Një Kalimtar Plagoset në Përleshjen Mes Dy Grupeve

Të shtënat, me ç’rast janë përdorur edhe kallashnikovë, kanë ndodhur pikërisht para Stacionit Policor në Kodrën e Trimave.

Dëshmitarë kanë treguar se policia ka intervenuar shpejt, por nuk kanë mundur ta ndalin menjëherë shkëmbimin e zjarrit. Gazetari i JnK-së ka parë në vendin e ngjarjes, të mbetura në asfalt, dhjetëra gëzhoja fishekësh.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse e policisë në Prishtinë, konfirmoi për gazetën se i plagosuri është I. P., i lindur më 1947.

I plagosuri sillet në QKUK | Foto: Gazeta JnK

 

Ai është transferuar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjendja e tij nuk është në rrezik për jetë, kanë konfirmuar për gazetën burime nga kjo qendër.

Kamberi saktësoi se në vendngjarje, policia ka arrestuar H. J., i moshës 30-vjeçare. “Nga ky i dyshuar është konfiskuar një AK-47”, tha ajo.

Policia është në ndjekje të disa personave të tjerë të dyshuar, identiteti i të cilëve është i njohur.

Një dëshmitare i ka thënë Gazetës JnK se ka parë tre persona, dy me revole dhe një me kallashnikov, afër mishtores “Kampioni”, përballë stacionit policor.

“Njëri nga ta ka pasur pantolla të shkurtër, të kaltër. Tjetri një bluzë të zezë”, thotë dëshmitarja, identitetin e së cilës nuk do ta publikojmë, për arsye sigurie.