Ngulfatja e UP-së Apo e Abuzimeve?

Kërkuesit e dorëheqjes së Zejnullahut lansojnë një varg akuzash për të. Nga përdorimi i standardeve të dyfishta, veprimeve të padrejta, e deri tek ngulfatja e demokracisë në Universitetin e Prishtinës. Zejnullahu kundërpërgjigjet duke thënë se po i ngulfat avancimet e benefitet e pamerituara të profesorëve universitarë.

Ramadan Zejnullahu, rektor i Universitetit Publik ‘Hasan Prishtina’ nuk e ka ndërmend të dorëhiqet edhe pse këtë e kanë kërkuar më shumë se 20 senatorë.

NDËRLIDHUR

Ata ia kërkuan dorëheqjen nëpërmjet një shkrese drejtuar Këshillit Drejtues të UP-së, më 5 tetor të këtij viti.

I thanë se po e shkel Statutin e UP-së dhe po e bllokon senatin e këtij institucioni.

Senati i këtij universiteti është bllokuar. Deri te kjo kanë çuar mospajtimet lidhur me avancimet e mësimdhënësve të këtij universiteti.

Komisioni i Studimeve i Rektoratit ka vlerësuar negativisht shumicën e nominimeve për t’u avancuar në grada më të larta.

Nominimet bëhen nga komisionet vlerësuese brenda njësive akademike. I dorëzohen për vlerësim Komisionit të Studimeve. Senati, pas vlerësimit të Komisionit të Studimeve, vendos për avancimin, ose jo, të kandidatit.

Komisioni i Studimeve po ngul këmbë që të respektohet kriteri i përcaktuar në Statutin e UP-së që obligon kandidatët të kenë punime të publikuara në revista të vlerësuara ndërkombëtare.

Në pikën që po këmbëngul Rektorati, Kosova qëndron më së keqi në rajon.
Përgjatë një dekade, prej 2003 deri më 2013, vetëm 826 punime në revista të vlerësuara i përkasin autorëve nga Kosova.

Maqedonia qëndron shumëfish më mirë. 6187 punime u përkasin autorëve nga ky shtet.
Ndërsa autorët nga Sllovenia kanë botuar në revista të vlerësuara 60 fish më shumë sesa autorët nga Kosova.

Gazeta Jeta në Kosovë u ka dërguar pyetje shumicës senatorëve që kanë nënshkruar këtë letër duke kërkuar argumente lidhur me kërkesën për shkarkimin e rektorit.

Mes datave 7-10 tetor u janë dërguar pyetje dhe janë kontaktuar dekanë, senatorë e profesorë të UP-së.
Të nënshkruarit që kanë zgjedhur të mos përgjigjen janë: Skënder Ahmeti ( Ekonomik), Naser Pajaziti,  (Edukim), Sabrije Osmanaj e Enver Hamiti  (FIEK), Avni Puka e Haxhi Gashi (Juridik), Bedri Dragusha, (Bujqësi), Jehona Lushaku, (Filozofik), Afrim Loku- (FshaA-Ferizaj), Sedat Kuçi( Filologjik), Salih Ahmeti (Mjekësi) dhe Bekë Kuqi (Administratë Qendrore-Rektorat).

Ndërsa ata që janë përgjigjur janë:  Kemajl Kurteshi, professor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Naser Kabashi, dekan i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës, Musa Selimi, profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit si dhe Imer Rusinovci, professor në Fakultetin e Bujqësisë.
Vetëm katër nga të nënshkruarit kanë komentuar kërkesën për dorëheqje të Zejnullahut.

Kurteshi akuzon për standarde të dyfishta

Kemajl Kurteshi, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, thotë se kërkesa e senatorëve për shkarkim është bërë për shkak se janë bërë shkelje të procedurave në procesin zgjedhor duke rënë në kundërshtim me Statutin e UP-së.

“Vendimin përfundimtar për avancime e bën Senati, e jo rektori”, thotë Kurteshi duke shtuar se Zejnullahu po bën shkelje duke mos nxjerrë në votim në senat të nominuarit për t’u avancuar.
Ai po ashtu akuzon Zejnullahun për përdorim të standardeve të dyfishta.

“Kur i nevojitet rektorit me avancu dikënd, apo me angazhu në Universitet, atëherë ai po këtij senati ia beson të drejtën e votimit, siç ishte te rasti i Pranvera Zejnullahut (Fakulteti Mjekësisë), e cila edhe pse kishte raport negativ nga Komisioni Recenzus dhe Këshilli i Fakultetit, edhe unë edhe Senati ia votuam pasi që rektorit dhe një pjesë të senatorëve i konvenonte,” thotë Kurteshi.

Ai shton se kishte votuar për avancimin e Pranvera Fejzullahut duke menduar se propozimi i rektorit ishte i mbështetur në normat statutare.

“Por doli e kundërta, pasi që ai na kishte vërë në lajthitje,” shton Kurteshi.

Por Kurteshi kundërshtohet nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës.

Zejnullahu thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se Kurteshi po tregon një aftësi të veçantë që t’i ngatërrojë gjërat e qarta.

Pranvera Zejnullahu, sipas tij, është zgjedhur më herët asistente, ndërsa tash vetëm ka ndërruar degën brenda njësisë akademike.

Ajo më 24 mars 2005 ishte zgjedhur asistente për lëndën Fiziologji Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndërkohë ka kryer studimet e doktoratës dhe specializimin në lëminë e  Gjinekologjisë. Ka nisur të punojë në këtë klinikë që nga 1 tetori i vitit 2012.

“Në Senatin e UP- së në përputhje me përgatitjen profesionale lejohet kalimi i stafit në thirrje të njëjtë nga një njësi në njësinë tjetër akademike. Kjo, nuk mund të vihet fare në pyetje brenda njësisë së njëjtë akademike,” thotë Zejnullahu.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje edhe Pranvera Zejnullahut për të marrë një koment lidhur me akuzat e Kurteshit. Zejnullahu ende nuk ka dhënë përgjigje.

Por Kurteshi që kërkon dorëheqjen e Zejnullahut ishte edhe i nominuar për avancim në konkursin e janarit të këtij viti.

Ndonëse Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore e ka nominuar për profesor të rregullt, ngjashëm nuk ka menduar edhe Komisioni i Studimeve që operon brenda rektoratit të UP-së.
Ka konkluduar se nuk ka pasur punime të nevojshme për t’u avancuar në këtë thirrje.

Kurteshi kundërshton vlerësimin e Rektoratit. Thotë se ka 22 punime si autor i parë në katër vjetët e fundit.  Thotë se ka punuar në revista ndërkombëtare.

“Asnjë nga punimet e mia nuk janë publikuar në revista shkencore të Kosovës. Të gjitha revistat janë me ISSN,” deklaroi Kurteshi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ngulfatja e demokracisë në UP?

Një tjetër nënshkrues i iniciativës për shkarkimin e Zejnullahut është Naser Kabashi,  dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Kabashi thotë se ndërmarrja e iniciativave për shkarkime është legjitime dhe normale në demokraci.

“Ne konsiderojmë se po ngulfatet demokracia dhe ne kemi kërkuar që Këshilli Drejtues të mundësojë funksionalizimin e UP-së, për hir të asaj se janë të thirrur dhe të emëruar ta bëjnë këtë,” thotë Kabashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Rektorati, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, kundërshtoi pohimet e Kabashit.

“Nuk mund të flitet për ‘funksionalizim’ në të cilin merren tituj të pamerituar,  paga te pamerituara dhe respekt i rrejshëm,  duke e shfrytëzuar një shtet të dobët ligjor dhe një popull të varfër që me bujari i paguan profesorët,” thuhet në përgjigjen e Rektoratit dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Rektorati thotë se Kabashi ishte i nominuar nga njësia akademike që e udhëheq për t’u avancuar.

Por Komisioni i Studimeve kishte konkluduar se Kabashi nuk e ka të publikuar asnjë punim në revista të vlerësuara ashtu siç kërkohet nëpërmjet Statutit të UP-së. Por ka vetëm vetëm prezantime në konferenca.
Kabashi është pyetur lidhur me konkludimet e Komisionit të Studimeve. Ai nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë.

Pakënaqësitë e Selimit dhe Rusinovcit

Edhe Musa Selimi, profesor i asocuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, thotë se në Senat nuk po respektohen mendimet ndryshe.

“Nga ana e rektorit më shumë kemi parë udhëheqje autoritare duke mos respektuar Senatin dhe mendimet dekanëve e senatorëve.  Sa i përket fakultetit tonë nuk ka dhënë asnjëherë asnjë dëshmi për përmirësimin e kushteve tek ne dhe shpesh edhe ka penguar aktivitetet,” thotë Selimi.
Por këtë akuzë e mohojnë në Rektorat. E akuzojnë Selimin për diçka tjetër.

“Profesori Selimi duhet ta ketë të qartë se autoritar nuk mund të quhet një rektor që nuk lejon dikë, si vetë profesor Selimin të shfrytëzojë mjete financiare për aktivitete gjysmë private,  por as aktivitete që anashkalojnë dekanin e njësisë akademike siç i ka ndodhur atij në të kaluarën e afërt,” thotë Ramadan Zejnullahu, rektor i UP-së.

Selimi është pyetur lidhur me akuzat e Zejnullahut. Nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë akuzë.

Një tjerët profesorë që ka kërkuar shkarkimin e rektorit Zejnullahu është Imer Rusinovci. Ai është profesor i asocuar në Fakultetin e Bujqësisë.

Ai thotë se puna puna në Senatin e Universitetit është ngulfatur që katër muaj për shkak të  procedurave të rizgjedhjeve dhe avansimeve shkencore te kuadrove në njësitë akademike.

“Arsyeja e nënshkrimit nga ana ime, është thjesht papajtueshmëri rreth propozimit nga ky komision për avancimin tim, sepse të gjitha kriteret i plotësoj për avancim në gradën e fundit të profesorit të rregullt konform aktit më të lartë juridik (Statutit të Universitetit). Konsideroj se në rastin konkret më është bërë e padrejtë,” ka deklaruar Rusinovci për Gazeta Jeta në Kosovë.

Por në menaxhmentin e UP-së, thonë se nuk mund  të konstatohet se me propozimet e Komisionit për Studime të cilat nuk janë shqyrtuar ende në Senat dikujt i është bërë e padrejtë.

“Emri i tij ende nuk ka dalë në Senat dhe ne konsiderojmë që ka punime por jo mjaftueshëm për thirrjen ‘profesor i rregullt’. Rektorati është i hapur që të diskutojë në Senat këto pretendime mbi bazën e argumenteve”, thuhet në përgjigjen nga Rektorati.

Ndërkohë që nga ardhja në krye të Rektoratit, rektori Ramadan Zejnullahu është ballafaquar me rezistencë e protesta brenda e jashtë UP-së.

Këto pakënaqësi e akuza ai i kishte quajtur si luftë e grupeve të interesit për t’i mbajtur privilegjet kryesisht financiare dhe privilegjet e marrjes së titujve akademikë pa kritere, për çka ishte dorëhequr edhe rektori i parakaluar Ibrahim Gashi.

Në anën tjetër në mbrojtje të rektorit kanë dalë disa studentë, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe qytetarë  të cilët kanë realizuar një marsh protestues për ta përkrahur rektorin Zejnullahu.

Po ashtu përkrahje për rektorin Zejnullahu kanë shprehur edhe disa ambasada e institucione ndërkombëtare në Kosovë.

Tre senatorë tjerë që janë nënshkruar në këtë letër të 5 tetorit, pjesë të cilës janë ish-ministra, janë ekspozuar në një hulumtim “Gradimi i Dyshimtë i Pesë Dekanëve të UP-së” të Gazetës Jeta në Kosovë se janë avancuar jashtë kritereve http://gazetajnk.com/?cid=1,979,7628

Më shumë lidhur me gjendjen në Universitetit të Prishtinës mund të lexoni në hulumtimet e mëposhtme të Gazetës Jeta në Kosovë:

Avancimet Akademike Përmes Vrimës së Gjilpërës

Emeritusët e Dyshimtë të UP-së

Fuqia e Enver Hasanit dhe Tre Ministrave

Shoferi i Et’hem Çekut Menaxhon Bufenë Ilegale të Fakultetit

Rektorati: Et’hem Çeku, Asnjë Punim në Revista Kredibile

Dugolli-Detaje të Reja për Ngritjen e Dyshimtë në UP

15 Tetor 2015 - 11:44

Muhamet Hajrullahu 15/10/2015 - 11:44
NDËRVEPRIMI0