Përpunim ilustrues nga Gazeta JNK

Nomofobia - Sëmundja ‘Dhuratë’ nga Teknologjia

Narcisi në mitologjinë greke ishte një djalosh i bukur që përditë me orë të tëra dilte ta vështronte bukurinë e tij në ujërat e pastra të një liqeni, deri në momentin kur i rrëshqitën këmbët dhe ra e u mbyt në ujin ku shikohej si në pasqyrë.

Sot, në kohët moderne, njerëzit gjithnjë e më pak dalin në natyrë e pranë liqeneve, por ende ekziston mundësia e një vdekjeje si ajo e Narcisit – “mbytja në ujërat” e rrjeteve sociale.

Miliona njerëz të ulur pranë kompjuterëve, ose duke vështruar në ekranët e telefonëve mobilë për orë të tëra, bëjnë përditë një “vetëvrasje” të tillë.

Arsim Gërxhaliu, mjek ligjor dhe një kombinues i përdorimit të rrjeteve sociale e telefonave mobilë me daljen dhe aktivitetet në natyrë, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se varësia nga teknologjia tashmë është identifikuar nga mjekët si një sëmundje.

“Para dy ose tre vjetësh në një kongres të mjekëve në Londër tanimë ka hy edhe diagnoza e cila e paraqet si sëmundje teknologjinë. E kjo diagnozë quhet Nomofobia – diagnozë mjekësore që paraqet fobinë nga mungesa e teknologjisë, iPhonëve, laptopëve e kështu me radhë – thjesht kontaktit me internetin,” shpjegon Gërxhaliu.

Ai tregon edhe simptomat e një njeriu që vuan nga ky çrregullim.

“Nomofobia do të thotë e ka marrë emrin nga ‘no mobile phobia’ – frika psikike kur ty të mungon bateria, fillon me të humbë energjia, ndodhesh në vendin ku nuk ke rrymë me e mbush baterinë,” thotë Gërxhaliu.

Arsim Gërxhaliu me celular në dorë teksa lundron me një varkë me motor | Foto: Facebook
Arsim Gërxhaliu me celular në dorë teksa lundron me një varkë me motor | Foto: Facebook

Profili në Facebook i Gërxhaliut – person që i njeh mirë rrjetet sociale – numëron 5 mijë miq, numri maksimal i ‘friends’ që kjo platformë mundëson.

Selfiet që prishin momentet

Narcizmi, varësia dhe teprimi me përdorim të teknologjisë informative më së shumti vërehet te selfiet.

Sociologia Linda Gusia thotë se edhe pse qëllimi i selfieve bëhet për të përjetësuar momentet e veçanta, ato shpesh i prishin këto momente.

“Me zhvillimin e madh të teknologjisë është edhe obsesioni me selfiet, obsesioni me kapë momentin, kaniherë t’u e rreziku edhe prishjen e momentit. Domethënë, ideja se çdo gjë duhet me u regjistru, çdo gjë duhet me u pa në rrjetet sociale është njëlloj ekzagjerimi në komunikim,” thotë Gusia për Gazetën Jeta në Kosovë.

Driton Sahiti që po doktoron në Universitetin e Glasgout në lidhje me praktikat e reja sociale dhe vlerat që po krijohen nga zhvillimi i teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale, selfiet i konsideron çrregullim.

“Selfiet janë çrregullim psikologjik-prej një fotoje me shokun me të cilin nuk je pa moti, e deri te gati fotot porno,” thotë Sahiti.

Dembelë nga teknologjia

Linda Gusia mendon se zhvillimi i teknologjisë informative, telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale e ka ndryshuar pakthyeshëm jetën.

“Teknologjia është e dukshme sa shumë e ka ndryshu jetën tonë. Është kohë e revolucioneve në historinë e njerëzimit. Asnjë revolucion tjetër më radikalisht nuk e ka ndryshu jetën tonë. Është fakt i jetës, nuk ka ma kthim mbrapa në mënyrën si kemi jetu ma herët,” thotë Gusia.

Për Driton Sahitin ky revolucion ka ndërruar përditshmërinë e njerëzve.

Driton Sahiti gjatë një ligjërate plot pasion në Universitetin e Glasgou | Foto: Facebook
Driton Sahiti gjatë një ligjërate plot pasion në Universitetin e Glasgou | Foto: Facebook

Sipas tij, derisa përpara rutina jonë e përditshme mund të ishte e përbërë prej zgjimit nga gjumi, shkuarjes në banjo, larjes së dhëmbëve e syve, veshjes dhe nisjes për në punë, tash në këto gjëra, të mësuara e të zbatuara automatikisht, ka hyrë edhe hapja e rrjeteve sociale, ose çfarëdo komunikimi virtual, për të parë se çfarë ka ndodhur.

Sahiti e vlerëson të rrezikshme tendencën e një pjese të madhe të njerëzve që në profilet e tyre të rrjeteve sociale nuk janë ata që janë në jetën e vërtetë.

“Prej ma aktivëve në internet në gjeneratën time janë njerëzit që nuk kanë qenë aktivë gjatë kohës tonë. Teknologjia ta jep mundësinë e një identiteti çfarë ti po dëshiron. Ti nuk del qysh je aty, po qysh ke qejf me u pa. Teknologjia dhe rrjetet sociale e ka pru që njerëzit shpesh edhe falls me u ba. Kjo është shumë e rrezikshme,” thotë Sahiti.

Mjeku Arsim Gërxhaliu pretendon se teknologjia po na bën më dembelë dhe më pak të mençur.

“Shumë libra profesionalë dalin për axhami, për joprofesionistë. Teknologjia e ka thjeshtu metodologjinë për me marrë diçka vesh, jemi shndërru në një formë të tillë në thonjëza të dembelave, të idiotëve. Përpara, për shembull, fotoaparati ka qenë me rregullim manual, ndërsa tash ata që nuk dinë ta përdorin fotoaparatin, e ke një vend, e qet në atë pikën automatike dhe ai mendon për ty,” thotë Gërxhaliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i “Innovation Centre Kosovo”, një qendre që synon lidhjen e hulumtimeve dhe zhvillimeve shkencore me biznesin, porosit të rinjtë që aktivitetet para kompjuterit t’i kombinojnë edhe me ato sportive që të mos preken nga sëmundjet e këtij shekulli të shkaktuara nga jeta pasive.

“Personalisht shoh shumë njerëz që vuajnë nga disa ‘sëmundje te reja’ të shekullit 21 që lidhen me qëndrimin e tyre dhe sigurisht me shikimin. Këta dy faktorë dhe jeta pasive, me orë të stërzgjatuara para kompjuterit, sjellin ne vete edhe shqetësime të tjera psikologjike. Një jetë e shëndoshë, e balancuar mes punës, jetës sociale dhe e plotësuar me aktivitet fizik, do të jetë e domosdoshme,” sugjeron Begu.

https://vimeo.com/76053661

Vetmia e rrethuar me pëlqime

Doktoranti i Universitetit të Glasgout, Driton Sahiti, nuk dëshiron që pëlqimet, ose ndjekësit në rrjetet sociale të përcaktojnë vlerat e një individi në shoqëri.

“Ja kena nis me u vlerësu ndërmjet veti kush a ma i suksesshëm ka shumë followers-a. Akceptanca e diçkahit që nuk është akceptuar përpara, e tash akceptohet, e ka llajka ma shumë, e më shumë bashkësi po e përkrahin, e krijon një realitet të ri në thonjëza. Realiteti i ri krijon vlera të reja, vlerat e reja krijojnë një praktikë sociale të re. Vlerat shoqërore kanë lëvizur drastikisht,” thotë Sahiti.

Ai mendon se pavarësisht zhvillimit të hovshëm të tyre, rrjetet sociale nuk mund ta zëvendësojnë komunikimin ballë për ballë.

“Qysh është e mundshme nëse i ke dy mijë friends, mos me pasë asni shok me pi kafe?” – shtron pyetjen Sahiti.

Uranik Begu, drejtuesi i ICK-së mendon se telefonat mobilë e kanë zbehur komunikimin e drejtpërdrejtë mes njerëzve.

“Shfrytëzimi i teknologjisë, në fokus telefonat mobilë, ka krijuar një zbrazëti në komunikimin e drejtpërdrejtë të njerëzve dhe shprehia për të komunikuar, sipas mendimit tim, mbetet arma më e fortë në krijimin e raporteve ndërnjerëzore,” thotë Begu.

Uranik Begu përjetëson në selfie marrjen e një çmimi ndërkombëtar | Foto: Twitter

Për ruajtjen e komunikimit ballë për ballë, pavarësisht zhvillimeve, është edhe sociologia Linda Gusia.

“Aty është problemi pak te humbja e aftësisë së komunikimit ballë për ballë dhe krijimit të një mënyre komunikimi online sesa drejtpërdrejt. Teknologjia është ndihmesë e mirë, por mendoj se duhet megjithatë me insistu në komunikim ballë për ballë, edhe komunikim ma njerëzor,” thotë Gusia.

Gazetat në rrezik

Driton Sahiti, edhe pse parashikon që gazetat e shtypura në të ardhmen do të jenë vetëm si artefakte, pretendon se ato dhe gjërat tjera të rrezikuara nga zhvillimi teknologjik do ta gjejnë mënyrën për të mbijetuar.

“Kanë parapa që për shkak të internetit letra ka me u zhduk, po veç është shtu, se bahet një transformim i praktikave, po prej njanës në tjetrën-zhdukje totale nuk mundet me pasë. Tash shumica e gazetave po dalin online, po nuk ka me mjaftu ajo-nashta u duhet me ba edhe oferta-kush e merr gazetën e ka edhe këtë, edhe këtë, edhe këtë,” thotë Sahiti.

Uranik Begu shtypin e shkruar e konsideron të tejkaluar.

“Më së shumti rrezikohen gazetat e shtypura, pasi që kanë konkurrentë të fortë portalet, të cilat janë më të shpejta në informim, kështu që shpesh lajmi i djeshëm është i vonuar”, thotë ai.

Sipas Begut, profesionet do të vazhdojnë të pësojnë ndryshime duke përmendur studime që thonë se 10 nga pozitat më të kërkuara globalisht në tregun e punës, nuk kanë ekzistuar 10 vjet më parë.

Uebfaqja Newspaper Death Watch – që përkthehet pak a shumë në “Mbikëqyrësi i Vdekjes së Gazetave” – është një obituar online që monitoron dhe përditëson në bazë ditore listën e gazetave të shtypura që dalin nga qarkullimi për t’u tretur në detin e kujtesës historike apo në oqeanin e pamat të harresës.

Në fakt, muaji maj i këtij viti, për herë të parë shënoi përmbysjen e numrit të të punësuarve në median e shtypur përkundër atyre në median online, në favor të kësaj të fundit.

Ballina elektronike e Newspaper Death Watch | Foto: Printscreen i NDW
Ballina elektronike e Newspaper Death Watch | Foto: Printscreen i NDW

Kafeteria si librari online

Driton Sahiti, doktoranti i Glasgout që ka edhe kafeterinë “Ma Belle” në Prishtinë, thotë se teknologjia po e detyron ta ndryshojë planin e biznesit të tij.

“Çka më ka ndryshu mua si biznes, është se së pari po duhet me pasë kujdes me shiku ku i kam shtekerat [prizat]. OK, unë po i baj shtekerin, po ka lokal që nuk ua ban shtekerin, sepse thotë nuk po du me më nejt gjatë [klientët],” shpjegon Sahiti.

Sipas tij, kohërat moderne kanë ndryshuar totalisht konceptin e kafeterive dhe lokaleve. Vendet që nisën biznesin si pika ndalimi të tregtarëve për çlodhje, ushqim, fjetje e pastrim, tashmë kanë destinim tjetër.

“Përpara m’u ka dashtë me e bajt mallin, tash malli është informata. Sot ajo praktikë sociale është tjetër – mu m’vyn dikun me u lidhë,” thotë Sahiti.

Sikurse poeti argjentinas Jorge Luis Borges që parajsën e imagjinonte si bibliotekë, Sahiti njësoj e koncepton tash kafiterinë.

“S’koka ma që unë po shes kafe, unë po shes ven, bibliotekë, librari… Ma s’ki nevojë për libra se i ki krejt në llaptop-kafiteria është librari,” thotë Sahiti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurbeti tash nuk është i zi

Uranik Begu, drejtori i “Innovation Centre Kosova”, tregon me një shembull personal se sa shpejt teknologjia informative e ka ndryshuar botën.

Ai rrëfen se derisa në vitet ’90 po kryente shkollën e mesme në Amerikë, e kishte shumë të vështirë të komunikonte nga atje me familjen.

“Mbaj mend vitet e hershme ‘90, kur isha në shkollë të mesme në ShBA dhe komunikimi me telefon kushtonte sa rroga mujore. Sigurisht ishte frustruese që nuk mund të komunikoja lirshëm me familjen për të marrë këshilla dhe për të hjekë mall,” tregon Begu.

Sot, sipas tij, kurbeti është shumë më i lehtë.

“Sot, sigurisht janë kohë të tjera dhe teknologjia jo vetëm që mundëson komunikimin mes familjeve, por po ashtu rrit angazhimin e diasporës sonë në shumë aspekte të jetës,” thotë Begu.

Edhe mjeku Arsim Gërxhaliu tash ndjen më pak mall për djalin që e ka jashtë vendit, për shkak të komunikimit me video-lidhje me të.

“Dhimbjet e mallit janë më të pakta se qe unë edhe djalin e kam jashtë, e shoh sa ma lehtë e kemi që me Skype komunikojmë, e sheh lëvizjen për momentin,” tregon Gërxhaliu.

https://www.youtube.com/watch?v=B7fzW3A4c1s

Pajisjet teknologjike po i ndihmojnë edhe Doganës së Kosovës në luftimin e kontrabandimit të mallrave.

“Njësitet e Antikontrabandës Qendrore kanë zbuluar 12 raste të fshehjes së mallrave në hapësira të modifikuara, duke përdorur pajisje si fibroskop, buster dhe pajisje tjera në periudhën raportuese janar- prill 2016,” thotë zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci.

Fibroskopi është një pajisje që “sheh” gjërat që nuk shihen, ndërsa me pajisje të llojit buster bëhet skanimi i automjeteve për mallra të padoganuara.

Edhe në laboratorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pajisjet e reja kursejnë kohën dhe shtojnë hapësirën.

“Përpara në mjekësinë ligjore ne kemi pasë laboratorin i cili ka kërku shumë hapësirë me epruveta, me flaka, me krejt. Tash e kemi ni farmatograf, ni kompjuter që është paksa më i madh se kompjuterët që ne i përdorim në shtëpi, jep me mijëra analiza, detekton me mijëra helme në gjak dhe urinë, bile-bile t’i jep edhe rezultatet finale. Nuk ka më shikime me mikroskop për me i gjetë rruzat e keqe të gjakut,” sqaron ndryshimet Arsim Gërxhaliu.

Por doktoranti i Glasgou, Driton Sahiti, çuditet se si në këtë kohë të gjithë këtyre zbulimeve e zhvillimeve teknologjike, njerëzit nuk protestojnë për shembull për çmimin e lartë të rrymës, ose për ndonjë pakënaqësi tjetër.

“Qysh është e mundshme rryma ma na ardhë kaq shtrenjtë e na me shujt. Ne ta nalin internetin kqyr qysh çohen njerëzit,” parashikon ai.