Mbeturinat skaj rrugës drejt bjeshkëve të Rugovës, Pejë. Foto: Kallxo.com

Një Qytetar ‘Prodhon’ 223 Kilogramë Mbeturina në Vit

Agjencia e Statistikave publikoi të dhënat për mbeturinat e mbledhura në Kosovë gjatë vitit 2016.

Në publikimin “Anketa e Mbeturinave Komuna 2016”, u konstatua se komunat grumbulluan 395 mijë e 291 tonë mbeturina vitin e kaluar.

“Në Kosovë, të dhënat e vitit 2016 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara ka qenë 223 kg për banor në vit. Kurse, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ka qenë 0.61 kg (mbeturina/banorë/ditë)”, thotë komunikata.

Ndërkaq, vetëm në Prishtinë dhe rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale ka qenë 0.60 kilogram për banor në ditë.

Kurse, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të gjeneruara për banor në ditë ka qenë 0.61 kg apo 289 mijë 440 tonë të grumbulluara të mbeturinave.

Në krahasim me vitin 2015 grumbullimi i mbeturinave u rrit rreth 30 për qind. Në vitin 2015 u grumbulluan 319 mijë e 34 tonë bërllok, përderisa në 2016-ën sasia u rrit në 395 mijë e 291 tonë.

Sipas ASK-së, në 2015-ën mesatarja e mbeturinave në ditë për kokë banori ishte 0.48 kg përderisa në 2016-ën kjo u rrit në 0.61 kg.

Përveç sasive të grumbulluara të mbeturinave në komunat e kosovës të pasqyruara përmes statistikave të ASK-së këto komuna vazhdojnë të ballafaqohen me mbeturina të shpërndara nëpër territorin e tyre.

Nga hulumtimet e bëra nga ekipi i KALLXO.com, Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar gjendjen në të cilat janë komunat e vendit.

“Frymëmarrja” pranë mbeturinave në parkun e Gjilanit

Lumenjtë Nerodime dhe Lepenc të qytetit të Kaçanikut po shërbejnë edhe si “deponi” për hedhjen e mbeturinave. Nga hedhja e mbeturinave nuk janë kursyer edhe fshatrat e Kaçanikut, përkundër vendosjes së tabelave për ndalimin e kësaj dukurie. Janë identifikuar rreth 35 deponi ilegale të bërllokut.

Mbeturinat në parkun e qytetit të Gjilanit pothuajse kanë filluar të “lëvizin” nëpër hapësirën e përreth, pasi shportat janë të stërmbushura dhe bërllok gjithandej për pushuesit në park. Deponi të mbeturinave janë parë para Shkollës së Mesme të Bujqësisë, madje edhe në oborrin e bibliotekës së fshatit Malishevë.

Problem me mbeturinat ka edhe Komuna e Deçanit. Në këtë komunë janë identifikuar rreth 30 deponi ilegale të mbeturinave. Inciativa për pastrimin e tyre janë parë para fushatës zgjedhore. Hedhje të mbeturinave janë vërejtur në fshatra dhe në disa lagje të qytetit.

Lumenjtë- deponi në Gjakovë, Junik e Mamushë

Menaxhimi i mbeturinave në komunën e Gjakovës është në gjendje jo të mirë. Ka mungesë të kontejnerëve , mbeturinat hidhen edhe në zonën e Çarshisë së Vjetër duke mos e kursyer edhe lumin “Krena” të kësaj komune. Komuna Gjakovës është bërë edhe me aplikacion për raportim për mbeturinat.

Komuna e Junikut ka potencial për zhvillimin e turizmit, por njëkohësisht ka probleme në trajtimin e mbeturinave. Mbeturinat nuk largohen me rregull duke krijuar kështu deponi ilegale. Në mbeturina mund të haset edhe në vendet turistike të kësaj komune dhe lumin “Erenik”.

Mbeturinat në lumin Erenik, Junik. Foto: Kallxo.com

Komuna e Prizrenit ballafaqohet me probleme të deponive ilegale të mbeturinave, madje në buzë të deponisë Prizren-Dragash hidhen edhe kafshë të ngordhura duke kundërmuar erë të keqe për banorët e asaj ane.

Lumenjtë që lidhin fshatrat Bellobradë, Rapçë, Bresanë të komunës së Dragashit janë shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave.

Një deponi për grumbullimin e mbeturinave ishte paraparë nga Komuna e Suharekës kështu duke e ndarë edhe lokacionin, por ende nuk është investuar në këtë fushë. Kjo komunë ka deponi ilegale ku disa janë edhe në lumenj.

Lumi Topllua i komunës së Mamushës përdoret njëkohësisht edhe si deponi ilegale e mbeturinave.

Mbeturina te lapidari në Vushtrri dhe oborret e shkollave në Podujevë

Janë rreth 11 deponi ilegale me të cilat ballafaqohet komuna e Vushtrrisë. Vetëm 57 për qind të qytetarëve të kësaj komune u ofrohen shërbime të grumbullimit të mbeturinave, ndërsa të papërfshirët në këtë grumbullim krijojnë deponi ilegale në fshatrat e kësaj komune.

Mbeturinat kanë pushtuar hapësira të Komunës së Vushtrrisë edhe në ambientet afër lapidarit të “Dëshmorëve të Kombit”.

Janë mbi 70 deponi ilegale në komunën e Skenderajt që ka probleme serioze për grumbullimin e tyre.

Tymi që del nga tymtarët e KEK-ut në Komunë e Obiliqit, nuk është i vetmi problem me të cilën ballafaqohet kjo komunë. Komuna ka probleme edhe me mbeturina, pasi që në territorin kësaj komune derdhen mbeturinat e rajonit  të Prishtinës (deponia e Mirashit) përveç kësaj komuna përballet edhe me deponi ilegale.

Probleme me deponi ilegale të mbeturinave ka edhe Komuna e Podujevës. Deponi ilegale ka brenda qytetit si dhe në oborret e shkollave, pavarësisht se në këtë komunë operojnë dy kompani që merren me grumbullimin e tyre.

Bërllok edhe te Gryka e Rugovës

Lagjja Kolovicë në drejtim të fshatit Llukar në Komunën e Prishtinës shfrytëzohet për hedhjen e mbeturinave të materialeve inerte. Para dy vjetësh komuna kishte filluar heqjen e mbeturinave dhe  gjelbërimin e kësaj hapësire mirëpo qytetarët e kanë rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Dhënia e 10 mijë kontejnerëve falas qytetarëve të komunës së Fushë Kosovës është vlerësuar hap i mirë, por nuk ka arritur të ndikojë në trajtimin e mbeturinave në këtë komunë. Komuna vazhdon të përballet me deponi ilegale.

Lumenjtë e Komunës së Lipjanit janë ndotur nga mbeturina që kanë hedhur banorët, gjendje e tillë është edhe në fshatin Gadime, edhe pse ishin ndërtuar muret e lumit, ekipi i KALLXO.com vërteton se kishte mbeturina.

Përderisa turizmi malor përkatësisht zona e Rugovës është ajka e zhvillimit ekonomik të Komunës së Pejës, “ajka” e problemeve të saj po del të jenë mbeturinat, të cilat hidhen në vendet turistike dhe përgjatë rrugës. Edhe qyteti i bukur i Pejës nuk është i kursyer nga mbeturinat e hedhura.

Punët mirë me deponi ilegale nuk i ka as Komuna e Istogut. Janë rreth 5 fshatra të kësaj komune që kanë deponi ilegale të cilat nuk largohen.

Nga hulumtimet e ekipit të KALLXO.com rreth 10 deponi ilegale aktualisht janë në Komunën e Ferizajt. Grumbuj të deponive të mbeturinave ka edhe në fshatrat e kësaj komune dhe në qytet.

Edhe qyteti dhe fshatrat e Komunës së Shtimes nuk bëjnë përjashtim-  ballafaqohen me deponitë ilegale të mbeturinave.

Mbeturinat në fshatin Pjetreshticë, Shtime. Foto: Kallxo.com