Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Një Barrë Shtesë e Pleqërisë

Pas afro 50 vitesh pune të pandërprerë, më 2015 qytetari H.D. arriti moshën e pensionimit. Si të gjithë gjashtëdhjetepesëvjeçarët në Kosovë, ai tani mund të përfitonte pensionin e moshës, të cilin e ndan Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përveç kësaj, për punën e tij nëntëvjeçare gjatë viteve ’70, ai mund të përfitonte pension prej 250 euro në muaj nga shteti i Gjermanisë. Kurse për trembëdhjetë vitet e punës në shtetin e Kosovës, ai mund të përfitonte pension prej 150 euro në muaj nga kursimet në Trustin Pensional.

Për shumicën e viteve të punës së tij, për shkak të punës joformale në vitet e ’90 dhe punës së tij në sistemin ish-jugosllav gjatë viteve ’80, ai nuk do përfitonte asgjë.

Në përgjithësi, në dy vitet e para pas pensionimit, H.D. kishte të hyra të mira nga pensioni i tij. Por, pas 20 muajve, të hyrat nga Trusti u shterën. Kurse pensioni gjerman pritet t’i përfundojë pas pak muajve. Të hyra të vetme do mbeten pensioni i moshës, një lloj ndihme sociale, që e ndan shteti i Kosovës.

Përderisa H.D. ishte me fat që kishte 13 vjet punë pas vitit 2000 dhe mund të përfitonte nga Trusti, shumë bashkëmoshatarë të tij nuk e kanë këtë mundësi. Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë që nga viti 1999 e këndej dhe për shkak të humbjes së pensioneve për punën në ish-Jugosllavi, shumica e atyre që kanë arritur moshën 65-vjeçare dhe atyre që pritet të arrijnë së shpejti këtë moshë, nuk do përfitojnë asgjë përveç pensionit të moshës që ndahet si ndihmë sociale nga shteti, në vlerë prej rreth 150 euro në muaj.

Rasti i qytetarit H.D. na jep tri mësime me rëndësi: E para, tetë vjet punë gjatë viteve ’70 në Gjermani janë shumë më të vlefshme se trembëdhjetë vjet punë në shekullin 21 në Kosovë; E dyta, për shkak të pagave të ulëta dhe periudhës së shkurtër të funksionimit të sistemit të kursimeve pensionale, të hyrat nga Trusti janë të ulëta dhe zgjasin vetëm disa muaj; E treta, barra buxhetore për pensionet sociale të ndara nga Qeveria po shkon duke u rritur, e jo duke u zvogëluar.

Si H.D. janë shumica e kontributpaguesve aktivë dhe pasivë në Trustin e Kursimeve Pensionale. Sipas të dhënave të Trustit për vitin 2016, bilanci mesatar i kontributeve është 2,795 euro, kurse për kontribuesit aktivë është 3,979 euro. Mesatarisht, kontributpaguesit kanë më pak se 4,000 euro kursime pensionale apo të hyra prej 200 euro për 20 muaj pas pensionimit. Pas 20 muajsh të gjithë do të varen nga pensioni i pleqërisë që e ndan Qeveria.

Sipas të dhënave të Trustit, në vitin 2015 ishin 27,577 kontribues nismëtarë, apo kontribues që po paguanin pensionet për herë të parë. Mbi 14% e kontribuesve nismëtarë u punësuan për herë të parë mbi moshën 40 vjeçare. Një pasqyrë e përafërt ishte edhe në vitin 2014. Këta punonjës të cilët kanë filluar kontributet pensionale pas moshës 40-vjeçare, edhe nëse do jenë me fat që të kenë një vend pune pandërprerë për 25 vitet e ardhshme, me një pagë mesatare, pensioni i tyre më 2042, vit kur do dalin në pension, nuk do jetë më i mirë se i atyre që dalin në pension më 2017.

Në anën tjetër, në fund të vitit 2015 ishin 132 mijë përfitues të pensionit të moshës, një rritje e dukshme në krahasim me vitin 2012, kur ishin rreth 113 mijë përfitues. Përderisa më 2012 u shpenzuan 69.2 milionë euro për pensionet e moshës, më 2017 do të shpenzohen mbi 116 milionë euro. Përveç rritjes së numrit të përfituesve, Qeveria aktuale ka rritur edhe shumën e përfitimeve.

Përkundër asaj se Kosova ka popullsinë më të re në moshë, sipas projektimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i popullsisë në moshën mes 65 dhe 79-vjeç pritet të rritet dukshëm në vitet e ardhshme. Përderisa më 2011 numri i personave në mes të kësaj moshe ishte 105 mijë e 157, në vitin 2026 ky numër parashihet të jetë 173 mijë e 234 persona, kurse më 2036 parashihet të jetë 244 mijë e 737 persona. Apo shprehur në përqindje, përderisa më 2011 popullsia e kësaj moshe përbënte vetëm 5.9% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, më 2036 parashihet të përbëjë 11,3% të popullsisë.

Jetëgjatësia mesatare për gratë dhe burrat në Kosovës është 76.7 vite. Sipas kësaj, i bie se shteti paguan pensionin e moshës për çdo person mesatarisht për 13 vite të moshës së tij/saj të pensionit.

Aktualisht, Kosova nuk e ka problemin e vjetërsisë së popullsisë, por problemin e papunësisë së lartë dhe popullsisë joaktive në tregun e punës. Rreth 67% e popullsisë së Kosovës janë në moshë të punës (15-64 vjeç), por 59.8% e tyre nuk janë aktivë në tregun e punës.

Për ASK, kryeministrin e ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale “popullsia joaktive nënkupton ata që nuk donë me punu”. Në realitet këta janë individë që janë lodhur duke kërkuar një vend pune dhe dikur kanë pushuar së kërkuari. Por, pa marrë parasysh se si vlerësohen, një gjë është e sigurt: të gjithë këta do të varen nga pensioni social i Qeverisë.

Përderisa, tragjikomedia e Çajupit ishte “14 vjeç dhëndër”, tragjikomedia e Kosovës në shekullin 21 është “40 vjeç i punësuar për herë të parë”.