Shitja e kartolinave | Foto: Erjola Azizolli

Një Mijë Kartolina nga Personat me Aftësi Ndryshe

Fëmijët autikë dhe ata me sindrom down me shitje kartolinash blenë një kondicioner për qendrën e tyre.

Një qendër strehimi dhe edukimi për personat me aftësi ndryshe, ka vendosur t’i zgjidhë vetë problemet e vogla financiare, për të cilat shpesh burokracia merr shumë kohë.

Qendrës së Zhvillimit Rezidencial në Berat, që strehon 27 persona me aftësi ndryshe,  i duhej këtë vit një kondicioner për dhomat në katin e parë dhe ata vendosën t’i sigurojnë fondet duke shitur për të dytin vit rradhasi kartolina të punuara me dorë.

“Për vetë specifikën e saj qendra ngrohjen e ka mjaft të rëndësishme dhe pasi kemi zgjidhur institucionalisht ngrohjen diellore për dushet, këto ditë të ftohta ka nevojë për një ngrohje edhe më të mirë për disa dhoma të katit të parë, pasi ngrohësit aktual nuk sigurojnë ngrohësi të mjaftueshme”, shpejon drejtoresha Alda Skëndaj Shulla.

Qendra arriti të prodhonte dhe shiste 1 mijë kartolina, qëllimi i parë i të cilave është të ndihmojë të strehurit aty- të rinj autikë, me sindromën ‘down’ dhe probleme të tjera, të zhvillojnë aftësitë motorike dhe fantazinë, ndërsa njëkohësisht i mundësoi qendrës finacim të mjaftueshëm për të blerë kondicionerin.

Aurora, një prej personave që strehohet në qendër dhe vuan nga epilepsia, është gjithmonë gazmore ndërsa pret dhe vizaton kartolinat e saj.  Ajo ka kaluar 16 vite në qendër ku ndjehet si në shtëpi dhe bashkë me banorët e tjerë merr gëzim të veçantë kur dhuron kartolinat që i krijojnë vetë.

“Sapo kemi përfunduar për këtë vit së krijuari kartolina dhe kemi krijuar një mijë copë dhe të gjithë djemtë dhe vajzat që punuan për krijimin e tyre ndihen shumë, shumë të gëzuar”, tha Silva Dyli, një prej edukatoreve të qendrës.

“Orët krijuese, duke përdorur materiale të ndryshme janë pjesë e punës tonë të përditshme për të ndihmuar personat rezidentë që të zhvillojnë fantazinë dhe gjymtyrët”, shtoi Dyli.

Pikërisht gjatë këtyre orëve të mësimit, 27 personat rezidentë të qendrës nisën tre vite më parë të krijonin kartolina, fillimish për t’i dhuruar dhe më pas duke parë që pëlqeheshin edhe për t’i shitur.

“Përgatitja e kartolinave nisi si punë që edukatoret specialiste bëjnë me secilin person të qendrës për zhvillimin e tyre individual”, kujton Alda Skëndaj Shulla.

Fillimisht  kartolinat krijoheshin me materiale gjysëm të gatshme dhe zbukuroheshin me ngjyra, lule, gurë dhe aksesorë të tjerë, ndërsa më pas qendra i prezantoi në panaire të ndryshme dhe i dhuroi për festat e Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri 2015.

Duke parë se kartolinat e dhuruara po pëlqeheshin mjaft, Shulla vendosi që vetë krijuesit e qendrës t’i shisnin gjatë aktiviteteve që organizohen me rastin e festave.

“Vitin e kaluar, që ishte dhe viti i dytë i krijimit të kartolinave, duke parë se po rritej dëshira e më të talentuarve në qendër mendova që duke i prezantuar në panaire këto kartolina përse mos t’i shisnim dhe të kishim të ardhura”, tha Shulla.

Qendra “Unë jam si ju” ka një kapacitet prej 30 personash dhe aktualisht strehon 15 meshkuj dhe 12 femra, nga 15 deri në 40 vjeç, të cilët kanë probleme më autizmin, sindromën ‘down’ dhe probleme të tjera të zhvillimit. Kjo e bën qendrën të ketë gjithmonë nevoja për ndihmë.

“Vitin e kaluar u prish një nga lavatriçet e qendrës dhe të prishet lavatriçja në ditët e dimrit në një qendër ku nevoja e saj është shumë e madhe ky është një problem që kërkon zgjidhje shumë të shpejtë dhe me të ardhurat e shitjes së kartolinave ne e blemë lavatriçen pa pritur nisjen e procedurave me ministrinë përkatëse,” tregon drejtoresha.

Por, më tepër se nevojat monetare krijimi dhe shitja e kartolinave ka sjellë ditë të gëzueshme për banorët gjatë festave.

“Sapo blemë materialet për krijimin e kartolinave në qendër u shtuan ditët e gëzueshme. Orët e kreativitetit bëhen me dëshirë shumë të madhe, kryesisht nga personat që kanë aftësi në vizatim, prerje me gërshër [dhe] ngjitje”, tha drejtoresha Shulla.

Qendra është gati ta bëjë traditë këtë punë. Punonjësit aty thonë se prej ditësh të gjithë sapo zgjohen në mëngjes pyesin nëse do të bëjnë sërish kartolina, apo nëse do të dalin për t’i shitur në qendrën e qytetit.

Kartolinat e krijuara nga duart e personave me nevoja të veçanta ishin këtë vit pjesë e Panairit të Agrobiznesit dhe Artizanatit në Berat. Një pjesë e stafit dhe personave rezidentë të qendrës qëndruan disa ditë në këtë panair dhe shitën kartolina me një çmim prej 100 lekë për copë.

Përveç shitjes gjatë ditëve të panairit, kartolinat u blenë edhe nga institucionet vendore, si Bashkia Berat apo Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, ndërsa vetë të strehuarit në qendër e kanë bërë traditë t’ia dhurojnë ato vizitorëve, që shpesh në ditët e festave vijnë bashkë me dhurata.

Marrë nga reporter.al

26 Dhjetor 2017 - 22:30

26/12/2017 - 22:30
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend