Nuk Mund të Merrja Frymë në Turqinë e Erdoganit

Muaj kaluan pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi dhe në vend që të përmirësohet, situata në vendin tim të dashur po përkeqësohej. Po shihja miq, kolegë dhe familjarë të hetoheshin, ndiqeshin penalisht, arrestoheshin, hiqeshin nga puna, pezulloheshin dhe kanoseshin në shumë mënyra të ndryshme.

Shumica e tyre, isha i sigurt, se nuk qenë të përfshirë në asnjë grup apo aktivitet terrorist apo antiqeveritar dhe shumë po i qëndronin larg politikës e po merreshin me punët e tyre për hir të familjeve.

Por shtypja dhe frika e gjithëpranishme po rritej dhe unë kuptova se nuk merrja më dot frymë vendin tim. Ndaj, vendosa të largohem, të paktën për momentin, për të fituar energji dhe eksperiencë jashtë vendit, që është e nevojshme si për mua dhe për të ardhmen e vendit tim.

Pas javësh përgatitje, iu afrova këndit të policisë kufitare në aeroport. I kisha përgatitur dokumentet dhe isha gati për çdo pyetje që policia mund të bënte.

Isha plot frikë ngaqë çdo shtetas turk që largohet nga vendi duhet të provojë arsyen e udhëtimit të vet. Për shkak të gjendjes së emergjencës, mijëra njerëz ishin ndaluar të dilnin nga vendi për arsye të njohura ose jo.

Disa madje u arrestuan ngaqë u përpoqën të largoheshin apo të ktheheshin në atdhe. Siç është bërë zakon që nga grushti i dështuar i vitit të shkuar, zyrtarët zor se japin arsye apo prova për veprimet e tyre.

Isha i shqetësuar se emri im ishte në ndonjë listë të zezë qeveritare, që do të nënkuptonte fundin e planeve të mia.

Ia dhashë pasaportën policit me një buzëqeshje false. Ai e hapi ngadalë dhe filloi të kontrollonte emrin tim në kompjuter. Fillova të djersij dhe shikimi mu turbullua.

Kur ai vulosi me zhurmë pasaportën time, u riktheva në vetëdije. Do të thoshte se nuk kishte problem dhe se isha i lirë të largohesha. Ky proces mori vetëm 15 deri në 20 sekonda, por mu duk si një nga më të gjatët e gjithë jetës sime.

Njëkohësisht, u ndjeva i çliruar por gjithashtu isha plakur me vite në ato pak rrahje zemre. Pyesja veten nëse flokët e mi ishin thinjur në prag të lirisë.

E mora pasaportën dhe fillova të eci në portën dalëse duke menduar për personat e mi të dashur që po lija pas në vendin tim.

Duke shpërfillur realitetin, shpresoja se kur të kthehesha do të gjeja një Turqi më të mirë.

Si arritëm këtu?

U qetësova vetëm kur avioni u ngrit, duke më çuar në destinacionin tim të ri dhe në të ardhmen time të re e të panjohur.

Megjithatë një e ardhme e panjohur ishte më mirë sesa shtypja dhe frika që po lija pas. Të paktën, do të doja ta besoja këtë, ngaqë ky lloj argumenti është arsyeja kryesore për shumë turq që po emigrojnë me dëshirë.

Jam bërë një pjesë e një vale të qëndrueshme dhjetëra mijëra akademikësh, gazetarësh, kërkuesish, artistësh, biznesmenësh, nëpunësish, ushtarësh, policësh dhe shumë të tjerëve që janë larguar nga Turqia që nga korriku i vitit të shkuar.

Disa prej nesh i humbën vendet e punës, disa të tjerë u pezulluan, hetuan apo kërcënuan nga sistemi për diçka që nuk e kishim bërë, ndaj vendosëm të largohemi – ose të shpëtojmë jetën ose të shpëtojmë parimet me të cilat kishim jetuar.

Grupi gjithnjë e në rritje i shtetasve turq që po mërgojnë përfshin aktivistë kurdë, të majtë, liberalë, LGBT, të ashtuquajturit simpatizantë të Gylenit – grupi i akuzuar se fshihet pas grushtit të dështuar të shtetit – por gjithashtu shumë patriotë të zakonshëm si unë.

Teksa stjuardesat shpërndanin ushqime dhe pije në avion, hyra thellë në mendime. Si arritëm këtu?

Pyetja kyçe që më vërtitej në kokë ishte rreth vetë grushtit. A ishte vërtet një përpjekje për të rrëzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan apo një lojë e inskenuar prej vetë atij për të maksimizuar pushtetin – diçka që ai ishte përpjekur ta bënte prej vitesh?

Vetëm koha mund të ofrojë një përgjigje për këtë mister të madh që shqetëson shumë njerëz në Turqi dhe jashtë.

Megjithatë, ndërsa mendoja se çfarë kishte ndodhur në Turqi që nga grushti i dështuar i shtetit, ajo që më goditi më shumë ishte se në gjashtë muajt e fundit Turqia ka kaluar nëpër një tjetër grushti shteti – të organizuar nga vetë Erdogan kundër opozitës dhe njerëzve të cilët nuk e mbështesin.

Qeveria e Erdogan e ka përdorur gjendjen e emergjencës për të bërë ndryshime të paligjshme në kushtetutë si dhe për të asgjësuar opozitën, lirinë e fjalës dhe mendimin e lirë.

Nuk ka dyshim se puçistët që synonin të rrëzonin një qeveri të zgjedhur dhe që vranë qindra të pafajshëm meritojnë të ndëshkohen.

Megjithatë, shkalla e kundërveprimit që qeveria ka marrë, që duket se nuk po ka fund, hedh dyshime mbi legjitimitetin dhe synimin e luftës së qeverisë kundër të dyshuarve si puçistë.

Qindra mijëra njerëz, përfshirë gjeneralë të ushtrisë, oficerë të policisë, anëtarë të gjykatës kushtetuese dhe akademikë janë hequr nga puna ose pezulluar.

100,000 mësues të tjerë kanë mbetur pa licenca prej anulimit të tyre. Rreth 50,000 njerëz janë dërguar në burg pa u dënuar nga një gjykatë. Rreth 151 gazetarë janë burgosur dhe 177 institucione mediatike janë mbyllur, sipas organizatës monitoruese të të drejtave Freedom House; një e treta e numrit total të gazetarëve të arrestuar në botë janë në Turqi. Mijëra OJQ, fondacione dhe universitete janë mbyllur.

Pjesa më qesharake ose më e trishtë është se 656 njerëz janë arrestuar për shkak të postimeve të tyre në Twitter dhe Facebook.

Ndërsa qeveria këmbëngul se të gjithë këta persona janë të lidhur me predikuesin turk në mërgim Fetullah Gylen dhe lëvizjen e tij, shumë njerëz që kanë vuajtur nga kjo shtypje janë të njohur si kundërshtarë apo kritikë të Gylenit.

Pasoja shkatërruese të dy grushteve

Thuajse dukej si një ëndërr e keqe, një makth nga i cili nuk kishte zgjim.

Ajo që pasoi pas grushtit të shtetit ka qenë edhe më shkatërrimtare për vendin tim dhe familjet sesa vetë grushti i shtetit.

Me ekonominë në lulëzim, kulturën e pasur dhe rëndësinë strategjike, Turqia deri 2-3 vite më parë ishte një yll i shkëlqyeshëm, një forcë stabilizuese në Lindje dhe një partnere thelbësore, e besueshme politikisht dhe në biznes për Perëndimin.

Sot, Turqia është një vend i qeverisur nga frika dhe shtypja, sunduar nga gjendja e emergjencës dhe dekretet qeveritare, ku demokracia dhe sundimi i ligjit janë pezulluar dhe ndaluar – një vend që po braktiset gjithnjë e më shumë nga shtetasit e vet, por edhe nga investitorët e huaj, biznesmenët dhe turistët.

Një tjetër pasojë e tmerrshme e grushtit të dështuar të shtetit dhe masave të qeverisë ka qenë një rritje dramatike e terrorizmit në vend – në qytete metropolitane dhe veçanërisht në lindje të vendit, ku jetojnë më së shumti njerëz me origjinë kurde.

Së fundmi lexova statistikat që tregonin se vetëm në vitin e shkuar, 5,650 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, vendas dhe turistë e vizitorë të huaj kishin humbur jetën në sulme terroriste dhe operacione sigurie, megjithëse qeveria ende këmbëngul se nuk ka dështime në siguri.

Asnjë vendimmarrës i vetëm nuk ka dhënë dorëheqjen për dështim në ndalimin e këtyre incidenteve.

Njerëzit si unë kanë filluar të thonë se në Turqi “jemi aksidentalisht gjallë”. Është një shaka, por gjithashtu tregon situatën tonë të tmerrshme.

E gjitha kjo ka pasur një ndikim në ekonominë në lulëzim të vendit tonë. Lira turke ka rënë shumë ndaj dollarit dhe euros, papunësia është shtuar dhe tani e kalon 20 për qind, investitorët – si dhe turistët – po e braktisin Turqinë në masë dhe fuqia blerëse e njerëzve ka rënë ndjeshëm.

Dyqanet janë mbyllur në Turqi njëra pas tjetrës, edhe në vendet më prestigjioze, si në rrugën Istiklal dhe Besiktas në Stamboll.

Megjithatë, klasa politike dhe mbështetësit e saj duken të fiksuar pas ëndrrës së tyre post-otomane, në të cilën Erdogan është një lloj Kalifi që sundon Turqinë dhe Turqia sundon botën myslimane, në të cilën myslimanët nga Bosnja në Palestinë ndjekin atë në një të ardhmen të ndritur.

Regjimi duket se është i vendosur të arrijë këtë ëndërr në botën reale dhe parlamenti aktualisht po voton mbi ndryshimet kushtetuese, që do të shkojnë në një referendum në prill dhe maj, që do të krijojë një sistem presidencial më të fortë në të cilin Erdogani ka kontroll të plotë ndaj ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.

Në javët e para pas grushtit të dështuar të shtetit, si shumë të tjerë, po prisja dhe po shpresoja që Perëndimit të na ndihmonte dhe të ndihmonte në shërimin e Turqisë, të na asistonte në kthimin e demokracisë që ishte e sulmuar.

Gjashtë muaj më pas, e kam humbur të gjithë shpresën që kjo mund të ndodhë. Tani shoh natyrën shkatërrimtare të fuqive perëndimore dhe lindore, vrasjen e njerëzve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut te vetë shtetasit e tyre në një luftë pafund për dominim, kontroll, para dhe pushtet.

Është sikur bota, si dhe dinjiteti njerëzor, të jetë marrë peng nga Erdogani, Donald Trump, Vladimir Putin, Marine Le Pen, Vikor Orban, Nikola Gruevski, Milorad Dodik dhe shumë të tjerë të ngjashëm.

Teksa avioni im filloi përgatitjet për t’u ulur, rryma ajrore na çonte sa majtas-djathtas. Po mendoja dëshpërimisht për zgjidhje. Si mund të ndihmoj në kthimin e Turqisë sime të vjetër? Si mund të shërojmë botën?

Fjalët e një poeti të njohur turk, Nazim Hikmet, që e la vendin në 1951 për shkak të mendimeve të tij, filluan të më jehojnë: “Ajri i rëndë si plumb! Nuk mund të marrim frymë…”

Teksa më në fund u ulëm në aeroportin e destinacionit tim të ri, kuptova se ende kisha shpresa dhe isha i vendosur ta bëj botën time një vend më të mirë. Duke nisur me të sotmen.

 

*Autori ka zgjedhur të identifikohet si ‘një Mehmet në vet-mërgim’.