Novelë për Liritë Evropiane dhe Kufizimet Njerëzore

Artan Mustafa ndihet i lehtësuar. Ka nxjerrë nga koka në letër novelën e tij të parë, të nisur si ide disa vjet më parë. 

Në “Çdo gjë është ftesë për dehje” përzihen përvojat personale me trillimet letrare, ndërsa përshkruhet një marrëdhënie intime e tregimtarit me një vajzë evropiane 13 vjet më të re. 

Pastaj flitet për një dashuri të fuqishme të një djali me një vajzë që nga ai konsiderohet e ëndrrave, por që si shumica e ëndrrave përfundon keq. Të dashuruarit njëanshëm i rrëmbehet kjo vajzë nga shoku i tij më i ngushtë. 

Novela ka si personazhe femra të bukura, por me probleme dhe meshkuj të zotë, por të vuajtur. Përshkruhen jetëra në mes të Evropës, me dilemat e përditshmëritë, të zakonshme e të pashmangshme. 

Detajist në përshkrimin e udhëtimeve, qyteteve, pamjeve, dhe barkafeve të Evropës ku dehja zë vend në secilin kapitull, në përshtatje me titullin, Mustafa ka bërë një përshkrim të detajuar sidomos të femrave dhe marëdhënieve dashurore dhe seksuale me to.

Për lexuesin shqiptar, servimi i përshkrimeve të skenave dhe akteve të seksit, sidomos me shprehje nga zhargoni i përditshëm, sipas autorit është bërë për arsye të nxitjes që kjo temë të jetë diçka që duhet të flitet, të mos vazhdojë të jetë tabu. 

Mustafa ka përshtypjen se kosovarët edhe pse jetojnë të rrethuar nga kultura evropiane, bëjnë një jetë krejtësisht të ndryshme nga evropianët tjerë. 

Sipas tij në Kosovë ka keqkuptime dhe mungesë informacioni për Evropën. Ai shpreson se novela do të plotësojë këto mungesa. 

“Njerëzit mendojnë se në shumë shtete të Evropës problemet janë të zgjidhura, askush nuk vuan dhe nuk heq për asgjë. Ka një perceptim të zmadhuar, ndoshta edhe të paqenë prej shumë njerëzve, por shpresoj se këto informacione do të ndihmojnë” thotë Mustafa për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Novela nis me daljen nga Kosova, me kujtimet e marra nga këtu dhe vendosjen e përshtatjen në një “botë” të re në Evropë. Mustafa e trajton ikjen, largimin si të nevojshëm për secilin individ në mënyrë që të arrijë një pjekje dhe formësim personal. 

Çdo kapitull ai e përfundon me mesazhe personale mbi dëshirën e parreshtur për liri, për të menduar, për të ekzistuar e për t’u formuar lirshëm, pa presionin e familjes, shoqërisë, religjionit, shkollave. 

“Unë jam shumë për individin. Njeriun e lirë, individin e lirë para së gjithash. Shoqëritë e ndihmojnë individin të jetojë, nuk ish dashtë me qenë e kundërta, domethënë – ta shtypin. Se si duket jeta e tij, edhe ajo është njëfarë ftese për të pirë. Se edhe vetë pretendimi për të qenë esëll, është një gjendje e dehur”, thotë ai.

Në libër njëra anë e medaljes janë seksi, dehja, femrat e marijuana, ndërsa tjetra përfshin problemet financiare, politike, shoqërore. 

Por vjen një kohë në orët e vona të mbrëmjes kur të parat i mundin të dytat dhe njerëzit bëhen më të afërt. I tejkalojnë lirshëm kufijtë personalë dhe ndarjet. Atëherë sipas Mustafës “çdo gjë është ftesë për dehje”. 

Mustafa, ish-redaktori menaxhues i Gazetës Jeta në Kosovë, i diplomuari në shkenca politike, i “dashuruari” në gazetari hulumtuese që tash jeton mes Vjenës dhe Prishtinës thotë se nuk do të ndalet me kaq. Premton se do të vazhdojë “të na dehë” edhe me projekte tjera-novela të reja.