Nuk Morën Vendim

Prokurori Maurizio Salustro të hënën në Gjykatën e Qarkut kundërshtoi kërkesat e mbrojtjes të paraqitura me shkrim javën e kaluar në ‘Rastin Kleçka’ ndërsa u tregoi avokatëve adresën se ku duhet të deponojnë kërkesën për tërheqjen e tij nëse këtë e duan.

Prokurori fillimisht deklaroi se për shkak të angazhimeve të avokatit mbrojtës të Fatmir Limajt, Karim Khan gjykimet nuk mund të shtyhen, sipas prokurorit avokati është i zënë gjithandej nëpër gjykatat e botës. ‘Nuk mund ta presim atë 10 vjet që ai të lirohet e pastaj ta fillojmë gjykimin’ tha prokurori.

Mbrojtja kishte kërkuar nga kolegji që ta shtyjë shqyrtimin edhe për shkak të mungesës së provave dhe ardhjes së provave të reja nga prokurori i çështjes. Mbrojtja ka marrë 47 deklarata të reja nga 3 nëntori deri më tani.

Prokurori për çështjen e mungesës së disa provave deklaroi se nuk është se i pengon mbrojtjes në punën e saj. I njëjti e pranoi se mbrojtja ka pranuar kaq shumë prova për një kohë të shkurtër porse nuk është problem që të përgatitet pasi që ato nuk dihet nëse do të shfrytëzohen dhe nëse shfrytëzohet nuk do të jetë tani koha e tyre, kështu që mbrojtja mund të përgatitet ndërkohë.

Kolegji lidhur me kërkesën e mbrojtjes për të shtyrjen e seancës, do të merr vendim të mërkurën pasi që të merr vendimin për pranueshmërinë  ose papranueshmërinë e provave. Kryetari i kolegjit i udhëzoi se të gjitha palët duhet të përgatiten për të paraqitur argumentet lidhur me pranueshmërinë ose mos pranueshmërinë e provave që janë në lidhje me dëshmitarin X.

Lidhur me kërkesën e mbrojtjes për raportin e autopsisë, prokurori e përsëriti se nuk mund t’i ofrojë mbrojtjes ato të cilat as ai vet nuk i ka. Prokurori e njoftoi kolegjin se për autopsinë ka kërkuar Ndihmën Juridike Ndërkombëtare.

Prokurori në deklarimet e tij foli edhe për kërkesën për përjashtimin e tij, duke treguar se nëse dikush e kërkon përjashtimin e tij atë mund ta bëjë duke u mbështetur në nenin 45 të KPPK’së dhe të njëjtën ta dërgoi te kryeprokurori i PSRK’së.

Prokurori tha se nuk ka një përgjigje se si ka shkuar dëshmitari X në Gjermani, por se as kjo çështje nuk është e lidhur me çështjen e pranueshmërisë ose papranueshmërisë së provave në lidhje me dëshmitarin X.

Lidhur me shëndetin dhe raportet për shëndetin e dëshmitarit X, prokurori nuk kishte ndonjë informatë për ndonjë sëmundje të tij, kjo pasi që sa herë që e kishte marrë në pyetje ai kishte qenë shumë mirë dhe nuk i është ankuar për ndonjë sëmundje.

Ndërsa mbrojtja lidhur me këtë çështje kishte kërkuar raporte mjekësore, pasi që dyshohet se dëshmitari X ka qenë në trajtim mjekësor gjatë dhënies së dëshmisë së tij.

Mbrojtja në kërkesën e saj kishte kërkuar që të përkthehen dy dosjet e lëndës ajo me shenjën M dhe H, si dhe 3 deklaratat e dëshmitarit X.

Prokurori e pranoi se dy dosjet janë të pa përkthyera, por që sipas tij ajo është bërë për shkak se nuk janë të nevojshme për lëndën. Prokurori shtoi se deklaratat e dëshmitarit X kanë mbetur në anglisht pasi që dëshmitari X vetëm në anglisht i kishte nënshkruar, pra dëshmitarit X nuk i ishte mundësuar përkthimi në letër vetëm aty për aty.

Avokati Mahmut Halimi,  e ngriti edhe një herë çështjen e marrjes së ditarit të dëshmitarit X tek vëllai i dëshmitarit, pasi që mbrojtja duhet ta ketë origjinalin pa ndërhyrje në të.
Letra e fundit e dëshmitarit X, të cilën e kishte lexuar avokati nuk e kishte lënë të flinte gjithë natën nga ajo që kishte lexuar aty.

Mbrojtja në seancën e kaluar kishte parashtruar kërkesa për heqjen e masës së paraburgimit, e vendimi i kolegjit për këtë çështje ishte negativ.

Çështja tjetër që kolegji morri vendim ishte ajo se nëse duhet të mbeten pikat e aktakuzës lidhur me vrasjen e Arben Avdylit. Mbrojtja kishte paraqitur kundërshtim në këto pika kjo pasi që trupi i Arben Avdylit ishte ende i zhdukur dhe se i njëjti figuronte ende në listën e të zhdukurve.

Vendim i kolegjit ishte që të vazhdojnë të mbeten pikat e aktakuzës për vrasjen e Arben Avdylit, kjo pasi që ka prova të mjaftueshme të cilat tregojnë se i njëjti ka vdekur, por prokurorisë i mbetet që ta gjej trupin e tij.

Avoakti Ramiz Krasniqi e njoftoi kolegjin se të mbrojturit të tij Sabit Shala, i kishte vdekur vëllai dhe se i duhej që të merrte pjesë në varrimin që ishte ditën e nesërme si dhe në ditët e pritjes së ngushëllimeve.

Kryetari i kolegjit i shprehu ngushëllimet e tij dhe të kolegjit për të pandehurin dhe familjen tij, po ashtu shtoi se kolegji do të lëshojë një urdhër të veçantë dhe të pandehurit do t’i mundësohet që nga qendra e paraburgimit të shkojë në shtëpi për të vëllain.

Seanca filloi në orën 11:30, jo në kohën e zakonshme, kjo për faktin se mbrojtja ishte e obliguar që ta dërgonte kërkesën e saj. Kjo seancë por edhe seanca e kaluar u veçuan për keqorganizim nga ana e policisë, ku gjykimi filloi me kohë, e ndërsa ai vazhdonte palët futeshin brenda.