Njeriu Që na Përgatiti për Kohën e Kohës

Çdo ditë zgjohet herët dhe shkon në dyqanin e tij edhe tash kur i ka mbushur 70 vjet. Zanatlinjtë e dinë mirë se ka pak gjëra më motivuese se mëngjesi i ri dhe mendja e kthjellët derisa shkon në punë. Normalisht, përveç  të dielave, kur sipas dogmatikëve të të gjitha fushave, edhe Zoti ka ndodhur të ketë pushuar.

Faruk Panduklut, sahatçiut më të vjetër në Prishtinë, jeta i ka ecur si ora, mjeshtër i së cilës është qe 62 vjet.

Të njohur janë shqiptarët për ta marrë jetën lehtë, por zanatliu Faruk ishte shenjë e së ardhmes. Zotëri Pandulku është njëfarë profeti lokal që në përgatiste për atje ku e kishim destinacionin. Në jetën dinamike dhe eficiente.  Që dominohet nga koha. Ku gjithçka ka vlerë kohe.

“Nuk jam më i miri sahatçi, por më i vjetri me zanat dhe me moshë”, shprehet ai.

Kishte nisur ta merrte zejen te babai i tij, Bedriu, si tetëvjeçar duke e marrë mësimin e vërtetë pas orëve zyrtare të shkollës.

“E kam pastruar dyqanin,  kam qenë shumë i disiplinuar dhe kurrë s’e kam thirr baba po mjeshtër edhe kurrë nuk jam vonuar në punë”. Po, rrëfimi ngjet në Kosovë.

Derisa ai po merrte zanatin, shumë zejtarë ishin përzënë për Turqi. Kishin mbetur vetëm rreth njëzetë prishtinali të vjetër me dyqanet e tyre. Por, komoditeti në treg është humbje e garantuar e së ardhmes së afërt.

Prandaj Pandulku udhëtoi disa vjet në Zvicër për ta zotëruar profesionin edhe më mirë. Mësoi gjermanisht, shkoi nëpër trajnime, vizitoi shumë fabrika orësh dhe disa më të mirat i mori me vete. Ato qëndrojnë mureve të dyqanit të tij dhe janë referencat e vetme që ja fitojnë besimin.

‘Tash njerëzit janë të padurueshëm”, shprehet ai. “Atëherë ka qenë ma qetë, kemi qenë më të varfër por kemi jetu një jetë më të lumtur”.

Ka ndrequr e riparuar me mijëra orë për shumë myshterinjë. Ka rregulluar orë për sportistë, artistë e madje edhe ambasadorë.

“Herën e fundit i kam ndrequr shumë orë Christopher Dellit (ambasadorit amerikan), sepse ai është koleksionist i orëve”, tregon Pandulku. “Edhe krejt sportistët vijnë te unë”.

Dyqani i tij e mban emrin “Zenith” për të cilën markë të orës thotë se është i specializuar. Zenith ai edhe ka qenë në mes sahatçive.

“Unë shoqërohem me orën dhe jetën e kam me orën”, thotë Panduklu.

Ai punoi zanatin që e deshti, që i siguroi mbijetesë dhe pavarësi. Ç’është tjetër njeriu i civilizimit tonë? Apo, çfarë mund të lypë më shumë njeriu prej jetës?

Me vetitë që i mësoi prej sahatit, Pandulku edhe u sigurua që nuk pi kurrë cigare dhe as alkool. Kjo ia dha atij vitalitetin. Nëse ekspertiza në matje të kohës nuk i ka dhënë zotërim të saj, ai ka mësuar se si të nxjerrë maksimumin.

Panduklu është anëtar i Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Kosovës.  “Vitaliteti është me u shoqëru me natyrën. Edhe tash vazhdoj të shkojë në bjeshkë, në Brezovicë, në Gjeravicë, në Luboten edhe në shumë vende tjera”, thotë ai.

“Pesëdhjetë herë kam hipur në majën e Lubotenit,  gjashtë herë në Gjeravicë, tridhjetegjashtë herë në majën e Titës në Popova Shapka të Maqedonisë e cila e ka naltësinë 2747 metra”, thotë Panduklu.

Ai moti e ka kuptuar se paraja nuk është gjithçka në jetë, se ajo jetohet në shoqëri. Kështu Pandulku është krenar që ka sjellë orën e parë publike në Kosovë, nga Zvicra, që e kishte vendosur në afërsi të dyqanit.

Por kohët ndryshojnë dhe të rejat vijnë me vrull e përmbysin rrëfimet nga e kanë prejardhjen. Tani kryeqyteti kosovar po punon që të rregullojë sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Zenithin” pritet ta rrënojnë.

Mjeshtri i orëve thotë se do të kishte qejf që dyqanit të tij t’ia bëjnë të paktën një vend diku tjetër. Se është gjurmë si jetuam, si menduam dhe si e kuptuam botën.

Megjithatë, ai sheh një dritë diku tjetër, që i duket normalisht edhe më bindëse. Orëndreqësi thotë se traditën familjare tani po e trashëgon vajza e tij e vogël dhe kjo e bën atë krenar, tani që është plakur dhe e ka të konfirmuar se është vetëm një orë që s’mund ta ndryshojë – atë të jetës.

Por Pandulku nuk tërhiqet nga të qenit i bindur se çelësi i një jete të mirë është puna dhe disiplina.