Hashim Thaçi duke e lexuar Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Foto: CC

Një 'Ekip Uniteti' për ta Zhveshur Shtetësinë e Kosovës?

Në një artikull të botuar kohët e fundit në mediat lokale, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi lëshoi idenë e një “ekipi të unitetit” si një mënyrë për t’iu qasur fazës së ardhshme të negociatave me Serbinë. Para se të paraqiste një propozim të tillë në dy rreshtat e fundit të shkrimit të tij, Thaçi u sigurua të fliste për virtytin e unitetit gjatë gjithë tekstit të tij. Shumë analistë i kanë quajtur tashmë idetë e Thaçit si të paarritshme dhe për arsye të mirë.

Imitimi i “ekipit të unitetit” të procesit negociues në Vjenë 2005-2007, i themeluar për të përfaqësuar pozitën e unifikuar të Kosovës në këto negociata, do të ishte e vështirë, pasi ambienti i tanishëm politik është mjaft i ndryshëm nga ai që ishte më shumë se një dekadë më parë.

Për të filluar, Vetëvendosje, me qëndrimin e tyre pak a shumë të qëndrueshëm kundër negociatave të pakushtëzuara me Serbinë, deri më tani ka arritur të fitojë pothuajse 30 përqind të zemrave dhe mendjeve të kosovarëve. Thaçi dhe mbështetësit e tij, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, nuk mund t’i shpëtojnë këtij fakti të thjeshtë, sepse çdo “ekip i unitetit” që përfaqëson vullnetin politik të elektoratit të Kosovës duhet të përfshijë Vetëvendosjen, partinë më të madhe politike sipas rezultateve të fundit të zgjedhjeve. Vetëvendosje tashmë e ka hedhur poshtë idenë e një ekipi të tillë.

Presidenti Thaçi dhe mbështetësit e tij të “ekipit të unitetit” do të duhet gjithashtu të trajtojnë çështjen e mbështetjes së LDK-së për këtë iniciativë. Megjithëse LDK-ja ndihmoi që ta sjellë Thaçin në pozitën më të lartë politike të shtetit, PDK më vonë mbështeti mocionin e mosbesimit që rrëzoi qeverinë e udhëhequr nga Mustafa. LDK e kuptoi se ndihma ndaj Thaçit për t’u bërë president ishte e kushtueshme, e dukshme në humbjen e përkrahjes zgjedhore ndaj LDK-së në zgjedhjet e qershorit. Nëse duam të besojmë se ka ende një racionalitet politik brenda udhëheqjes së LDK-së, është e vështirë të shihet pse LDK do të mbështeste iniciativën e “ekipit të unitetit” të Thaçit, madje edhe me presionin e madh që vjen nga ambasadat e vendeve të Quint-it.

Ndërsa perspektivat e një ekipi të unitetit kanë të bëjnë me karakterin politik përçarës të Thaçit, unë do të shkoj përtej ndërlikimeve të tilla politike (edhe pse ato janë të rëndësishme) dhe merren me këtë çështje nga një këndvështrim tjetër.

Ideja për ekipin e unitetit 2005-2007 për procesin e Vjenës ishte ta negociojë Pavarësinë e Kosovës me Serbinë. Ideja e Thaçit për një “ekip të unitetit” për procesin e Brukselit është ta negociojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Problemi me idenë e Thaçit për “ekipin e ri të  unitetit” është se në propozimin e tij ai e konsideron si një sukses të madh “ekipin e unitetit” të Vienës dhe dëshiron të ndërtojë suksese të supozuara.

Nuk ka dyshim se ekipi i unitetit i Vjenës ishte një histori suksesi për Thaçin, pasi i dha atij letrën që lexoi në shkurt të vitit 2008 duke shpallur pavarësinë e Kosovës, duke e katapultuar atë në nivelet më të larta të pushtetit që atëherë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, “ekipi i unitetit” i Vjenës e mbuloi Kosovën me një vello të dobët të shtetësisë. Ahtisaari, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, ishte mjaft i vetëdijshëm se pavarësisht nga bazat e dobëta që ai po propozonte, shteti i ri do të ishte i aftë të funksiononte në rendin e tanishëm ndërkombëtar nëse Serbia e njihte atë. Kjo do të thotë se shteti i Ahtisaarit nuk ishte i dizajnuar të ishte imun ndaj negociatave të vazhdueshme me Serbinë për riorganizimin e mëtejshëm të shtetësisë së saj të brendshme. Të emocionuar për simbolizmin që qëndron pas idesë së pavarësisë pas një dhjetëvjeçari shtypjeje dhe pastaj për pak kohë për të luftuar për të, Kosova, e përfaqësuar në Vjenë përmes “ekipit të unitetit”, vazhdoi ta pranonte njëanshmërisht propozimin e Ahtisaarit, i cili përfshinte kërkesat e Serbisë gjatë këtyre negociatave (pra të dobët), por pa pranimin e Serbisë (pra një gabim).

Duke folur metaforikisht, nëse i krahasojmë elementet themelore të shtetësisë me veshjet që dikush duhet t’i veshë për ta mbrojtur veten nga i ftohti, Ahtisari i siguronte Kosovës bazat, nga çorapët dhe këpucët tek këmisha dhe xhaketa, me përjashtim se ato ishin të gjitha të holla dhe të arnuara. Por të paktën gjërat bazike, pavarësisht nga cilësia, ishin përfshirë në Planin e Ahtisaarit.

Duke pranuar Planin e Ahtisarit me Serbinë që nuk pajtohej me të, shumë shpejt pas pavarësisë, Kosova u shty nga sponsorët e saj perëndimorë në raundet e ardhshme të bisedimeve të ashtuquajturat “teknike” dhe më vonë “politike” me Serbinë në Bruksel. Kam shkruar më parë për pasojat e të gjitha këtyre raundeve të negociatave, si në aspektin e përfitimeve dhe shpenzimeve. Por për të shfrytëzuar metaforën e mëparshme këtu, gjatë gjithë negociatave me Serbinë pas pavarësisë, nga marsi i vitit 2011 deri në ditët e sotme, Kosova pati disa fitime në nivel ndërkombëtar, por sa i përket shtetësisë së saj empirike, u kërkua të hiqte këpucët dhe çorapët, të heqë xhaketën e saj, të zbërthej këmishën e saj dhe tani është në rrugë për të filluar heqjen e rripit të saj.

“Dimri po vjen” mund të shërbejë si një moto për rendin ndërkombëtar që po shpaloset. Mbetet për t’u parë se si Kosova do ta përballojë të ftohtin këmbëzbathur, pa xhaketë dhe tashmë me këmishë të zbërthyer.

Thaçi është gati ta zhveshë më tej Kosovën, ndoshta deri të heqë edhe rrobat e fundit. Nga propozimi i Thaçit, është e qartë se ai dëshiron një “ekip të unitetit” për ta bërë këtë në një proces tjetër “të vështirë dhe kompleks”, siç e quan ai, të negociatave me Serbinë për ta fituar njohjen dhe ndoshta një vend në OKB. Të dyja, njohja nga Serbia dhe një vend në OKB janë qëllime të qarta, por pyetja që çdo “ekip i unitetit” duhet ta diskutojë së pari është kjo: a ia vlen të ecë Kosova e zhveshur në OKB para vendeve të tjera të botës? Ose, nëse Thaçi dëshiron ta provojë se ai është i sinqertë për iniciativën për “ekipin e unitetit” që do t’i shërbente interesave të Kosovës (dhe popullit të saj pavarësisht nga gjinia, përkatësia etnike apo feja), pyetja e njëjtë duhet t’i parashtrohet Thaçit: a do të jetë i gatshëm të jetë personi i parë që ecën lakuriq në OKB përpara përfaqësuesve të kombeve të tjera të botës?

Së fundi, nëse do të krijohet ndonjë “ekip i unitetit” për të punuar në procesin “e vështirë dhe kompleks” të Thaçit për negocimin e njohjes me Serbinë, nuk ka nevojë të supozohet marrëzisht se Serbia do ta njohë domosdoshmërisht Kosovën. “Ekipi unitetit” i vitit 2005 – 2007 u mashtrua në Vjenë, duke pranuar dëshirat e Serbisë, pa pranuar Serbia planin që integronte (shumicën) e dëshirave të tyre. Çdo “ekip i unitetit” duhet gjithashtu të mos lejojë të mashtrojë veten që njohja e mundshme e Serbisë automatikisht t’i japë Kosovës një vend në OKB.

Çdokush që është serioz në lidhje me këtë çështje duhet t’i përgjigjet dy pyetjeve të thjeshta. E para është: Pse Rusia do të pranonte t’i japë Kosovës një vend në OKB edhe nëse Serbia pajtohet për këtë? E dyta është: A janë sponsorët perëndimorë të Kosovës të gatshëm të bien dakord mbi kërkesën e Rusisë për të njohur Krimenë si pjesë të Rusisë dhe shtetet e tjera de-facto të Rusisë nën sferën e saj të ndikimit, vetëm për të marrë pëlqimin e Rusisë për vendin e Kosovës në OKB? Duke gjykuar nga rendi ndërkombëtar, përgjigjet e të dy pyetjeve mbeten mjaft të zymta në lidhje me Kosovën. Megjithatë, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të jetë problematike. Ndoshta të mësuarit se si të jetosh pa njohje nga Serbia dhe pa një vend në OKB, duke mbajtur veten të sigurt dhe qytetarët e saj të ngrohtë, mund të jetë një rrugë që duhet të jetë në tryezë si një politikë e mundshme. Kosova duhet të mbetet e hapur për të gjitha shtetet që duan ta njohin atë dhe për të gjitha organizatat ndërkombëtare që duan ta marrin atë në familjen e tyre. Por njohjet nuk duhet të kushtëzohen ose tregtohen me shtetësinë e brendshme të Kosovës. Një Kosovë e njohur por e zhveshur nga elementet vendimtare të shtetësisë së saj nuk është rruga për të shkuar përpara, edhe nëse ajo rezulton me një vend në OKB. Duket se një Kosovë e kontestuar, por e mbuluar mirë, e përgatitur për rendin ndërkombëtar, është një mundësi shumë më e mirë.

Ky Opinion është botuar fillimisht në Prishtina Insight.

Shpend Kursani është PhD hulumtues në Departamentin e Shkencave Sociale dhe Politike në Institutin e Universitetit Europian, ku ai hulumton rastet e shteteve me shtetësi të kontestuar pas vitit 1945.