NGOMfest varfërohet por nuk dorëzohet

Përfundoi edicioni i pestë i festivalit të muzikës NGOMfest në Prizren, i cili filloi të enjten mbrëma më 30 gusht dhe zgjati deri të dielën më 2 gusht. Për shkak të mungesës së mjeteve, numri i skenave u reduktua. Sivjet festivali pati një skenë të vetme, atë “Andrra” të Marashit.

Si një festival i nisur nga një grup të rinjsh prizrenas, në mungesë të ngjarjeve kulturore në qytet, ky festival ka nisur edicionin e tij të parë me pesë skena. Në këto skena qytetarët dhe vizitorët artdashës, kishin mundësi të zgjedhnin zhanrin muzikor të cilin dëshironin ta dëgjonin që luhej nëpër këto skena.

Nga pesë skena në edicionin e parë: Skena në Shatërvan, Skena në Marash, Skena tek ish Parkingu, Skena në Kino Bahqe (SHKA) si dhe Skena me muzikë klasike në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni”, edicioni i dytë pati katër skena, edicioni i tretë dhe edicioni i katërt nga tre skena, ndërsa ky edicion i pestë ka vetëm një skenë, atë në Marash.

Dhe nga performanca muzikore gjatë ditës dhe mbrëmjeve, ky edicion ka përqendruar programin vetëm në mbrëmje.

Mungesa e mjeteve mbështetëse të festivalit ka prekur rrjedhën e tij.

Në shkurtimin buxhetor nga Ministria e Kulturës për disa projekte kulturore, përfshihet edhe Ngomfest.

Megjithëse për Festivalin NGOMfest, edicioneve pas të parit, çdo vit ka pasur rritje për 20 përqind të mjeteve nga Ministria e Kulturës, sivjet të njëjtët i kanë shkurtuar buxhetin për rreth 40 përqind më pak nga 5 mijë euro vitin e kaluar.

As Komuna e Prizrenit nuk e ndërroi financimin prej 1 mijë euro (nga kërkesa e organizatorëve për 7 mijë euro), sikur në të tjerat edicione, përveç edicionit të tretë, të cilin nuk e financoi fare.

Mungesa e mjeteve përpos që ka prekur numrin e skenave, ka penguar edhe në reklamimin e festivalit dhe kjo ka ndikuar edhe në numrin më të ulët të vizitorëve sivjet.

Sipas drejtorit ekzekutiv të festivalit, Ardian Kazazi, festivali ka vazhduar të zhvillohet duke u bazuar kryesisht në shitjen e biletave dhe produkteve, si dhe nga sponsorët privatë.

Deri tash ky festival nuk ka bërë ndonjë matje të saktë të të hyrave që i sjellë qytetit të Prizrenit, mirëpo Kazazi tregoi se sivjet festivali ka organizuar një lloj hulumtimi të përqendruar në numërimin e të hyrave që ky festival i sjell qytetit dhe numrin e vizitorëve.

Kjo është bërë gjatë këtij edicioni me anë të disa vullnetarëve të cilët janë trajnuar pikërisht për këtë çështje.

Me gjithë përkrahjen e dobët financiare, sipas tij, festivali nuk rrezikon të shuhet. Kazazi tregoi për Gazetën Jeta Në Kosovë, që NGOMfest planifikon që në të ardhmen të ndërrojë lokacionin e mbajtjes së festivalit dhe të përpiqet të sjellë emra të mëdhenj të muzikës botërore.

Lokacioni i ri pritet të jetë më në periferi, që të mundësojë numër edhe më të madh të publikut dhe zgjerimin e festivalit.

Sipas Kazazit, sjellja e emrave të mëdhenj është e mundshme, pasi interesimi i artistëve të vijnë në Kosovë ekziston dhe kjo do të ndihmonte në rritjen e festivalit dhe tërheqjen e vizitorëve edhe nga shumë vende të rajonit.

“Kontaktet janë me artistë të mëdhenj, me menaxhmente të ndryshme. Nuk ka që kemi marrë përgjigje negative prej menaxherëve dhe artistëve të ndryshëm, të gjithë kanë qenë të interesuar të vijnë këtu,” tha Kazazi.

Ai tregoi se NGOMfest ka qenë disa herë afër sjelljes së emrave të njohur, por mungesa e mjeteve deri më tani gjithmonë ka obliguar tërheqjen.

Gjithashtu në shumicën e edicioneve të festivalit, ka pasur organizime dhe aktivitete artistike, në lidhje nxitjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit, për riciklimin e materialeve të ndryshme dhe instalacione me vizatime e material. Organizim të tillë sivjet nuk pati.

Sipas zëdhënësit për media, Agon Shporta, edicioneve të kaluara këto aktivitete zakonisht kanë qenë plane nga grupe studentësh me vetinteresim.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunime, për çkado që njerëzit e tjerë duan të bëjnë ose të shohin në festivalin tonë. Sivjet nuk kemi pasë diçka të tillë,” tha Shporta.

Edicioni i sivjetmë

Nata e parë e festivalit, u rezervua për zhanrin hip-hop, zhanër ky i cili filloi të inkuadrohej vitin e kaluar në programin e festivalit për shkak të kërkesës së lartë të publikut. Në skenë u paraqitën emra të kësaj rryme si Ergen, Elinel, Nuke, Mola1, Jeton dhe Cyanide. Mbyllja u bë nga DJ, si Dren, Buta, Dj Driton, Dj November dhe DJ Madnula.

Natën e dytë performuan grupe muzikore të rrymave muzikore rock, jazz, ska, Balkan, drum & base.

Të veçantët e kësaj nate, përpos grupit muzikor ‘A.B.O.P’ nga Kroacia, grupit ‘Huset’ nga Suedia, grupit ‘ZAA’ nga Serbia, është edhe këngëtarja shqiptare me famë në Hungari, Alba Hyseni.

Hyseni, me baba kosovar dhe nënë durrsake, e lindur dhe e rritur në Beograd ku jetonte familja e saj, migroi në Hungari në vitin 1997 dhe nuk u kthye asnjëherë më në Kosovë. Ndoqi studimet në Budapest krahas ëndrrës muzikore.

Ajo u rikthye pas 19 vitesh në Kosovë, në kuadër të festivalit NGOM.

Këngëtarja Hyseni, e cila këndon në gjuhën angleze, me grupin instrumentist të saj të përbërë nga artistë hungarezë, me albumin “Inner Mission” në vitin 2011 u shpërblye në Hungari me çmimin ‘Albumi më i mirë underground/alternativ’ dhe dy herë me çmimin ‘Vokali më i mirë’.

Ajo tha që përpos në festivalin NGOM, ka dëshirë të performojë përsëri për publikun shqiptarë.

“Do kisha dëshirë të performoja edhe në Prishtinë ”, shtoi Hyseni.

Nata e tretë ofroi muzikë për adhuruesit e muzikës house dhe electronic. Në skenë u paraqitën emra të kësaj rryme si Trim, Leg Off, Dance Spirit, Uran B., Vegim b2b Flekitza dhe Mind Bend b2b Megan.

Festivali përfundoi më 2 gusht, në një skenë të improvizuar në kampin që ofroi shërbime për akomodim të vizitorëve.

Aty u paraqitën DJ vendorë, si Moodular, Hakaba, Yrnol dhe EZB të cilët luajtën muzikë nga ora 8 e mëngjesit.

Çmimi i akomodimit me tenda të kampit kushtoi 5 euro, ndërsa me tendën personale te vizitorit 3 euro.

Edhe sivjet festivali ofroi NGOM shop kioskën në qendër të qytetit, ku vizitorët përpos biletave, mund të blinin produkte si çanta dhe bluza me logot e festivalit.

Mbështetur në këto dhe tjera pika të shitjes, u bë hulumtimi sipas të cilit do të përcaktohen vlerat e përafërta të të hyrave dhe të vizitorëve.

Bileta për mbrëmje veçmas kushtoi 5 euro, ndërsa bileta për hyrje në secilën natë kushtoi 12 euro.

Për herë të parë sivjet, festivali bëri të mundshëm rezervimin online për vizitorët nga qytetet tjera.