Ngërçi Politik Humbi rreth 16 mijë Vende Pune

PDK-ja gjatë fushatës parazgjedhore premtoi 200 mijë vende të reja pune për mandatin 4 vjeçar. LDK-ja premtoi 120 mijë vende të reja të punës, po ashtu për kohëzgjatje të njëjtë qeverisëse. Nëse i marrim për bazë këto premtime, atëherë del se bllokada politike shkaktoi humbjen e rreth 16 mijë vendeve të punës dhe  humbjen e rreth 500 mijë eurove që do të fitonte shteti nga tatimi në paga.

Analistët ekonomikë konsiderojnë se edhe po të mos kishte ngërç politik, gjasat për t’u realizuar premtimet elektorale janë shumë të vogla. Sipas tyre, hapja e vendeve të reja të punës më shumë ishte për fushatë elektorale sesa premtim real.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se bllokada politike ka pamundësuar realizimin e premtimeve parazgjedhore.

“Ngërçi politik disamujor, ka pamundësuar çdo veprim konkret drejt arritjes së qëllimit të premtuar gjatë fushatës zgjedhore, e që është krijimi i 120 mijë deri 200 mijë vendeve të punës”, i tha Demi Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi nga STRAS-i tha se premtimet e partive politike për hapjen e vendeve të reja të punës kanë vetëm premtime elektorale.

“Premtimi i 120 mijë, apo i 200 mijë vendeve të reja të punës ka qenë vetëm premtim elektoral, por njëkohësisht ka shprehur edhe nevojën e madhe që ka vendi për punësim”, tha Rexhepi. “Por, nuk është reale të pritet se shumë shpejt mund  të arrihet ky synim. Madje, as gjatë fushatës, por as tani pas formimit të institucioneve, nuk është dhënë përgjigje konkrete se si mund të hapen kaq shume vende pune”, shtoi ai.

Sipas tij, këtë parashikim nuk e përmban as buxheti për vitin 2015. Madje, sipas ndarjeve buxhetore, Rexhepi tha se është vështirë të gjendet ndonjë argument bindës se do të ketë normë më të lartë të zhvillimit apo hapje të vendeve të punës.

“Në buxhet kemi reduktim të investimeve publike, prandaj, unë nuk pres se mund të kemi zhvillim katër për qind , siç thotë kryeministri”, vlerësoi Ibrahim Rexhepi.

Ngërçi politik korrik-nëntor, me rreth 5 muaj, nëse marrim ditë pune – rreth 20 ditë pune në muaj, dalin të jenë 100 ditë të humbura. Mbi bazën e kësaj logjike dhe nëse i marrim parasysh premtimet e partive për vende pune, del se, sipas PDK-së, në secilin muaj do të punësoheshin nga 4 mijë persona, kurse sipas premtimit të LDK-së del se 2 mijë e 400 njerëz do të punësoheshin.

Analisti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, tha se “ngërçi politik më shumë ka reflektuar në përkeqësimin e gjendjes në ekonomi, në zgjatjen e amullisë dhe investitorëve u është dërguar një mesazh i keq”.

“Atyre u është bërë me dije se Kosova ende nuk është shtet stabil e as atraktiv për investime”, tha Rexhepi.

“Ky ngërç vetëm sa ka përkeqësuar gjendjen, sa do që edhe po të formohej qeveria në korrik, nuk është dashur të presim që menjëherë të ofrojë vende të reja të punës. Për këtë duhet një strategji e qëndrueshme dhe alternativa reale për financimin e zhvillimit. Për fat të keq, ato mungojnë edhe tani”, shtoi Rexhepi.

Agron Demi nga GAP-i megjithatë, tha se, edhe nëse nuk do të kishte ngërç politik, nuk do të thotë se çështja e premtimeve sa i përket punësimit do të realizohej.

“Nuk mund të thuhet se nëse nuk do të kishte ngërç politik, sot do të kishim mijëra vende të punës, ashtu siç koha do ta dëshmojë se edhe me zgjidhjen e ngërçit politik do të jetë e vështirë që të krijohen tërë këto vende të punës”, tha Demi.

“Me politikat e Qeverisë së re, të cilat janë vetëm vazhdim i politikave të Qeverisë së kaluar, nuk mund të arrihen rezultate më ndryshe. Andaj, deri më tani, nuk ka asnjë hap konkret se kjo Qeveri do ta trajtojë seriozisht problemin e papunësisë”, shtoi ai.

Po ashtu Demi shfaq dyshimin se kjo qeveri do t’i rrisë vendet e punës duke i detyruar bizneset që sa më shumë t’i regjistrojnë punëtorët që nuk i kanë të regjistruar dhe kështu të krijohet përshtypja se po hapen vende të reja pune.

“Ashtu siç është thënë edhe në debate parazgjedhore, kjo Qeveri do të synojë që sa më shumë të rritë statistikat e punësimeve, duke i shtrënguar sa më shumë biznese që të regjistrojnë të punësuarit dhe në këtë formë të krijohet iluzioni se janë krijuar vende të reja të punës”, tha Agron Demi nga Instituti GAP.

Statistika lidhur me ngërçin gjashtë mujorë

Në këtë drejtim, përpos përfitimit të atyre që punësohen, e kemi llogaritur edhe përfitimin e shtetit që do ta kishte me këto punësime.

Nga përllogaritja jonë del se, në bazë të PDK-së, për këta pesë muaj ngërç politik, do të punësoheshin 20 mijë persona, kurse sipas LDK-së do të punësoheshin 12 mijë persona.

Nga këto punësime, natyrisht se do të duhej të paguhej tatimi në paga.

Në qoftë se 20 mijë punësimet e PDK-së do të bëheshin në sektorin publik, atëherë arka e shtetit do të përfitonte 867 mijë e 600 euro. Ndërkaq, nëse këto 20 mijë punësime do të bëheshin në sektorin privat, atëherë shteti do të ndihmohej me 327 mijë e 600 euro.

E nëse LDK-ja do ta realizonte premtimin e vet dhe për 5 muajt e humbur, në sektorin publik do t’i punësonte 12 mijë persona, me pagë mesatare 364 euro sipas ASK-së, atëherë del se tatimi i mbledhur do të ishte 520 mijë e 560 euro.

Ndërkaq, po të ishin këta 12 mijë persona të punësuar  në sektorin privat, e që sipas një hulumtimi të Institutit Riinvest – paga mesatare është 228 euro, del se shteti do të përfitonte nga tatimet në paga 196 mijë e 560 euro.

Nëse koalicioni PDK-LDK do të finalizohej qysh pas zgjedhjeve, atëherë shkrirja e të dy premtimeve për vende pune, për 100 ditë pune të humbura mesatarisht del të jetë 16 mijë vende të reja pune.
Nga këto 16 mijë vende pune, në qoftë se do të realizoheshin në sektorin publik, atëherë tatimi do të arrinte në 694 mijë e 80 euro, përderisa, në qoftë se këto vende pune do të realizoheshin në sektorin privat, tatimi do të ishte në 262 mijë e 80 euro.

Bazuar në kalendarin e viti 2014 del se një vit i ka gjithsej 365 ditë, kurse ditë pushimi (e shtunë, e diel) janë rreth 104 ditë. Festat zyrtare për këtë vit janë rreth 11 ditë, ndërkaq janë 250 ditë pune brenda vitit.

Paga mesatare në sektorin publik sipas Vjetarit Statistikor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 364 euro. Për pagën në sektorin publik prej 364 eurove tatim në pagë (tatimi i mbajtur në burim) del të jetë 14.46 euro.

Paga mesatare në sektorin privat sipas hulumtimit të Instituti Riinvest është 228 euro. Për pagën 228 euro tatimi në pagë (tatimi i mbajtur në burim) që duhet t’i paguhet shtetit është 5.46 euro.

Nëse i pjesëtojmë 200 mijë vendet e reja të punës që i premtoi PDK-ja më 1000 ditë pune në periudhën katërvjeçare (250 ditë x 4 vjet = 1000) del se do duhej të hapeshin 200 vende pune në ditë. 
Kurse pjesëtimi i 120 mijë vende të reja të punës që i premtoi LDK-ja, nëse i pjesëtojmë me të njëjtën formulë (1000 ditë pune për katër vjet – 250 ditë pune x 4 vite = 1000) del se do të duhej të hapeshin 120 vende pune në ditë.