Nëse u Ndëshkua Berisha, Pse Fitoi Meta?

Rezultatet e zgjedhjeve nacionale në Shqipëri tanimë janë të qarta si pika e lotit pa i lënë hapësirë e mundësi kurrkujt për kontenstime eventuale.

Vota popullore i suprizoi të gjithë: palët, analistët dhe padyshim që edhe vetë votuesit…

Pavarësisht pritjeve, artikuluar për publikun nga të gjitha partitë politike, veçanërisht atyre kryesoreve, pothuaj si në heshtje të gjithë e pranonin se rezultatet do të ishin si të prera me thikë: dy partitë e mëdha (PD që ishte në pushtet dhe PS si partia më e madhe opozitare që po e aspironte me të madhe pushtetin) do të merrnin plus a minus një mandat më shumë ose më pak nga njëra- tjetra dhe pastaj peshorja e pushtetit do të kalonte nga LSI, e cila po ashtu mendohej të merrte plus minus një mandat nga ato që kishte në Parlamentin e kaluar, ndërsa surprizë mund të ishte FRD dhe AK.

Por ajo që ndodhi më 23 qershor i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Partia Demokratike pësoi debaklin e saj më të madh pas atij të vitit të vështirë e të rëndë 97, Partia Socialiste me aleatët fitoi një mazhorancë përtej solides, ndërsa debakël po ashtu pësuan FRD e ish presidentit Bamir Topi dhe kuqezinjtë e Kreshnik Spahisë. Të pavotuar rezultuan edhe dy të pavarurit: Arben Malaj e Dritan Prifti për të cilët mendohej se do të mund ta merrnin një ulëse në parlamentin e ri të Shqipërisë.

Natyrisht që humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, e cila i rrudhi mandatet e veta jo vetëm krahasimisht me zgjedhjet e 2011, por duke iu afruar pikut të saj më negativ në bilancin e rezultateve të zgjedhjeve. Ajo doli e dyta në rangim kombëtar, duke u renditur pas Partisë Socialiste e cila edhe pse fituese e zgjedhjeve, krahasimisht me zgjedhjet e vitit 2011 edhe ajo i ka rrudhur mandatet e veta. Këto mandate do të rrudhen edhe më tepër kur kihet parasysh se dy apo tre nga këto mandate u takojnë njerëzve të LSI-së futur në listat e PS-së. Partia Socialiste nuk mund ta krijojë qeverinë pa ndihmën e aleatit të saj më të madh, LSI-në e Ilir Metës, e cila ndryshe nga ç’pritej, në vend që të qëndronte në të njëjtat kuota mandatesh i shumëfishoi ato.
 
LSI dhe Ilir Mera janë realisht fituesit e këtyre zgjedhjeve, sepse jo vetëm që do vendosin për fatin e qeverisë, por sepse përmbysën çdo lloj parashikimi dhe prognoze politike. Lanë në baltë sondazhet dhe befasuan madje edhe vetë elektoratin…

Partia Demokratike realisht i humbi zgjedhjet me meritë. Ndëshkimi që veçmas i dha Shkodra është për t’u shënuar e për tu mbajtur mend. Është e dyta herë që qyteti simbol i demokracisë dhe bastioni deri tash i padiskutueshëm i PD-së i jep këtë mësim arrogancës së pushtetit. Vite më parë, në vitin e largët 1996, Shkodra duke i dhënë votën për kryetar bashkie jo kandidatit demokrat, por atij të së djathtës së bashkuar, i tërhoqi vërejtjen Partisë Demokratike se nga Tirana nuk mund të vendosej për çka ishte më e mira për Shkodrën. Me ato zgjedhje filloi edhe rrëzimi i PD-së që kulmoi me trazirat gati në luftë civile të ’97.  Plot 17 vjet më pas, Partia Demokratike e kishte harruar këtë mësim për t’u përballur sërish me të… Shkodra i tregoi se vendimi i sovranit nuk është vetëm një slogan, por një realitet që mund të të bjerë fytyrës…

Ndëshkimi filloi nga Shkodra, për t’u përhapur në të gjithë Shqipërinë. PD i humbi të gjitha qarqet përveç atij të Kukësit ku dolën barazim. Ra përfundimisht edhe ideja e klishezuar se veriu është demokrat dhe jugu socialist. Përkeqja e pushtetit, korrupsioni, arroganca e ministrave dhe drejtuesve të institucioneve, krijimi i fiksideve se nuk do të bjenë kurrë nga pushteti dhe krijimi i distancave ekstreme me elektoratin demokrat ishin faktorët kryesorë që e detyruan votuesin të ndëshkojë me votë partinë në pushtet. Po ashtu ra përfundimisht edhe ideja tjetër e elektoratit besnik… Drejtuesit e PD-së me arrogancë të pashoqe kishin filluar të mendonin se elektorati i djathtë ua kishte dhënë besën një herë e mirë dhe se votën ua kishte borxh të përjetshëm.

Por, nëse vota ndëshkuese ndaj PD-së ishte e logjikshme, matematikat fillojnë e ngatërrohen tek sheh rezultatin real të zgjedhjeve. Jo të mandateve të koalicionit të majtë, por ato të përkthyera në parti të këtij koalicioni.

Pakënaqësia ndaj pushtetit tetëvjeçar të Berishës është e kuptueshme dhe reale nëse nga 85 mandatet e fituara nga koalicioni i majtë së paku 80 sosh do t’i kishte fituar Partia Socialiste, por për çudinë e të gjithëve dhe kundër çdo lloj parashikimi (përpos atij të Ilir Metës, i cili vetëm pak kohë pas mbylljes së procesit të votimit doli e deklaroi publikisht se do të merrte 18 mandate), LSI i mori vërtet ato mandate që i deklamoi kryetari i saj, pa filluar ende procesi i numërimit. Mu këtu edhe fillojnë e ngatërrohen matematikat paszgjedhore…Nëse vota popullore do të ishte votë ndëshkuese ndaj pushtetit të Berishës, atëherë Ilir Meta s’do duhej t’i merrte mandatet që mori. Logjikisht jo. Moralisht jo se jo!

Ai e solli dhe e mbajti në pushtet Sali Berishën në mandatin e tij të dytë dhe falë kësaj fitoi 20- 40 për qind të pushtetit real në një kohë kur elektorati i tij nuk ishte as 10 për qind. Mban mbi shpinë një njollë të madhe e të errët që e lidh me korrupsionin (procesi gjyqësor për 700 mijë euro ryshfet…) dhe po ashtu është po njëjtë bashkëfajtor sa Berisha për ngjarjet e 21 janarit 2001. Dhe, nëse vota popullore do ishte votë ndëshkuese ndaj pushtetit, Ilir Meta duhej të ishte ndëshkuar njëjtë si Sali Berisha. Vota duhej të kishte shkuar te Partia Socialiste si qëndrestare e fortë opozitare.

Pavarësisht se si i mori votat, Meta është fuqizuar së tepërmi. Ai mund të jetë ndoshta edhe kryeministri i ri i vendit… Vetëm me katër mandate në qeverisjen e kaluar mori deri në 40 për qind të pushtetit. Po me 18 mandate grykësia e tij për pushtet deri ku mund të shkojë?!…

Një fjalë e urtë thotë se “fitimtari nuk gjykohet”. E meqë Rama ka fituar bashkë me Metën nuk është mirë të gjykohen. Më mirë të presim si do ta ndajnë tortën e pushtetit dhe se a do të merren dot vesh si ta ndajnë atë…