Ngjyrat e Vallëzimit të Dashurisë me Fund të Lumtur

Kjo shfaqje që trajton kryesisht temën e dashurisë, përzierjen e ndjenjave, dilemat në mes të çifteve, konfliktet, gëzimet dhe dëshpërimet, që përfundojnë me shpresë dhe fund të lumtur, në vallëzim u paraqitën si një dyzim midis baletit klasik dhe atij bashkëkohor.

Përpara se kjo koreografi nga Mehmet Balkan të vinte në Kosovë, në janar të këtij viti u luajt në Tokio të Japonisë, nga Trupa e Baletit të Japonisë.

Ky koreograf filloi bashkëpunimin me Trupën e Baletit të Kosovës qysh para gjashtë vjetësh dhe kjo premierë ishte rikthimi i tretë i tij.

“Nëse bëjmë krahasimin nga hera e parë e vizitës sime këtu, balerinët kosovarë kanë bërë hapa gjigantë në zhvillimin e teknikave. Të them të vërtetën nuk kam pritur një progres të tillë,” tha Mehmet Balkan, për Trupën e Baletit të Kosovës.

Balkan tregoi se qëllimisht ka bërë një përzierje në mes të baletit klasik dhe atij bashkëkohor, në mënyrë që balerinët të kenë një liri më të madhe të të shprehurit në vallëzim dhe njëkohësisht t’i ofrojnë publikut diçka më të larmishme.

Sipas tij kjo shfaqje ka potencial të jetë e suksesshme edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Balerina Behie Murtezi, e cila pati njërin nga rolet kryesore, tha se kjo shfaqje teknikisht është e një niveli të lartë, për shkak të përzierjës së stileve, atij neoklasik dhe modern dhe kjo e ka bërë më të vështirë kapjen e hapave nga balerinët.

Shfaqja u dallua edhe për projektorin dhe muzikën e veçantë. Për sfondin në projektor u përkujdes turku Ahmet Esen, ndërkaq kompozitori Erim Ardal krijoi muzikën posaçërisht për këtë shfaqje.

“Presim që me këtë shfaqje të udhëtojmë edhe jashtë siç ka ndodhë me “Dasmën” nga Mehmet Balkan, e cila ka qenë ndër shfaqjet më të suksesshmë të Baletit të Kosovës, më përmbi tridhjetë repriza që kemi shfaqë në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Turqi, itali dhe vende tjera”, tha Sinan Kajtazi, njëri nga balerinët.

Kjo shfaqje do të ketë vetëm një reprizë më 7 maj.

Çmimi i biletave është 3 euro, me përjashtim të studentëve, pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuara, për të cilët kushton 1 euro.