Ngritja e Rrugaçokracisë në Ballkan

Kjo tragjedi e panevojshme, e cila la njerëz të vrarë dhe e tronditi tërë rajonin, është thjesht pasojë e asaj që ndodh kur një shtet gabimisht e konsideron veten demokraci, ndërsa udhëhiqet nga një kastë politikanësh-rrugaç që  ndërtojnë  asgjë  më  tepër se sa një  rrugaçokraci. 

Reagimi i BE-së dhe ShBA-ve, ndaj këtyre zhvillimeve zbulon ose shmangie strategjike  ose keqkuptim të një krize më të madhe nën sipërfaqe.

Komuniteti ndërkombëtar preferon që t’i lokalizojë  incidentet  duke i tkurrur dhe zvogëluar ato duke i adresuar me një  plan të  thjeshtë: futi në  burg disa psikopatë të armatosur, ngre padi ndaj ndonjë  burokrati  të pafat, përpilo një plan dhjetë-pikësh  në reformimin e sektorit të sigurisë, udhëto në Bruksel apo Uashington për muhabete  në ndonjë  organizatë joqeveritare ku shërbehet kafe bajat dhe kësisoj retë e errëta mbi Ballkanin do të largohen. 

Kjo është tragjike. Ajo që po injorohet nga komuniteti ndërkombëtar nuk ndërlidhet vetëm me Maqedoninë por me tërë Ballkanin. 

Askush të  mos gaboj e mendoj se rajoni është një  pazar për ide dhe ndeshje te pikëpamjeve filozofike se si të qeveriset shteti e ndërtohet demokracia. Jo, rajoni është i pushtuar nga një grup rrugaçësh politikë të cilët e kanë shfrytëzuar vakumin e një gjenerate të mirëfilltë politike për të fituar dhe mbajtur pushtetin mbi principatat e tyre të vogla. 

Për një shtet që t’i ngjajë një demokracie moderne që respekton qytetarët e vet, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes, atëherë dukuritë me potencial shkatërrues  në shoqëri sikur që janë tensionet etnike dhe historia toksike duhet të izolohen  në maksimum. 

Kjo nuk do të thotë se do duhet të injorohen dallimet etnike dhe padrejtësitë e së kaluarës, por ekziston një nevojë urgjente që këtyre fenomeneve të i’u zbehet rëndësia në mënyrë që t’u mohohet rrugaçëve politikë  qasja në  to e cila u nevojitet atyre për të krijuar rrëmuja dhe mbajtur veten në pushtet.

Në një masë të gjerë, gjenerata aktuale e politikanëve në Ballkan përbëhet nga njerëz të cilët janë rritur dhe indoktrinuar në mjediset më toksike politike gjatë viteve  të 1990-ta. Ata përbëjnë një klasë të sharlatanëve politikë të cilët kanë një qasje nënçmuese ndaj popullatës së cilës ata u shërbejnë.

Është pikërisht kjo gjeneratë që—-në mungesë të kohës së pamjaftueshme, vullnetit, apo  dhe kontekstit të  duhur— kurrë nuk mësuar konturat e një demokracie të mirëfilltë. Një demokracie funksionale në të cilën shërbimi në pushtet nuk përbëhet vetëm nga pazarllëqet politike dhe ngulja e thikave pas shpine, por nga një besim themelor në konceptin e të qenurit në shërbim të popullit.

Shërbimi  i sinqert ndaj popullit përmes politikës është një fenomen që kurrë nuk është kuptuar si duhet nga politikanët e Ballkanit. Kjo me siguri ka të bëjë me faktin se një shërbim i tillë kurrë nuk ka ekzistuar në këtë rajon. 

Në këtë mënyrë, përpjekja për të krijuar një sistem të qeverisjes demokratike në Maqedoni, në Kosovë, Serbi, apo edhe në Bosnjë, kohëve të fundit përbën përpjekje të kotë, një parodi patetike e cila vetëpërmbyset akoma pa i marrë këmbët e veta. 

Keqkuptimi më i madh në Ballkan lidhet me atë se çka përbën një demokraci të mirëfilltë, ku instrumentet demokratke si zgjedhjet, të cilat në dukje janë gjysmë të drejta, duket se plotësojnë kërkesat e një shoqërie demokratike. Por, këtu kemi të bëjmë me një instrument demokratik, e jo me një demokraci që është e ndërtuar mbi parimet që përbëjnë bërthamën e sistemit—-siç janë liria e shprehjes, të drejtat themelore të njeriut, një sistem i drejtë gjyqësor, dhe mbi të gjitha, një kontrate morale mes shërbyesve publikë dhe qytetarëve. 

Komuniteti ndërkombëtar mund të ketë shpenzuar miliarda dollarë duke e arnuar Ballkanin këto 15 vjetët e fundit, por ai nuk ka arritur të kultivojë këto parime themelore dhe të krijojë sisteme të qëndrueshme nga të cilat do të ngrihej shoqëria demokratike. Qeveritë kanë rënë peng të rrjeteve të sofistikuara nepotiste, të cilat bëjnë që publiku të humbë besimin në demokraci, madje ende pa pasur shansin që ajo të ngrihet nga rrënojat e historisë. 

Vështruar nga ky kënd, ata që ja dojnë të mirën këtij rajoni mund të ndihen pesimistë. Në një mënyrë cinizmi dhe apatia e qytetarëve është e drejtë sepse pak gjëra janë më depresive për një rajon i dalë nga lufta sesa nënshtrimi ndaj pushtetit të despotëve të vegjël të cilët shkatërrojnë gjeneratat e reja dhe potencialin e tyre. 

Megjithatë një këndellje e tillë do duhej të shërbejë si platformë nga e cila do duhej të shfaqeshin liderët e së ardhmes. Këta liderë të rinj nuk do duhej vetëm të jenë të stolisur me kredenciale adekuate arsimore, por do duhej edhe të kultivojnë një kuptim të thellë se c’farë në të vërtetë nënkuptohet me shërbim publik.

Politika në Ballkan nuk ka nevojë thjesht për reformë të qeverisjes——asaj i nevojitet një ristrukturim thelbësor, një riorientim moral sipas të cilit politikanët shërbejnë të shtyrë nga ndjenja të shenjta të obligimit qytetarë, duke u përpjekur që të krijojnë një vend për të gjithë, ku njerëzit janë në gjendje të jetojnë dhe rrisin fëmijët e tyre. 

Ka ardhur koha, dhe jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë por për qytetarët e tërë Ballkanit që të ngrihen dhe t’u thonë jo rrugaçëve që po i krijojnë këto rrugaçokraci nëpër tërë rajonin; jo kultivimit të nepotizmit dhe një shërbimi publik të korruptuar dhe jo kufizimit të të drejtave dhe lirive të shprehjes dhe jo durimit të diskriminimit në baza gjinore, etnike, fetare apo politike. Këto janë të drejta dhe vlera fundamentale të cilat e përbëjnë një demokraci.

Pa këto vlera çfarëdo progresi, qoftë ekonomik apo i natyrave tjera, është i pakuptimtë. Ky rajon është zvarritur nëpër histori dhe gjakderdhje dhe assesi nuk duhet të lejojë ngritjen e një klase të politikanëve shkurtpamës, të cilët do të mbajnë të hapura plagët dhe do t’ua mohojnë njerëzve mundësinë e gëzimit të lirisë së plotë. 

 

Mikra Krasniqi është qytetar i Kosovës dhe zyrtar i lartë për ekonomi në Zyren Ekonomike të Qeverisë së shtetit të Maryland në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikëpamjet e shfaqura janë përsonale dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e punëdhënësit të tij.