Ilustrim: Jeta Dobranja, Trembelat

Nga ia Kanë Mësy Këta Njerëz?

Pas shumë vitesh të marrjes retroaktive të dijes për gjendjen e përgjithshme të politikës në Kosovë, të pasurit mundësi për të votuar për herë të parë ngjan si ndryshim paksa kalamendës. Pa dyshim, meqenëse i besoj fort procesit demokratik, koncepti i votës vazhdon të ketë rëndësi të madhe, edhe pse shumë kanë argumente të papajtueshme: zgjedhjet e përgjithshme të mëparshme të mbajtura në vitin 2010 dhe 2014 patën pjesëmarrje mjaft të ulët, ku më pak se gjysma e elektoratit deshi ta hedhë votën për t’u përfshirë në qeverisje.

Këtë vit, mijëra votues të rinj të lindur gjatë dhe pas luftës në Kosovë do ta kenë të drejtën e votës për herë të parë dhe nuk do shumë për të t’i vërejtur fjalët e ëmbla që hidhen poshtë e përpjetë në të gjithë spektrin e kandidatëve. Një pjesë e madhe e elektoratit të ri mund të mos jetë tërësisht i vetëdijshëm për sfondin dhe historinë  prapa secilit kandidat, ndaj vendimet e tyre mund të mbështeten në këmbë të qelqta. Por, si mund të ndihet dikush i kënaqur me votën e dorëzuar?

Shumica e njerëzve njihen me përfaqësuesit e tyre potencialë në televizion apo internet. Shpeshherë, ata shfaqen në reklama politike të bukura dhe madhështore që në fund të fundit ofrojnë veçse llomotitje fjalëmbla dhe ndjenja hutuese të shpresës. Problemi më i rëndësishëm me të cilin duhet të merren votuesit e rinj është se shumica e kandidatëve i përdorin vetëm emrat e tyre si mjet për të mbledhur vota. Kjo mund të funksionojë me votuesit më të vjetër të cilët tashmë i njohin kandidatët, por jo me të rinjtë, të cilët janë vetëm kundrinë e kakofonisë së reklamave të ngarkuara dhe dyluftimeve llafatore mes njerëzve që nuk e kanë ndryshuar votën e tyre me vite.

Në vend të mesazheve të pandërprera nga kandidatët për deputetë që njerëzit i merrnin gjatë zgjedhjeve të mëparshme, këtë herë paratë po shpenzohen në postimet e sponsoruara në Facebook. Duke parë të rejat e njërit prej tyre ta rikujton ndërrimin e kanaleve: një surrat ia zbehë imazhin në ardhje të tjetrit.

Zhvillim interesant ishte aplikacioni me defekte, por shumë zbavitës, “aplikacioni selfie” që e lansoi kandidati i LDK-së për kryeministër, ku ju mund të shtoni fotografinë e Avdullah Hotit dhe të pretendoni se ai është duke pritur me durim që ju të gjeni ndriçim të përshtatshëm përpara se të bëni një foto. Kudo do të gjeni fotografi të kandidatëve duke shtrënguar duart dhe me buzëqeshje të përsosur, video që tregojnë motivimin e tyre për ndryshime në turnetë nëpër qytete dhe panaire të librit, dhe disi melodramatikë statuset e tyre në Facebook për atë se “ata janë të duhurit”. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, shumica e këtyre fytyrave do të kalojnë para syve pa shumë zhurmë kur mbaron ky turbullim.

Duke u rritur, më ndodhi që të dija më shumë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, pasi unë jam rritur në një zonë ku shumica e njerëzve e mbështesin hapur. Ndieja justifikime si “Ata kanë anëtarë nga katundet tona”, “ata do të mendojnë për ne” dhe “ata e vazhdojnë trashëgiminë e presidentit Rugova”, pa shumë elaborim mbi rëndësinë e këtyre deklaratave. Duke qenë i ekspozuar ndaj një mentaliteti të rrënjosur bastionesh, nuk ka pasur shumë hapësirë ​​për interes politik të shëndoshë dhe bisedat rreth partive kundërshtare zakonisht ishin të zbrazëta dhe kishin këtë lloj atmosfere të smirës rreth tyre. Kishte njerëz të cilët ndërruan mbështetjen partiake, sidomos kur Vetëvendosja iu bashkua skenës politike, por ndihej më shumë si një aktivitet fitimtar që bazohej në entuziazëm dhe jo në arsye.

Për fat të keq, thuajse asnjë kandidat nuk e përqendron fushatën në probleme dhe çështje specifike që do t’i zgjidhnin nëse ata fitojnë. Pjesa më e madhe e asaj që kam ndeshur gjatë ekspozimit tim janë ‘parimet e përgjithshme’, qëndrime për proceset kombëtare që kanë ndikim të ulët në jetën e përditshme dhe stërthëniet si liberalizimi i vizave që jemi mashtruar të se do të ndodhë që nga viti 2010. Kur u pyetën për çështje të veçanta, përgjigjet ngaherë ngjajnë të cekëta dhe ad-hoc. Ndryshimet e vazhdueshme të koalicioneve dhe përkatësive partiake është bërë aq e zakonshme saqë mbështetja e një subjekti politik nuk mund të zgjasë gjatë.

Një platformë e spikatur ku elektorati mund të njoh kandidatët e tyre janë debatet televizive dhe diskutimet. Çuditërisht, ka shumë probleme që mund të gjenden edhe këtu. Së pari, shumë kandidatë refuzojnë të bashkohen në debatet kundër kandidatëve kundërshtarë dhe në këtë mënyrë nuk ofrojnë informacione programore për votuesit e mundshëm. Të tjerët me entuziazëm shkojnë në debate, por gjithë çfarë bëjnë është shkëmbejnë fshikullime dhe përbuzje deri në pikën kur flakja e televizorit nga dritarja mund të përligjet.

Megjithëse partitë si Vetëvendosja kanë një plan mjaft të qartë qeverisës, në qoftë se nuk pajtoheni me ta, mund të jetë e vështirë t’i ballafaqoni programet, pasi rëndom janë vështirë të qasen: për shembull, faqja e internetit e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, mban vetëm disa flamuj partiakë që valëviten në qiell dhe përveç listës së kandidatëve për deputetë, dokumenti më i fundit i ngarkuar në faqen të LDK-së është një raport financiar vjetor nga viti 2016. Për më tepër, programi politik i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, në faqen e tyre të internetit është nga viti 2010, shtatë vjet më parë.

Përzierja e koalicioneve nxit mosbesimin se të gjithë kandidatët që konkurrojnë nën të njëjtën aleancë janë gjithashtu në të njëjtën faqe. Për shembull, NISMA, AAK dhe LDK, të cilat krijuan një koalicion gjatë bllokimit kushtetues pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014 – i mbështetur por jo i nënshkruar nga Vetëvendosja – që atëherë kanë ndarë rrugët dhe po garojnë veçmas. AAK, së bashku me NISMA-n, një parti që u nda nga PDK në vitin 2014, i janë bashkuar PDK-së së Kadri Veselit, LDK-së i janë bashkëngjitur AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe me Alternativa e sapoformuar, ndërsa Vetëvendosja mbetet si lis i vetmuar. Vlen të përmendet, Partia Konservatore e Kosovës dhe Partia Liberale e Kosovës (të dyja parti të vogla) po e mbështesin koalicionin e udhëhequr nga PDK-ja (një tjetër përkujtues për ne, për votuesit që votojnë për herë të parë se këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me ideologjinë). Mund të supozohet se ky është një burim hutimi për njerëzit që sapo e kanë thënë, për mirë ose për keq, baticat dhe zbaticat vijnë e vejnë.

Ajo që gjenerata e re e votuesve duhet të kuptojnë është se politikanët nuk janë imazhe dy dimensionale që ndonjëherë shfaqen në transmetimet e lajmeve qendrore. Ata synojnë t’i përfaqësojnë njerëzit nga brenda dhe jashtë, që do të thotë se llogaridhënia e tyre duhet të mbetet vazhdimisht nën thjerrë. Megjithëse mund t’u kërkohet të tregojnë se çfarë do të bëjnë partitë dhe kandidatët nëse e fitojnë pushtet, votuesit duhet të jenë po aq aktivë sa kandidatët gjatë fushatës duke parashtruar pyetje dhe duke zbuluar qëndrimet e tyre për çështjet që janë thelbësore për ta. Gjithashtu, mos i leni me ju krypë.