike”.  

“Loja neveritëse burokratike me monumentin në nderim të Ali Podrimjes është një përbuzje që i bëhet artistit tonë të madh.Artan Muhaxhiri

Muhaxhiri shton se kërkesa zyrtare nuk do të duhej të ishte pengesë në këtë rast dhe se kjo do të mund të zgjidhej brenda pesë minutave nëse do të ekzistonte vullneti.

“Me dy telefonata – njërën në drejtorinë e urbanizmit dhe tjetrën në sekretariatin e akademisë – do të ishte kuptuar si qëndron puna me kërkesën për lokacion”, shton ai. 

“Nëse për asgjë tjetër, vetëm për hir të faktit se është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Isa Mustafa do të duhej të përfshihej personalisht në këtë çështje dhe t’ia dedikonte pesë minuta ish-kolegut të ndjerë – njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës bashkëkohore shqiptare”.