President-elect Donald Trump smiles as he arrives to speak at an election night rally, Wednesday, Nov. 9, 2016, in New York. (AP Photo/ Evan Vucci)

Një Letër Mikut Amerikan

I dashur mik,

E kam krejt përnjëmend: është saktësisht qysh jam ndjerë kur Slobodan Millosheviqi mori kontrollin në Partinë Komuniste Serbe më 1987, dhe pastaj fshiu opozitën demokratike në zgjedhjet e para shumë partiake tri vite më vonë.

Si ti, e kam shikuar me horror kur bashkatdhetarët e mi në shikim të mirë, përnjëherë të liruar nga prangat e korrektësisë politike dhe të nxitur nga media e Millosheviqit , filluan të bërtasin gjëra të tmerrshme për shokët dhe fqinjët e tyre të etniciteteve tjera.

Si ti, unë kam shpresuar dhe jam lutur që kjo ishte vetëm lirim avulli dhe qëndrim që nuk do të kishte pasoja. Sikur ti, tash unë akoma shpresoj se Trump nuk do të bëjë në të vërtetë të gjitha ato gjërat e tmerrshme- të mbyllë kundërshtarë politikë, deportime në masë, legalizim të torturës, muri- që  ai ka premtuar që do ta bëjë gjatë fushatës.

Por më duhet të të them, mik, është një shpresë e brishtë. E imja u shkatërrua një mbrëmje vere në Beograd, kur shikoja tanket e ushtrisë jugosllave duke ardhur drejt Vukovarit, një qytet barok kroat që së shpejti do të kthehej në një rrënojë. Dhe pastaj sërish në pranverë të vitit 1992, kur filloi rrethimi i Sarajevës.

Gjëra të frikshme dhe të paimagjinueshme, papritur u bënë shumë të vërteta. Ky është realiteti, qëndron aty pa marrë parasysh sa mundohesh ta dëshirosh ndryshe.

Më lejo që fillimisht të theksoj se jam shumë i vetëdijshëm që Trump nuk është Millosheviq, dhe se ka ndryshime të mëdha në stil, madhësi dhe substancë në mes të këtyre dyve. Por, gjithashtu ka ngjashmëri: të dy e kanë marrë fuqinë duke luajtur me natyrën më bazike të njerëzve; të dy sollën më të keqen nga vendi i tyre dhe vuri përballë komunitete, madje grupe të tëra etnike, kundër njëri- tjetrit vetëm për të marrë fuqi.

Gjatë sundimit të tij, Millosheviqi krijoi dëme të mëdha edhe në Serbi, edhe në vendet fqinje, por ai ishte vetëm një njeri i fortë i Ballkanit, tek e fundit.

Trump mund t’i bëjë shumë më shumë Amerikës dhe botës. Gjithsesi, unë po ofroj keqardhjen time dhe disa këshilla.

Këshilla ime e parë është që të bëheni real dhe të përballeni me kohët e vështira që priten. Për disa muaj, mund të shihni disa nga fqinjët tuaj ose kolegët e punës të rrethuar dhe të marrë nga disa banditë të armatosur (vetëm sot, Trump ka thënë se planifikon të deportojë ‘dy ose tre milionë’, emigrantë).

Mund të ketë protesta racore ose goditje në komunitetet muslimane. Dhe njerëz si ti, që nuk jeni as ilegalë e as muslimanë, por që ju neverisin veprime të tilla, mund ta gjeni veten për t’u përshtatur ose të etiketohen tradhtarë, ose të paktën defektivë apo jo patriotikë, sikur unë, në mesin e shumë të tjerëve, që u përshkruam si tradhtarë në rastin e Serbisë.

Kjo është këshilla ime e dytë: mos argumentoni, bëni. Nuk mund të luftoni fanatikët me fjalë, ose t’i provoni se ju jeni po aq amerikanë sa ata, edhe nëse arrini të tregoheni më të mençur se ta, do të ju përgjigjen me dhunë.

Këtë e bëjnë ngacmuesit, veçanërisht tani kur ndihen të forcuar, madje të autorizuar nga qeveria (kujtoni fjalinë ‘Do të dëshiroja ta godisja në fytyrë’, nga tubimet e Trump?). Në vend të kësaj bëni gjithçka që mundeni që të ndihmoni të dobëtit, të shtypurit dhe të frikësuarit.

Nganjëherë edhe një gjest i vogël, një fjalë e përzemërt, një buzëqeshje inkurajuese mjafton; ndonjëherë do ju duhet të bëni më shumë. Mbani mend fjalët e Mary Sarton që në kohë të këqija ‘duhet të mendosh si hero që të sillesh thjeshtë, si një njeri i denjë.

Do ju thonë që ka përfunduar, që njerëzit kanë votuar dhe ju keni humbur. Mos bini në këtë grackë: kujtoni që më shumë amerikanë kanë votuar për Hillary Clinton se për Trump, dhe vetëm afër një çereku të votuesve të ligjshëm kanë hedhur votën e tyre për kllounin.

Larg nga të qenit vetëm, ju jeni shumicë- e di, sepse kam takuar shumë amerikanë dhe pothuajse të gjithë ishin të mirë, njerëz të denjë, sikur ti. Dhe shumë prej tyre refuzojnë të hidhen poshtë nga banditët.

Në shtetin tim, ne kemi luftuar kundër Millosheviqit gjatë dhe fuqishëm (sa për ta ditur, bombardimi i NATO për Kosovën, nuk ka ndihmuar). Disa, sikur unë kanë, punuar për të ekspozuar krimet dhe abuzimet për t’i parë e gjithë bota; disa të tjerë sfiduan shkopinjtë e policisë dhe ujin me presion drejtuar masave të protestuesve që nganjëherë zgjasnin me javë. Ne organizoheshim, dhe në fund, Millosheviqi ra nga pushteti përmes votës.

Kur refuzoi të pranojë (siç ka paralajmëruar edhe Trumpi që do ta bëjë nëse humb), ne e larguam nga zyra dhe eventualisht e dërguam në Gjykatën e Hagës për krime lufte. Zgjati pak, por funksionoi në fund.

Për njerëzit e mirë, Amerika është një fushëbetejë shumë më e favorshme se që ishte Serbia në vitet 1990. Duke dalë mezi nga sistemi një partiak, institucionet tona ishin të dobëta, shumë lehtë të përmbysshme nga Millosheviqi dhe miqtë e tij.

Ju keni të drejta, një sistem të fuqishëm të drejtësisë, dhe keni akoma mjaft media të lira, që mbrohen nga Amandamenti i Parë, një gjë që edhe vetë Trump nuk mund ta ndryshojë aq lehtë.

Pjesë të ushtrisë dhe shërbime të sigurisë tashmë janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në krime të luftës siç janë, tortura ose vrasja e familjeve të dyshuarve si terroristë, edhe nëse urdhri vjen drejtpërdrejti nga Presidenti.

Le të shpresojmë të gjithë se sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, Trump do të përballët me rezistencë aq të fuqishme sa që do të ndalojë para se të fillojë t’i ekzekutojë planet e tij mizore. Por, siç e thashë, shpresa është e brishtë dhe kur është e gjitha që ke, është një litar i hollë për t’u mbështetur.

Për t’u kthyer te Serbia, edhe një gjë tjetër: gjatë viteve të mundimit, ne kishim një gjë për ta shikuar si shpresë: Xhaxhain e Mirë Sam. Dhe ai na ndihmoi, duke mbështetur financiarisht dhe politikisht rezistencën anti-Millosheviq.

Ishte një Amerikë tjetër atëbotë, para 11 shtatorit dhe Afganistanit dhe Irakut, para Guatenamos… Jo saktësisht një qytet i shndritshëm në kodër, por nëse flasim gjerësisht një perandori dashamirëse, që respektonte të drejtat e njeriut për qytetarët e saj dhe nganjëherë edhe për shtetet e tjera.

Ajo Amerikë gati nuk është më. Osama Bin Laden dhe Xhorxh Bush u kujdesën për këtë, dhe përpjekjet e Barak Obamës për ta rindërtuar ishin pjesërisht të suksesshme.

Tash Trump dëshiron ta kthejë në një vend edhe më të keq. Ai duhet të ndalet, dhe kjo detyrë është mbi supet tuaja.

Por, ndryshe nga ne, ju nuk mund të kërkoni ndihmë nga Amerika. Ju duhet ta rizbuloni atë.

I juaji,

D.A.