Negocimi i Dyshimtë i Kontratës për Kalanë e Vushtrrisë

Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk kishte hapur fare shprehje të interesit apo tender për lëshimin me qira të një pjese të Kalasë së Vushtrrisë.

Në vendimin për anulim të kontratës me Mentor Salihun, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, zbardhen prapaskenat e negocimit që janë bërë për dhënien në shfrytëzim të Kalasë.

“Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore duke vepruar sipas autorizimeve të dhëna më Ligjin e Trashëgimisë dhe duke marrë parasysh pamundësinë për të siguruar vetë si pronare një mirëmbajtje të përhershme dhe qasje të lirë të vizitorëve, ka negociuar dhe ka vendosur kushte të veçanta me palën për dhënien në shfrytëzim me qira të objektit dhe me 07.07.2017 është arritur marrëveshja (kontrata) për shfrytëzim”, thuhet në shkresën e IKMM-së për anulimimin e kontratës.

Ata e arsyetojnë vendimin e tyre duke u thirrur në një nen jorelevant të ligjit të trashëgimisë në të cilin thuhet.

“Përdorimi më qëllim perfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga institucioni kompetent në rastet ku vlerat e trashëgimisë kulturore janë të mbrojtura”, thuhet në vendim, i cili vazhdon duke thënë së IKMM-ja ka pasur lajthim të gjendjes faktike me atë juridike.

Madje, Instituti nuk ka pasur as informata bazike siç është kategorizimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.

“Më vonë është kuptuar, se objekti i kalasë nën mbrojtje të përhershme nuk është aset i kategorizuar si trashëgimi arkitekturale, por është si trashigimi arkeologjike, e dispozitat ligjore për këtë kategori nuk ekziston një dispozitë e tillë që do të autorizonte institucionin tonë në një rast të tillë”, shpjegon vendimi i cili vazhdon duke treguar se nuk ka pasur shpallje për oferta të tenderimit.

Instituti thotë se ka rënë në lajthitje.

“Dhënia e kontratës për shfrytëzim të tillë mund të bëhet vetëm duke aplikuar shpallje publike për oferta të hapura sipas legjislacionit në fuqi, pra kemi pasur situatë të lajthimit të gjendjes faktike me atë juridike gjatë percaktimit të bazës ligjore të kontratës”, sqaron vendimi i IKMM-së.

IKMM nga data 07 deri me 18 korrik 2017 do të bëjë kompensimin e nevojshëm të palës në kontratë në bazë të raporteve dhe regjistrimeve të organit mbikqyrës në rast së pala parashtron kërkesë të tillë.

KALLXO.com shkroi për kontratën që e fitoi daja i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, për të cilën Mulaku tha se nuk ka gisht.

Daja i Kryetarit Mulaku Merr në Shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë

Më pas kontrata për restorantin në kala u shkëput.

http://kallxo.com/shkeputet-kontrata-dajen-e-kryetarit-per-kalane-e-vushtrrise/

Shoqëria civile tha sot në Vushtrri se kalaja u mbrojt pas reagimit qytetar.

http://kallxo.com/aktivistet-pushteti-u-dorezua-para-presionit-per-kalane/