Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Në Shqipëri, Historia në Duar të Politikanëve

Një shpenzim i shpejtuar, i motivuar nga ambicia politike para zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri krijoi një seri monumentesh për figura kontroverse politike me vlerë të dyshimtë estetike.

Gjatë festimeve të përvjetorit të 100-të  të pavarësisë nëntorin e shkuar, autoritetet në Shqipëri zbuluan një numër statujash dhe memorialësh që kanë për synim të kujtojnë figura historike që kanë kontribuar në shtetësinë e vendit.

NDËRLIDHUR

Numri i monumenteve, mbi 20, është investimi më i madh për artin përkujtimor që Shqipëria ka parë ndër dhjetëvjeçarë. Sidoqoftë, kostoja e kësaj iniciative të shtetit mbetet e papublikuar dhe e panjohur për publikun.

Përzgjedhja e monumenteve dhe figurave historike që u bënë të pavdekshëm, u bë nga politikanë që përdorën rastin për të avancuar agjendën e tyre dhe për të riforcuar miratimin nga publiku para zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Në vend që të nderojnë punën e personaliteteve që përfaqësojnë, statujat u kthyen në instrument për të polarizuar më tej klimën e helmuar politike të Shqipërisë, dhe avancuan nacionalizmin e sapolindur të kryeministrit Sali Berisha. 

“Vullneti i qeverisë për të investuar në monumente të reja gjatë qindvjetorit të pavarësisë ishte i motivuar nga përpjekjet e kryeministrit Sali Berisha për ta treguar veten si nacionalist para zgjedhjeve,” thotë Ben Andoni, redaktor i suplementit të kulturës të së përditshmes Gazeta Shqiptare.

Një statujë  e mbretit Zog u ngrit në bulevardin që mban emrin e tij, afër stacionit hekurudhor në Tiranë, ndërsa një statujë e themeluesit të Shqipërisë, Ismail Qemali, u nxor nga muzeu kombëtar dhe  u vendos në një park afër zyrave të parlamentit.

Një statujë tjetër e Qemalit u ngrit në Sheshin e Pavarësisë në qytetin jugor të Vlorës, ndërsa një bust u zbulua në qytetin e Durrësit.

Qemali ishte politikan gjatë periudhës otomane që mbikëqyri shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë në vitin 1912, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, pas rrëzimit të papritur të Perandorisë Otomane në Europë.

Zogu ishte komandanti ushtarak që erdhi në pushtet në Tiranë  në vitin 1924, dhe u vetëshpall mbret në vitin 1928, dhe udhëhoqi Shqipërinë deri në pushtimin italian në vitin 1939.

Statuja e armikut të tij kryesor , ish-kryeministri Hasan Prishtina, vrasjen e të cilit Zogu e urdhëroi në vitin 1933, u ngrit në një shesh tjetër vetëm disa qindra metra larg.

Një memorial për ditëlindjen e 100-të të shtetit shqiptar, i modeluar si shtëpi e ndarë në dy pjesë, punim i arkitektëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas, u ngrit në parkun Rinia në Tiranë.

Ndërkohë një shqiponjë me dy krerë, e dhuruar nga një biznesmen shqiptar nga Maqedonia, u vendos në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit. Busti i guerilit kosovar, Adem Jashari u zëvendësua me një statujë të tijën.

Statuja e fundit, që u zbulua më 8 dhjetor, përkujtoi Azem Hajdarin, deputet i Partisë Demokratike, dhe lider i ri antikomunist, i vrarë në vitin 1998 në rrethana ende të errëta të mbetura ende mister.

Dizajni grandioz i qeverisë

Nuk është e qartë se sa kanë kushtuar gjithsej monumentet. Qeveria ka publikuar një shifër prej 5 milionë eurosh për përvjetorin e pavarësisë, që përfshiu festat, paradat dhe koncertet. Disa nga punimet janë paguar nga komunat vendore, ose financuar nga biznesmenë lokalë.

Sidoqoftë, ky është investimi më i madh i bërë për artin publik që nga rrëzimi i regjimit komunist në vitin 1991.

Regjimi, që qeverisi Shqipërinë për pothuajse gjysmë shekulli, investoi rëndë në monumente për të nxitur ideologjinë marksiste dhe kultin e personalitetit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Statujat masive të Hoxhës, Stalinit, Leninit dhe heronjve të klasës punëtore që më parë stolisnin sheshet shqiptare, u rrëzuan pas rënies së komunizmit.

Edhe pse vëzhguesit vendorë nuk presin të njëjtin fat për monumentet e ngritura gjatë qindvjetorit të pavarësisë, ata theksojnë se politizimi i procesit të përzgjedhjes ka përjashtuar dhe armiqësuar shumë shqiptarë.

Analistët sugjerojnë se ato nuk kanë gjasa të bëhen kuptimplote për brezat e ardhshëm, për shkak të kaosit ideologjik dhe administrativ që karakterizon qeverinë e Shqipërisë dhe institucionet e saj.

“[Revanshi i ndërtimit të monumenteve] promovoi figura kontroverse dhe ndarëse politike, duke theksuar rrëmujën ideologjike të elitës së Shqipërisë”, tha Antoni.

Shqipëria nuk ka një ligj specifik që flet për kriteret për ngritjen e monumenteve. Që të ndërtohet, një monument duhet të miratohet nga këshilli lokal i bashkisë, dhe komunat bartin kostot dhe u japin udhëzime artistëve.

Sidoqoftë, përzgjedhja dhe financimi i shumicës së monumenteve të zbuluara gjatë festimeve të qindvjetorit u bë nga qeveria qendrore.

Qeveria themeloi një komision ministror që zgjodhi figura historike që do të nderoheshin dhe pati fjalën përfundimtare në punimet e aprovuara.

Komisioni, i udhëhequr nga kryeministri Berisha, përfshiu disa ministra, guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani, drejtorin e Akademisë së Shkencave, drejtorin e Institutit të Albanologjisë, drejtorin e arkivave të shtetit dhe drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Sipas Andonit, komisioni jo vetëm përjashtoi nga lista figura historike që konsideroheshin të majtë, por miratoi dhe punime arti që kanë pak respekt për rregullat e artit përkujtimor.

“Disa personalitete si peshkopi Fan Stilian Noli dhe Bajram Curri u përjashtuan si politikanë të krahut të majtë”, tha Andoni.

“Ndërkohë, mbreti Zog është portretizuar si pushtues në veshje ushtarake ceremoniale, kur e dimë të gjithë se e braktisi Shqipërinë në mbrëmjen e pushtimit italian dhe konsiderohet nga shumë si tradhtar”, shtoi ai.

Noli, ish-kryeministër që ishte themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, udhëhoqi të ashtuquajturin Revolucion Demokratik në vitin 1924. Poet, historian, përkthyes dhe shkrimtar, ai u përpoq të reformonte sistemin politik feudal në Shqipëri duke vendosur reforma sociale. Sidoqoftë, Berisha vazhdimisht e ka cilësuar në vitet e fundit si lider të grushtit të shtetit dhe komunist, ndërsa lëvdon mbretin Zog për sukseset e tij në forcimin e shtetit shqiptar, shpesh duke anashkaluar postin e tij si autokrat dhe vrasjen e armiqve të tij politikë.

Statuja dhe kallashnikovë

Sulmet e Berishës kundër Nolit dhe lëvdatat për Zogun erdhën pas 21 janarit 2011 në Tiranë, kur katër protestues të opozitës u vranë nga rojat e Gardës së Republikës.

Berisha deklaroi se protestat ishin përpjekje e një grushti shteti nga opozita socialiste, duke ndërtuar një analogji historike me revolucionin e Nolit kundër qeverisë së Zogut në vitin 1924.

Sipas Andonit, Berisha ka promovuar gjithashtu ngritjen e disa monumenteve dhe statujave të dedikuara deputetit të vrarë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, me qëllim për t’u shërbyer nevojave të tij politike.

Hajdari ishte student aktivist që udhëhoqi protestat kundër regjimit komunist në vitin 1991. Figurë kontroverse politike, shpesh edhe për partinë e tij dhe Berishën, ai u vra më 13 shkurt 1998 në Tiranë, jashtë selisë së Partisë Demokratike.

Berisha akuzoi menjëherë ish-qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj, Fatos Nano, se kishte urdhëruar vrasje politike.

Ditën tjetër, mbështetës të tij hynë në zyrat e qeverisë me kallashnikovë dhe granata, duke marrë peng disa institucione për disa orë para se të tërhiqen nën presionin e ndërkombëtarëve.

“Duke e nxjerrë nga proporcionet mitin e Hajdarit, i cili është ende figurë me hije, Berisha nuk i ka bërë atij ndonjë nder”, thotë Andoni.

Opozita, që nuk kishte fjalë në procesin përzgjedhës për monumentet e qindvjetorit, ka akuzuar qeverinë për planifikim të dobët dhe injorancë.

“Nuk kam dëgjuar për ndonjë qeveri që shpall një projekt për një monument dhe pastaj shikon për vendin ku ta vërë”, u ankua lideri i opozitës, Edi Rama, kur projekti i Kiklasit dhe Obrijës u shpallën fitues të konkursit në prill të vitit 2012.

Andoni pajtohet, duke thënë se shumë nga monumentet e zbuluara gjatë kësaj periudhe janë vënë në vendin e gabuar dhe disa prej tyre kanë cilësi të ulët.

“Kjo është kryesisht për shkak të lajmërimit të shkurtër para dorëzimit të aplikimeve dhe nxitimit për t’i ngritur këto monumente”, tha ai.

“Monumentet që janë krijuar për të lëvduar disa individë ose që u shërbejnë sistemeve politike shpesh nuk i kanë qëndruar kohës”, paralajmëron ai.

ETIKETA

09 Korrik 2013 - 11:24

Besar Likmeta 09/07/2013 - 11:24
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Në Shqipëri, Historia në Duar të Politikanëve

by Gazeta JNK
NA NDIQNI