Ngrohja me Ashkla Nis në Drelaj të Rugovës (TV)

Shkolla fillore “Përparimi” në fshatin rugovas Drelaj që nga 11 shkurti nuk do ta ndotë ambientin e jashtëm gjatë ngrohjes së hapësirave të brendshme të saj.

Të martën në këtë shkollë me vetëm 19 nxënës nga Drelaj, Kuqishta dhe Shtupeqi i Madh u inaugurua projekti i ngrohjes qendrore me ashkla të drurit që u tha se është i pari i llojit të tillë në Ballkan.

Projekti i nisur në këtë fshat të Rugovës që sipas kompanisë CTA që kreu punët, i kushtoi shtetit suedez 37 mijë e 500 euro, do të përdorë për ngrohje mbeturina të pyllit dhe sharrës, ndërsa do ta ruajë ambientin, do të hapë mundësi aplikimi e punësimi edhe në vende tjera, duke zvogëluar sasinë e gazit karbonik në ajër.

Sipas kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri, ky investim është një shembull i mirë për investimet e ardhshme për ngrohje që janë të orientuara miqësisht ndaj ambientit.

“Më lejoni të falënderoj qeverinë dhe ambasadën suedeze për këtë investim kaq të qëlluar për shkollën tonë në Drelaj dhe le të jetë ky një shembull i mirë për investimet e ardhshme”, tha Muhaxheri gjatë përurimit.

Muhaxheri shtoi se si komunë edhe nxehjen e shkollave dhe hapësirave tjera do ta orientojnë drejt mënyrave të ngrohjes që nuk ndotin mjedisin.

Piter Kamben nga  organizata suedeze SIDA-“Conneting Natural Values & Peoples”(Bashkim i Vlerave të Natyrës dhe Njerëzve)  që implementoi projektin, me një shqipe mirë të kuptueshme, tha se ky është një sistem i ngrohjes që përdor elementet e pyllit të pashfrytëzuara nga njerëzit.

“[Sistemi i ngrohjes] përdor tash biomasat e prodhuara nga vetë komuniteti dhe shkolla tani do t’i marrë mbeturinat nga biomasat nga vetë lokaliteti dhe jo për të blerë naftë nga larg, ose nga të tjerët”, tha Kamben.

Biomasat janë materiale biologjike që rrjedhin nga organizmat e gjallë, ose ata të sapovdekur.

Marija Melding nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, donatore e projektit, tha se shteti i saj ka dhënë shumë kontribut për zhvillimin e mjedisit në Kosovë.

“Kosova është një vend i bukur, me vlera të mëdha të natyrës të cilat duhet të vlerësohen shumë, dhe sot këtu mund të shohim një partneritet dhe bashkëpunim… mes pyjeve dhe gjeneratës së re”, tha Melding.

Projekti është realizuar nga bashkëpunimi i SIDA-s, ambasadës suedeze, komunës së Pejës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kushtrim Cukaj nga MBPZHR-ja vlerësoi lartë projektin, pasi ai shfrytëzon si lëndë të parë për ngrohje mbeturina të pyjeve. Cukaj tha se ky projekt duhet të na vetëdijesojë dhe të zgjerohet me ndihmën e donatorëve, ose me financimin nga institucionet tona.

“Le të jetë një shembull i mirë i cili do të merret dhe do të shpërndahet në gjithë vendin tonë”, tha Cukaj.

Inxhinieri Shaqir Elezaj, nga kompania CTA që montoi ngrohjen në shkollë, tregoi se ky sistem ngrohjeje është shumë modern.

“Kaladja është e shtrenjtë, është e sofistikuar dhe është komplet moderne, ku boshti kërmillor e merr lëndën djegëse nga deponia e ashklës”, tha Elezaj.

Ai shpjegoi se ngrohja me ashkla është shumë më e lirë, se ajo me naftë. Tha se këtij sistemi për krijimin  e energjisë prej dhjetë kilovatësh do t’i duhej një litër naftë, ndërsa me ashkla 10 kilovat energji fitohen nga shpenzimi i 2 kilogramë e gjysmë të tyre.

Elezaj tha se ngrohja me ashkla është pesë herë më e lirë se ajo me naftë.

Ramiz Qorraj, drejtor i shkollës fillore “përparimi”, iu gëzua përurimit të projektit, duke treguar traditën dhe rezultatet e shkollës që drejton.

“Shkolla jonë, një shkollë e madhe dikur, sot ka mbetë me një numër të vogël nxënësish… Nga kjo vatër arsimore për 70 vjet [të ekzistimit] dolën shumë kuadro: mjekë artistë, profesorë, inxhinierë dhe mësues”, tha Qorraj.

Ngrohja nga ashklat, sipas inxhinierit Elezaj nuk emeton në ajër dyoksid karboni, prandaj konsiderohet ngrohje e gjelbër.

Shkolla “Përparimi” më herët është ngrohur me dru, mirëpo për shkak të dimrave të gjatë dhe të ftohtë në këtë rajon ka pasur vështirësi për të mbajtur temperaturë të përshtatshme në ambientet e brendshme të mësimit.

Pavarësisht modernitetit të këtij investimi, gjatë përurimit të ngrohjes ekologjike në shkollën  e Drelajt të Rugovës, pati reduktime të energjisë elektrike që penguan ceremoninë.