Nexhat Çoçaj me Bashkëpunëtorë Shpallen të Pafajshëm (TV)

Aktgjykimi i gjykatës Themelore të Prizrenit, i liroi nga akuza zyrtarët komunal të arsimit në mungesë provash.

Akuza e ngritur nga prokuroria dhe e konfirmuar nga gjykata, i ngarkonte zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e shpërdoruan detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat.

Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese NTSH “Shpejtimi” nga Suhareka i plotësonte kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit nuk e përfillën ftesën për ofertë dhe si fitues shpallën firma më të shtrenjta, të cilat nuk ishin të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI).

Ndërsa në ftesën për ofertë parashihej si kusht edhe pajisja me licencë nga MTI-ja.

Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, kishte bërë padi në Prokurorinë e Qarkut, duke deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40,250 eurosh.

Gjykata e Qarkut në Prizren, më 12 shtator 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor ndaj tre zyrtarëve të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren.

“Shpejtimi” ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, e që posedonte licencë dhe kishte ofruar çmimin më të lirë – 108 euro për nxënës.

Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh.

Prokurori Sefer Morina, për Gazetën JnK, tha se Prokuroria Themelore e Prizrenit, do të bëjë ankesë ndaj aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore të Prizrenit.