Ilustrim

Nuk Nxitet Energjia nga Dielli

“Solar Green Energy” nga Kosova së bashku me kompaninë zvicerane “Rabasolar” kanë marrë në shfrytëzim 16 hektarë tokë në Komunën e Kamenicës për ta ndërtuar aty një park solar që do të prodhonte energji nga dielli.

Konzorciumi zvicerano-kosovar ende nuk mund ta fillojë punën.

“Mungon licenca sepse nuk mundemi të kërkojmë licencë pa biznes-plan e për ta kompletuar biznes-planin na nevojitet tarifa nxitëse”  tha Feim Islami nga “Solar Green Energy” për Gazetën Jeta në Kosovë.

Këto tarifa shërbejnë për të joshur investitorët e prodhimit të energjisë së pastër dhe çmimi i tyre përcaktohet varësisht nga shpenzimet e teknologjisë prodhuese të energjisë së tillë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), trupi që përcakton tarifën nxitëse për energjitë e ripërtërishme, thotë se shumë shpejt energjia diellore do të tarifohet.

“Në javët në vijim Bordi [i ZRrE-së] do ta miratojë metodologjinë për tarifat nxitëse (FIT)”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRrE.

Por vonesat e ZRrE-së po e ftohin investitorin zviceran që planifikon të merret me këtë lloj biznesi në Kosovë.

“Që nga shkurti i vitit 2013 jemi duke e pritur tarifën nxitëse, ndërsa partneri nga Zvicra ka filluar ta humb durimin, edhe pse kemi investuar deri sot 200 mijë euro”, shpjegon Islami.

Ai mendon se ZRE-ja po vonohet qëllimshëm për tarifat nxitëse të energjisë së ripërtërishme.

“Kjo më lejon të dyshoj se e gjithë kjo e ka një qëllim të qartë, e ky është ndërtimi i kapaciteteve të reja ndotëse si ajo me ‘Kosovën e Re’”, thotë Islami.

ZRrE-ja thekson se nevojiten analiza të detajuara deri në nxjerrjen e tarifave nxitëse si faktorët që ndikojnë direkt në koston e prodhimit të energjisë, si investimet për central, shpenzimet për procedurat e licencimit e të tjera.

“Shumica e vendeve të BE-së që aplikojnë tarifa nxitëse përdorin konceptin e bazuar në koston e prodhimit të energjisë elektrike për të përcaktuar nivelin e tarifës”, tha Murtezaj.

ZRrE-ja deri tash ka përcaktuar tarifat për disa lloje të energjive të ripërtërishme. 63.3 euro kushton megavati i energjisë së prodhuar nga uji, 85 euro ai i energjisë së krijuar nga era dhe 71.3 euro megavati i energjisë së krijuar nga biomasa. Biomasat janë materiale biologjike që rrjedhin nga organizmat e gjallë, ose ata të sapovdekur kryesisht bimorë.

Tarifat nxitëse i mundësojnë prodhuesve të energjisë alternative mbulimin e kostos së prodhimit për një kohë të caktuar, duke i bërë më konkurrues në treg. Në pë rmjet aplikimit të  tarifave nxitë se pagesat ndaj shtetit bëhen për energjinë elektrike të prodhuar dhe jo për kapacitetin e instaluar pë r prodhim të  energjisë .

Ndërkaq një megavat i energjisë kosovare të prodhuar në termocentralet Kosova A dhe B me djegie nga linjiti ka vlerën e 57.6 eurove.  Vendi obligohet nga marrëveshja e nënshkruar me Traktatin e Energjisë së Athinës që deri më 2020 ta sigurojë  çerekun e energjisë së përgjithshme nëpërmjet burimeve që nuk e dëmtojnë mjedisin.

Nuk arrihet caku për energji solare

Parku diellor i Kamenicës është ndërtuar për të prodhuar dhjetë megavatë energji solare, por Ministria e Zhvillimit Ekonomik sipas Strategjisë së Energjisë 2009-2018 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës kësaj forme të energjisë së ripërtërishme për vitin 2014 ia ka përcaktuar vetëm 1 për qind të energjisë totale që shpenzojnë kosovarët.

Kjo i bie që parku duhet të prodhojë vetëm tre megavatë të energjisë diellore.

Hamdi Malushaj nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme të Kosovës (ShERK), dyshon se MzhE-ja do ta realizojë sivjet planin e paraparë për sasinë e prodhimit të energjisë diellore.

“Ka kaluar koha tashmë, pasi që është e vështirë me ardhë deri te lejet që duhen, licencat dhe kështu është shumë vonë që të arrihet sivjet [ky prodhim]”,  thotë Malushaj për gazetën.

Besim Limani nga firma “Energy Plus” thotë se caku i vogël i caktuar nga qeveria për energjinë diellore nuk është mirë i studiuar, pasi që Kosova ka diellosje të mirë gjatë vitit.

Limani mori shembull Mbretërinë e Bashkuar e cila po investon në prodhimin e energjisë solare duke thënë se ai vend ka shumë ditë me shi dhe përsëri po del se ka përfitime nga kjo energji.

“Si ka mundësi që atje të jetë rentabël një sistem solar, e në Kosovë jo”, thotë Limani.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik shpjegon shkurt: “Caqet e energjisë solare janë parashikuar bazuar në koston efektive të kësaj energjie, duke pasur parasysh edhe reflektimin e saj në koston totale të energjisë që ajo të jetë e përballueshme për konsumatorin.”

Aktualisht prodhimi i energjisë diellore konsiderohet i shtrenjtë, por Hamdi Malushaj nga ShERK-u thotë se kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të zhvillojë kapacitet prodhuese të energjisë miqësore ndaj ambientit.

Ai shpjegon se nuk guxohet të bëhet krahasimi  i këtyre energjive me energjinë e linjitit dhe se me analizë të tregut mund të nxirret një çmim real i energjisë së pastër.

“Të dyja ecin paralel me njëra tjetrën […] energjitë e ripërtërishme janë ekonomi, por janë edhe obligim. S’kemi çare pa i bë”, thotë Malushaj.

Qeveria sheh nga linjiti 

Vitin e kaluar sipas MZhE-së Kosova plotësoi dy për qind të nevojave të veta për energji, nga burimet e ripërtëtishme të saj. Për sivjet kjo ministri e pret fundit e vitit për të publikuar shifrat e përdorimit në vend të energjisë së pastër.

“Përgjigjja duhet pritur pas hartimit të dokumentit të bilancit vjetor të energjisë”, tha Zyra për Komunikim e ministrisë.

Por Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID)  vlerë son se qeveria ë shtë  e fokusuar në  prodhimin e energjisë  nga linjiti.

“Kosova e Re’ është e panevojshme dhe nuk duhet ndërtuar,” thotë Visar Azemi nga KOSID-i.

Por ndryshe mendojnë qeveritarët.

“Konsiderojmë se një kërkesë për të mos u ndërtuar termocentrali “Kosova e Re” është e pabazuar dhe e pastudiuar mirë”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ministria shpjegon se deri në vitin 2030 konsumi i energjisë në Kosovë do të dyfishohet dhe nevojat nuk mund të mbulohen vetëm nga termocentrali “Kosova B”, burimet e ripërtërishme të energjisë në gjendjen aktuale dhe masat për kursimin dhe eliminimin e humbjeve energjetike.

Sipas hulumtimeve Kosova llogaritet të ketë 14.7 miliardë tonë qymyr të llojit linjit që nëse vazhdon të shfrytëzohet me kapacitetet e sotme mjafton për 1 mijë e 500 vjetët e ardhshëm. Por djegia e këtij minerali është shumë e dëmshme për shëndetin.

KOSID-i thotë se nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri i mushkrive për shkak të ndotjes me linjit në Kosovë ndodhin 852 vdekje të parakohhme në vit.

Aktualisht Qeveria e Kosovës është koncentruar te burimet ujore për të rritur prodhimin e energjisë së pastër dhe arritjen e objektivave të caktuar nga Traktati sipas Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Ripërtërishme të energjisë 2011- 2020.

Plani parashikon përfitimin e 240 megavatëve nga hidrocentralet e vogla,  305 të tjerëve nga hidrocentrali “Zhuri”, 150 megavatëve nga era, 14 megavatëve nga nga biomasat dhe 10 megavatëve nga energjia solare.

Por hidrocentrali “Zhuri” nuk është funksional.

“Aktualisht nuk ka zhvillime lidhur me zbatimin e projektit të HC ‘Zhuri’”, thotë Zyra për Komunikim e MzhE-së.

Sipas studimit të bërë nga organizata daneze “COWI “ potenciali teorik i energjisë diellore në Kosovë është 1600 kilovatë për metër katror në vit, ndërsa KOSID-i thotë se vendi mund të prodhojë në vit 300 megavatë energji nga era.