N'Katun

“N’Katun” gjendet buzë rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në një pjesë të rrugës ku veturat kalojnë më ngadalë, jo për shkak të ritmit të jetës në fshat, po për shkak të pluhurit nga ndërtimi i autostradës së re dhe ngarkesës në rrugë që ky ndërtim po shkakton. 

Por, me të hyrë “N’katun”, të gjitha këto i harron dhe i lë anash. Tollovia e gumëzhima dukeshin shumë të largëta, porsa u ula në kopshtin e gjerë të zbukuruar nga pikturat fëmijërore me ngjyra të çelëta dhe dekorime antike. Veshi më zinte edhe kokorisjet e gjelave në pronën fqinje dhe këmborët e lopëve të cilat po kullosnin më në distancë. E përqark hapësirës ku do na shërbehej ushqimi, vend kishin zërë speca e domate që rriteshin gjithandej. 

Unë dhe shoqëruesi im ishim ulur nën një tendë të këndshme nga druri në një tavolinë po ashtu të drurit. Ne filluam me speca me gjizë në tavë dhe çka tjetër-veçse një sallatë fshati: domate, speca, tranguj të prera në copa më të mëdha, të shoqëruar me ullinj e djathë të shijshëm. 

Specat e gatuar ishin të butë dhe të mbuluar nga kajmaku i shkrirë dhe vërtet shkonin kur ngjyheshin me bukë, me gjithë faktin se kjo e fundit vërehej se ishte ngrohur për së dyti. 

Për ushqim kryesor ne vendosëm të ndajmë një racion pjekjeje qengji. Ai ishte mrekullisht i butë dhe të shkrihej në gojë. I ngjyenim lëngjet me bukë dhe gëlltisim me ëndje patatet dhe karotat e shërbyera me të. I vetmi dëshpërim ishte se dukej sikur porcioni që na e kishin shërbyer kishte më shumë asht se mish. 

Nuk donim të iknim nga fshati e të ktheheshim në trafikun e dendur, andaj vendosëm që të zgjasim muhabetin me nga një filxhan kafe. 

“N’katun” m’u duk se është vend i shkëlqyeshëm për të dërguar fëmijët, për shkak të hapësirës së madhe për lojë dhe për faktin se e tërë kjo hapësirë ishte e rrethuar me gardh, por edhe për shkak të këndit të lodrave në të cilin të vegjlit do kënaqen duke luajtur. 

Shërbimi ishte i këndshëm dhe joformal, por jo 100 për qind i vëmendshëm.